Navalny, 44 vjeç, u ndalua nga policia menjëherë pasi fluturimi i tij nga Gjermania zbarkoi në Moskë, të dielën pasdite.
Ai po kthehej në Rusi pesë muaj pas helmimit me agjentin nervor Noviçok, për të cilin ka fajësuar autoritetet ruse.
Qeveria e presidentit Vladimir Putin e mohon helmimin e Navalnyt.
Duke reaguar ndaj ndalimit të tij, SHBA-ja dhe BE-ja bënë thirrje për lirim të menjëhershëm.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se autoritetet ruse po përpiqen t’i heshtin kritikët e tyre.
“Liderët e sigurt politikë nuk kanë frikë nga zërat konkurrues, as nuk kryejnë dhunë, as nuk i ndalojnë padrejtësisht kundërshtarët politikë”, tha Pompeo.
Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, u shpreh në frymë të ngjashme.
“Sulmet e Kremlinit ndaj Navalnyt nuk janë thjesht shkelje e të drejtave të njeriut, por fyerje e popullit rus, që dëshiron t’i dëgjohet zëri”, tha Jake Sullivan.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka kërkuar të hënën (18.01) lirimin e menjëhershëm të kritikut rus, Aleksej Navalny. Rusia duhet të respektojë kushtetutën e saj dhe është e lidhur përmes detyrimeve ndërkombëtare me parimin e ligjshmërisë dhe ruajtjen e të drejtave qytetare. “Këto parime duhet sigurisht të zbatohen edhe në drejtim të Aleksej Navalnyt. Ai duhet të lirohet pa vonesë.”
Navalny pas shërimit është kthyer vetë dhe me vetëdije nga Gjermania në Rusi. “Që ai arrestohet nga autoritetet ruse menjëherë pas mbërritjes së tij është tërësisht e pakuptueshme”, ka theksuar Maas. Më tej ministri i Jashtëm gjerman, ka theksuar se “Navalny është viktimë e një atentati të rëndë me helm në tokën ruse”. Qeveria gjermane pret për më tej që “Rusia të bëjë gjithçka, për të zbardhur tërësisht këtë atentat dhe të nxjerrë para përgjegjësisë autorët e tij.”
Franca, Italia dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Navalnyt.
Navalny u ndalua nën disa akuza të mëhershme për përvetësim fondesh. Sipas Navalnyt, akuzat e tilla janë të motivuara politikisht.