Është ndarë nga jeta aktori dhe regjisori Pirro Mani, bashkëshorti i aktores Pavlina Mani, një nga personalitetet më të shquara në historinë e teatrit shqiptar.
Artisti mbylli sytë në moshën 89-vjeçare, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur mesazhin e tij të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të artistit të madh Pirro Mani, në një postim në rrjetet sociale.
Për Bashën, aktori dhe regjisori i njohur ishte ikonë e teatrit.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta e ikonës së teatrit Pirro Mani.
E sotmja është një ditë e trishtë për teatrin, një ditë e trishtë për artin shqiptar, një ditë e trishtë për artdashësit.
Në këto orë të vështirë për familjen Mani i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta bashkëshortes znj. Pavlina Mani dhe fëmijëve, si dhe kolegëve e miqve të tij në botën e artit.
U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.
Aktori i njohur mbylli sytë në moshën 89-vjeçare në SHBA, ku prej disa vjetësh jetonte në Nju Jork, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen e tij.
Kryeministri Edi Rama me një postim në rrjetet sociale ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur shqiptar Pirro Mani.
Për Ramën, Pirro Mani “ishte ustai i madh i skenës kombëtare teatrore”.
“Pa të kultura dhe historia e artit skenik shqiptar do të ishin shumë më të varfër”, shkruan Rama.
LAMTUMIRË USTA!
Pirro Mani ishte ustai i madh i skenës kombëtare teatrore. Pa të kultura dhe historia e artit skenik shqiptar do të ishin shumë më të varfër.
U prehtë në paqe dhe ngushëllime familjes!
Presidenti Meta ka shprehur ngushellimet ne rrjetete sociale familjes Mani, të gjithë komunitetit të artistëve. Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të Pirro Manit, njërit prej personaliteteve më të shquara në historinë e teatrit dhe të filmit shqiptar, shkruan z.Meta.
Aktor dhe regjisor i niveleve të jashtëzakonshme, si dhe pedagog i shkëlqyer për dekada, ai luajti dhe vuri në skenë me dhjetëra role dhe shfaqje , për t’u nderuar me shumë çmime dhe fituar duartrokitjet e respektin e merituar të artdashësve, duke lënë pas një trashëgimi të vyer kulturore, që na bën krenar të gjithëve dhe që përherë do të mbetet një shembull frymëzimi për brezat e artistëve të rinj.
U shpreh ngushëllimet më të ndjera Pavlinës dhe familjes Mani, të afërmve dhe të gjithë komunitetit të artistëve për këtë humbje të madhe, që na lëndoi sot të gjithëve, perfundon mesazhin e tij te ngushellimit Presidinti Meta.
Edhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka reaguar me një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Pirro Mani. Ai e vlerëson Manin si artist kalibri dhe burim i emancipimit të shqiptarëve.
Për Ruçin, Pirro Mani është i përjetësuar në veprën artistike që u ka lënë brezave të shqiptarëve.
“Me dëshpërim moral lajmin mbi ndarjen nga jeta të regjisorit të shquar, Artistit të Popullit, Pirro Mani. Një jetë e tërë kushtuar teatrit dhe filmit, e bën Pirro Manin sinonim të artit të regjisurës shqiptare. Pirro vuri në skenën e teatrit shqiptar vepra të kalibrit të lartë dhe krijoi me rolet e veta personazhe që kanë mbetur në kujtesën e artdashësve dhe të popullit shqiptar. Veprat që ka venë në skenë Pirro Mani i kanë sjellë publikut jehonën e ngjarjeve monumentale të historisë së shqiptarëve dhe historisë botërore. Ai ka gjithashtu meritën e formimit të dhjetëra brezave të aktorëve të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Arti i Pirro Manit ka qenë dhe mbetet një burim i emancipimit shoqëror dhe kulturor të shqiptarëve. Pirro Mani është përjetësuar në veprën artistike që u ka lenë brezave të shqiptarëve“, shkruan Ruçi.
Kush ishte Pirro Mani?
Pirro Mani lindi në 14 prill të vitit 1932 në Korçë. Ai është një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qenë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh jetonte në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen. Një prej personazheve më të njohur që ai skaliti përjetësisht në memorien e shqiptarëve është ai i ‘ballistit Sali Protopapa’ në filmin ‘I teti në bronz’.