Peter Zingraf, ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, është ndarë nga jeta para kohe, për shkak të një sëmundje të rëndë.
Lajmin e bëri të ditur Ambasada gjermane në Shqipëri
Peter Zingraf, ambasadori gjerman në Tiranë nga viti 2019 deri në vitin 2023, ka ndërruar jetë më 20 maj 2024 pas një sëmundjeje të shkurtër por të rëndë, bën të ditur Ambasada gjermane.
“Humbja e tij e papritur na ka tronditur të gjithëve. Peter Zingraf do të mbahet mend si një person miqësor, me humor dhe gjithmonë i afrueshëm dhe si një koleg dhe mik i madh”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me lajmin e trishtë, ka reaguar politika shqiptare, ku kanë vlerësuar kontributin e tij për Shqipërinë dhe kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për familjen e tij.
Kryetari i PD, Lulzim Basha, në mesazhin e tij shprehet se emri i Peter Zingraf do të jetë pjesë e panteonit të miqve të Shqipërisë që punuan për Shqipërinë Europiane
“Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Peter Zingraf, ish-ambasadorii Gjermanisë në vendin tonë, një mik i mirë i Shqipërisë dhe një zyrtar i përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rrugëtimit europian të Shqipërisë. Emri i Peter Zingraf do të jetë pjesë e panteonit të miqve të Shqipërisë që punuan për Shqipërinë Europiane. Në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës, i shpreh ngushellimet më të ndjera familjes, kolegëve dhe popullit gjerman për këtë humbje të madhe. U prehtë në paqen e Zotit!”, shkruan Basha në mesazhin e tij.
Edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar. Përmes një postimi në Facebook, ai shpreh mirënjohje për kontributin e tij të vyer në dobi të zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me Gjermaninë, për përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë të vendit tonë në BE, si dhe për angazhimin e palodhur për forcimin e demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës dhe llogaridhënies në Shqipëri.
“Me trishtim mësova lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-Ambasadorit të Gjermanisë, Peter Zingraf.
Mirënjohje për kontributin e tij të vyer në dobi të zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me Gjermaninë, për përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë të vendit tonë në BE, si dhe për angazhimin e palodhur për forcimin e demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës dhe llogaridhënies në Shqipëri.
Do të ruaj kujtimet dhe vlerësimet më të mira për periudhën që bashkëpunuam së bashku!
Ngushëllime familjes, kolegëve të Ambasada Gjermane Tiranë , si dhe autoriteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë mike dhe partnere strategjike!”, shkruan Meta.
/Argumentum.al