Ish-presidenti francez, Valery Giscard d’Estaing, një ndër arkitektët kryesorë të integrimit evropian në fillim të viteve 1970, u nda nga jeta në moshën 94-vjeçare, njoftoi të mërkurën Pallati Elysee.
Zoti Giscard, i cili udhëhoqi Francën nga 1974-1981, ishte shtruar kohët e fundit në spital në Francën perëndimore dhe po mjekohej në pavionin e kardiologjisë, sipas radios Europe 1, e cila ishte e para që e njoftoi vdekjen.
Ish-udhëheqësi francez kujtohet për prirjen për modernizim në shoqërinë franceze, duke lejuar divorcin me mirëkuptim dypalësh, legalizimin e abortit, si dhe ishte një ndër arkitektët e integrimit evropian.
I zgjedhur president në moshën 48-vjeçare, ai erdhi në post pas udhëheqjes së stilit të De Golit dhe u përpoq të liberalizonte ekonominë dhe normat sociale. Ai humbi në përpjekjet për rizgjedhje përballë socialistit, Francois Mitterrand.
Ai krijoi lidhje të ngushta me ish-kancelarin e Gjermanisë Perëndimore, Helmut Schmidt dhe së bashku ata hodhën themelet për një monedhë të përbashkët evropiane, pasi krijuan Sistemin Monetar Evropian.