Rudina Dervishi, gazetarja dhe drejtuesja e njohur prej shumë vitesh e emisionit televiziv “Ditari” të Zërit të Amerikës, u nda nga jeta të martën, më 12 shtator, në moshën 53-vjeçare, pas një beteje dy vjeçare me kancerin e gjirit.
Ikja e saj e parakohshme, është një humbje e madhe për familjen dhe për kolegët e saj të Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës.
Për më shumë se 25 vjet, Rudina dha një kontribut të çmuar me profesionalizmin e saj si një gazetare e apasionuar, duke mbuluar tema të shumëllojshme nga ekonomia, politika, të drejtat e njeriut dhe të gruas, e deri tek arti.
Ne, kolegët e saj të Zërit të Amerikës, do ta mbajmë mend Rudinën për mprehtësinë, dinamikën, humorin dhe përkushtimin e saj, shkruan VOA.
Ajo la pas bashkëshortin, tre djemtë dhe nënën.
Presidenti Bajram Begaj i përcolli sot një mesazh ngushëllimi familjes dhe bashkëpunëtorëve të gazetares Rudina Dervishi.
“Me keqardhje mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetares së seksionit shqip të “Zëri i Amerikës”, Rudina Dervishi”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Presidentit.
Gjatë 25 viteve të karrierës së saj në këtë medium, Begaj shprehet se ajo u shndërrua në një figurë të dashur për shqiptarët anembanë botës.
“I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së saj, bashkëpunëtorëve dhe miqve të shumtë që ajo fitoi me zërin e saj të ngrohtë si gazetare dhe drejtuese e emisionit “Ditari””, citohet mesazhi.
Një ndër kolegët e saj në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj thotë se është i pikëlluar nga humbja e parakohshme e bashkëpunëtores së tij të ngushtë.
“Lamtumirë Rudina Dervishi! Thellësisht i pikëlluar nga humbja e parakohshme e koleges së dashur dhe bashkëpunëtores së ngushtë, Rudina Dervishi. U prehtë në paqe”, shkruan Elez Biberaj.
“Sa herë e kam dëgjuar zërin e Rudina Dervishit, më është kujtuar gjyshi i vdekur. Ai e dëgjonte rregullisht Zërin e Amerikës. Nga sot zërin e këndshëm të Rudinës, fatkeqësisht, më nuk do ta dëgjojmë. Zonja Dervishi ka me kanë kujtim i mirë i fëmijërisë time. Lamtumirë, zonjë e gazetarisë”, shkruan Mirlin Behluli.
“Jam i helmuar nga ky lajm i zi për shoqen dhe kolegen tonë të qeshur dhe zemërbardhë. Rudina e dashur nuk do të telefonojë më, por zërin dhe këshillat e saj do t’i kem përherë në vesh dhe në mendje. Pusho në Paqe, Yll bote! Do të mbetesh gjithmonë e paharruar për mua dhe familjen time…”, shkruan Ilirjan Agolli.
“Ndër njerëzit ma human e shpirtgjanë që kam taku nga mërgata shqiptare në Amerikë, Rudina Dervishi, paska ndrrue jetë! Fytyra ikonë e Zanit t’Amerikës. Pushofsh n’paqe, oj dritë”, shkruan Valbona Xhakja.
“Nga sot e do tutje do të na mungojë zëri i këndshëm përtej Atlantikut! Rudina Dervishi, gazetarja me çerek shekulli kontribut në median dhe gazetarinë shqiptare, ikona e ‘Zërit të Amerikës’, u nda nga ne fizikisht, për të jetuar në përjetësinë e kohërave përmes veprave e mirësisë së saj. Ngushëllime familjes së saj, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë shqiptarëve që e ndoqën dhe e deshtën gjithë këto vite”, shkruan Sibel Halimi.
Redaksia e Argumentum shpreh ngushellimet e sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë koleget e gazetës të nderuar Rudina Dervishi. I perjetshëm qoftë kujtimi i saj!
/Argumentum.al