Ka vdekur në moshën 86-vjeçare këngëtarja e njohur nga Kosova, Nexhmije Pagarusha.
Vajza e saj, Cuca Pagarusha, ka publikuar një fotografi zie në profilin e saj në Facebook.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Nexhmije Pagarusha përjetësoi muzikën shqipe “duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare”.
“Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar”, shkroi Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e ka vlerësuar lart krijimtarinë artistike të Nexhmie Pagarushës.
“Ndarja nga jeta nuk na ndan nga këngët e saj e nga trashëgimia e pasur artistike që na e la”, ëshë shprehur kryeparlamentarja Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konsideruar humbje të madhe për popullin ndarjen nga jeta të këngëtares Pagarusha.
“Nexhmije Pagarusha, talentja e papërsëritshme muzikore, vdiq sot në moshën 86 vjeçare. La pas vetes plot 5 albume e 88 këngë. Më shumë vepra se vite jete. Secila këngë më e mirë se tjetra”, ka shkruar kryeministri Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se Pagarusha do të jetë gjithmonë “model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë”.
Ndërkaq, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, i ka dërguar familjes Pagarusha një telegram ngushëllimi.
Dumoshi ka thënë se këngët e Pagarushës janë shdërruar në “himn jete për familjet e Kosovës”.
“Nexhmija ka lënë pas vete një trashëgimi të pasur, ndaj të cilës jemi falënderues dhe përballë së cilës kemi përgjegjësi. Shumë këngë të saj janë shndërruar në himn jete për familjet e Kosovës. Ajo me punën dhe kontributin e saj ka sjellë një epokë identitare në fushën e këngës dhe të muzikës shqipe, duke përfituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre të botës muzikore, por edhe më gjerë. Këngët e saj, veçmas ‘Baresha’, janë kryevepra të artit muzikor. Ne jemi brez me fat që u rritëm me këngët e saj”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit .
Pagarusha kishte nisur karrierën e saj muzikore më 1948 në Radio Prishtinë.
Pagarusha, e cila ishte nderuar nga Presidenca e Kosovës me çmimin “Artiste e Merituar”, njihej ndryshe edhe si “Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e Këngës Shqipe” dhe “Madam Butterfly”.
Ndërkaq, Presidenca Shqiptare e kishte nderuar atë me titullin “Nderi i Kombit”.
Kënga “Baresha” konsiderohet si një nga kryeveprat e interpretimeve të Pagarushës, e cila është realizuar në vitin 1966 nga kompozitori Rexho Mulliqi, me tekst të Rifat Kukajt.
Ajo kishte përmbyllur karrierën e saj si këngëtare aktive më 1984 në një koncert në Sarajevë. Por, në vitin 2000, pas 16 vjetësh mungesë në skenë, ajo u rikthye duke kënduar për mediat shqiptare këngën “Për ty”.
Përveç muzikës, Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.