Pallati Mbretëror i Mbretërisë së Bashkuar njoftoi mesditën e sotme për ndarjen nga jeta të Princit Philip, bashkëshortit të mbretëreshës Elizabeta II-të.
Princi, njëherësh Duka i Edinburgut, u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në kalanë e Windsorit. Ai ishte në moshën 99-vjeçare dhe me Elizabetën qe martuar që në vitin 1947, pesë vite përpara se ajo të bëhej Mbretëreshë.
“Me pikëllim të thellë Madhëria e saj, Mbretëresha, njofton vdekjen e burrit të saj të dashur, Lartmadhërisë së Tij Mbretërore, Princit Philip, Dukës së Edinburgut”.
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, mbajti një konferencë të jashtëzakonshme pas njoftimit të lajmit të ndarjes nga jeta të Princit Philip. Ai e konsideroi atë “një institucion të rëndësishëm dhe të padiskutueshëm të balancës dhe harmonisë kombëtare të Britanisë”.
Pas njoftimit të lajmit, mbetet në diskutim se si do të organizohet ceremonia mortore, duke qenë se Britania e Madhe mbetet e prekur nga pandemia e COVID-19.
Princi Philipp u lind më 10 qershor 1921 në ishullin grek të Korfuzit. Babai i tij ishte Andrew i Greqisë dhe Danimarkës, – djali më i vogël i mbretit George I i Greqisë, – ndërsa nëna Princesha Alice, bijë e Lordit Louis Mountbatten dhe mbesë e Mbretëreshës Victoria.
Nga martesa me Elizabetën, ai u bë baba i katër fëmijëve, gjysh e stërgjysh i tetëmbëdhjetë pasardhësve.
Pasardhësi i parë mbretëror është Princi i Uellsit Chalres, i lindur në vitin 1948, një vit pas martesës mes Philipit dhe Elizabetës. Më tej pasardhës të kurorës janë Princeshë Anna, e cila u lind në vitin 1950, Duka i Jorkut, Princi Andrew, i cili u lind në vitin 1960 dhe Princi Edward, i cili u lind në vitin 1964.