Ndërroi jetë pasagjeri që jetoi 18 vjet, në terminalin 2F të aeroportit të Parisit, Charles De Gaulle.
Ishte viti 2004 kur falë kinemasë u bë i njohur në mbarë botën dhe aktori Tom Hanks e ktheu në protagonist të paharrueshëm.
Në intervistat e vitit 2004, foli mbi dëshirën për t’u “arratisur” nga aeroporti dhe ëndrrën amerikane, ajo e një fundi të lumtur në Kaliforni.
Jam i kënaqur që historia ime mund të frymëzojë filma. Këtu kaloj ditët, duke shkruar shënime për jetën time. Lexoj gazeta amerikane e britanike, si dhe romane. Por, këtu nuk mund të flasim për jetën. Shpresoj që “Terminali” të më ndihmojë të largohem për në Shtetet e Bashkuara.
Mehran Karimi Nasseri lindi në vitin 1945 në Masjed Soleiman, në provincën iraniane të Kuzistanit, por u vendos në aeroportin e Parisit në nëntor 1988, pas një udhëtimi të gjatë që e çoi në Londër, Berlin e Amsterdam në kërkim të nënës. Çdo herë, autoritetet britanike, gjermane e holandeze e dëbonin si emigrant pa dokumente.
Në vitin 1999, më në fund siguroi statusin e refugjatit në Francë e një leje qëndrimi, por ndoshta në një konfuzion nga vitet e qëndrimit në aeroport dhe stresi, refuzoi t’i firmoste.
Nuk jam ky, nuk jam më ai që isha. Tani quhem Sir Alfred Merhan e nuk jam iranian. Babai im ishte suedez. Nëna, daneze.
Aeroporti u bë përfundimisht streha e tij. Sir Alfred u ndihmua dhe u trajtua me simpati nga i gjithë stafi i aeroportit. Po ashtu iu rezervua trajtim preferencial për të përfituar pastrim kimik e akses në dhomat e hekurosjes së aeroportit.
Historia e iranianit nuk frymëzoi vetëm Spielbergun. Para tij, në vitin 1994, regjisori francez Philippe Lioret, xhiroi “Tombé du ciel” (“Ra nga qielli”).
Ndërkohë, dy vjet pas filmit të Spielbergut, më 2006-ën, Sir Alfred u largua nga aeroporti. Fillimisht u drejtua për në spital e më tej në strehën Emmaus. Me kursimet e mbledhura jetoi në hotel, deri disa javë para se të kthehej për të mbyllur sytë në shtëpinë e preferuar, në aeroport.