Editorial
Incidenti në Aeroportin e Shkupit me Presidenten Vjosa Osmani përveçse ka shkatuar një debat të madh, rrezikon tensionimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Për më tepër ky incident, ka ndezur një paqartësi diplomatike dhe ka ngritur pikëpyetje serioze për ndikimin e forcave të jashtme politike në Ballkan
Në një shkelje alarmante të protokollit diplomatik, personeli maqedonas i sigurisë akuzohet se sulmoi fizikisht Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit. Në vend që të merrte respektin standard që i jepej një kreu shteti, ajo u përball me një përpjekje agresive nga personeli i sigurisë për t’i konfiskuar me forcë sendet e saj personale. Mediat raportuan sipas njoftimi zyrtar nga presidenca e Kosoves se situata ka eskaluar në një konfrontim fizik, me zyrtarë që tentojnë të shtyjnë Presidenten. Kjo shkelje e rëndë e normave diplomatike është një shkelje e fortë e parimeve të përshkruara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.
Padiskutim që ky incident përbën një shkelje të rëndë të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, e cila urdhëron paprekshmërinë e agjentëve diplomatikë dhe sendeve të tyre. Konventa, një gur themeli i së drejtës diplomatike ndërkombëtare, përcakton qartë se ambientet e një misioni dhe personat e agjentëve diplomatikë duhet të mbrohen nga ndërhyrja ose dëmtimi. Veprimet e ndërmarra ndaj presidentes Osmani paraqesin shpërfillje flagrante të këtyre normave të vendosura.
Por a ishte incidenti në Aeroportin e Shkupit një pakujdesi apo provokim?
Me të drejtë, një incident i tillë në Aeroportin e Shkupit ka shkaktuar një furi reagimesh dhe spekulimesh lidhur me natyrën e tij. Në një ambient të ndjeshëm gjeopolitik, siç është Ballkani, të gjitha skenarët, qoftë pakujdesi, provokim apo ndonjë faktor tjetër, janë të mundshme.
Pakujdesi e Stafit? Çdo aeroport ka rregulla dhe procedura të sigurisë që duhet të ndiqen, dhe ndonjëherë stafi mund të ndjekë protokolle standarde pa marrë parasysh statusin diplomatik të individëve. Në këtë rast, mund të ketë ndodhur një keqkuptim ose një ndjekje të ngurtë të protokolleve standarde që nuk kanë marrë parasysh statusin e Presidentes Osmani. Pala maqedonase ka insistuar se incidenti ishte një keqkuptim dhe po hetohet për të sqaruar rrethanat.
Nga ana tjetër, akuzat dhe kritikat për një provokim të mundshëm ndaj Kosovës janë ngritur, veçanërisht nga partitë shqiptare në opozitë në Maqedoninë e Veriut. Aleanca për Shqiptarët, krahu i Selës, ka dënuar ashpër incidentin, duke e cilësuar si një provokim të rëndë ndaj Kosovës. Ata kërkojnë që autoritetet kompetente të hetojnë dhe sanksionojnë të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë incident, duke theksuar se ky veprim shkel protokollet dhe konventat ndërkombëtare.
“Qeveria e VMRO-së, përmes vasalëve të VLEN, duke mos u mjaftuar me degradimin që u kanë bërë shqiptarëve në RMV, tani tentojnë të ofendojnë edhe Kosovën dhe Presidenten e saj,” thuhet në deklaratën e ASh-së.
Megjithatë, këto akuzat kërkojnë prova të forta për të mbështetur pretendimet e provokimit të qëllimshëm. Nga ana tjetër, në mënyrë që të mos të lihet vend për asnjë hamendësim, është e rëndësishme që hetimet të ofrojnë një pasqyrë të qartë dhe të plotë për të sqaruar natyrën e incidentit.
Ndërsa Kosova ka kërkuar sqarime dhe ka ngritur shqetësime mbi shkeljen e rregullave diplomatike, autoritetet maqedonase theksojnë se po hetojnë rastin dhe po përpiqen të adresojnë situatën
“Presidenca e Republikës së Kosovës shprehë indinjatën për deklarimet e papranueshme të MPB të Maqedonisë së Veriut si dhe për propagandën që po zhvillohet kundër Republikës së Kosovës në disa media të Maqedonisë së Veriut sa i përket incidentit të paprecedentë kundër presidentes Osmani dje në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit”, thuhet në një reagim të Presidencës së Kosovës.
Sipas Presidencës, në vend të kërkimfaljes, dje dhe sot MPB e Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të Presidentes së Republikës së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale.
Në reagim theksohet se presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë.
Siç shkruhet në këtë reagim, edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontrollë të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike.
Ndërsa Ministria e Jashtme ka vepruar duke dërguar notë proteste RMV-së për incidentin me Osmanin
Ministrja e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka njoftuar se i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut duke i kërkuar sqarime sa më të shpejta dhe të plota për incidentin në Aeroportin e Shkupit në të cilin u përfshi presidentja Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit të Ministrisë, presidentja Osmani është përballur me trajtim të papërshtatshëm dhe të kundërligjshëm nga sigurimi i Aeroportit të Shkupit.
“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, sipas njoftimit, e ka takuar menjëherë mbrëmjen e djeshme pas incidentit ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë dhe po ashtu edhe sot, “duke kërkuar sqarime në lidhje me rastin”.
“Gjithashtu, Ministrja Gërvalla ka realizuar sot një takim në MPJ me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, me të cilin kanë diskutuar rreth incidentit në fjalë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të shpejta institucionale. Në kuadër të veprimeve të ndërmarra, Ministrja Gërvalla ka pranuar sot pasdite edhe një telefonatë nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm”, thuhet në njoftim.
Një incident që ka implikime gjeopolitike
Incidenti në Aeroportin e Shkupit është më shumë se një ngjarje e izoluar dhe ka potencialin për të shkaktuar një zinxhir reagimesh që ndikon në stabilitetin dhe dinamiken e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Koha dhe natyra e incidentit bën të mendosh për një motiv të mundshëm gjeopolitik. Kjo dhe për faktin se në Maqedoninë Veriut kohët e fundit kemi parë një rritje të subjekteve politike me lidhje me interesat serbe të lidhura me Kremlinin. Kjo ngre mundësinë që konfrontimi të mos ishte thjesht një gabim protokolli, por pjesë e një strategjie më të gjerë për të destabilizuar Kosovën duke tronditur marrëdhëniet e saj me Maqedoninë e Veriut.
Në këtë këndvështrim është absolutisht e mundur që palët e treta të interesuara të kenë një ndikim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe të kontribuojnë në përkeqësimin e tyre. Ndaj përballë këtyre skenarëve, për të ruajtur stabilitetin në rajon, është e rëndësishme që të dy vendet të përpiqen për transparencë duke mos i lënë vend asnjë spekullimi. Dhe për këtë, duhet një hetim serioz dhe i menjëhershëm për të vënë pikat “mbi i” të këtij incidenti.
Sigurisht për të ulur këto tensione në rritje, të cilat furnizohen nga analistë, gazetarë, apo nga interesat e vogla politike, që gishtin drejtojnë te njeri-tjetri, duhet edhe një reagim nga ndërkombëtarët në mënyrë që nesër mos të ndodhin më veprime të tilla. Pasi në këtë situatë të brishtë në rajon, mund të inkurajojë shtetet e tjera që të përdorin taktika të ngjashme agresive, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për diplomacinë ndërkombëtare.
Reagimi i dëmshëm i BDI-së
Në kontekstin e incidentit të fundit në Aeroportin e Shkupit, partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut po përpiqen të përfitojnë politikisht nga kjo ngjarje. Në 24 orët e fundit, pas publikimit të incidentit, kemi parë një rritje të tensioneve dhe kritikave ndaj qeverisë se re në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht ndaj koalicionit “Vlen”.
Për fat të keq, ato po akuzojnë qeverinë dhe partitë shqiptare që janë pjesë e saj për përfshirjen në një komplot kundër Kosovës. Këto deklarata, shpesh të mbushura me tone nacionaliste, përçarese, përpiqen të shfrytëzojnë situatën për qëllime partiake dhe aspak për të mbrojtur marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Situata është padyshim delikate, por një shtetar i përgjegjshëm, qoftë në opozitë apo në pushtet, siç është Ali Ahmeti dhe BDI pas 22 vjetësh, duhet të peshojë mirë deklaratat e tij, veçanërisht kur ato kanë ndikim mbi marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve në Maqedoni dhe në Kosovë.
Përfitimi nga tensionet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nuk kontribuon në rritjen e profilit politik të BDI-së ose të liderëve të saj, si Ali Ahmeti dhe Artan Grubi. Votat nga shqiptarët në RMV tashmë e kanë reflektuar këtë fakt. Por së paku të mos cënojnë marrëdhëniet diplomatike mes Shkupit zyrtar dhe Prishtinës zyrtare.
Rritja e toneve nacionaliste nuk bën gjë tjetër veçse çon “ujë në mullirin” e atyre vendeve që nuk janë dashamirëse me Kosovën dhe çdo situatë tentojnë ta përdorin kundër saj.
Ndaj duke i dhënë gjithë rëndësinë dhe peshën që meriton ky incident, duhet njëkohësisht të jemi më të përgjegjshëm që çdo përdorim politik i incidentit të bëhet në një mënyrë që kontribuon në zgjidhjen e problemit dhe që ndihmon në ruajtjen e stabilitetit dhe bashkëpunimit, në vend që të rrisë më shumë tensionet dhe përçarjet.
Asnjë akuzë spekulim, dizinformacion, apo çdo teori tjetër konspirative, nuk mund të prevaloje më shumë se sa faktet dhe hetimi serioz i këtij incidenti. Le ti lëmë institucionet të flasin.
Para se gjithash, është e rëndësishme që të mos cënohet marrëdhënia diplomatike mes Shkupit zyrtar dhe Prishtinës zyrtare. Krijimi i narrativave të forta nacionaliste vetëm sa përkeqëson situatën dhe e ndihmon ata që nuk janë miqësorë ndaj Kosovës, të përdorin çdo mundësi për ta dëmtuar atë.
Mos të harrojmë se sot Kosova ndodhet në një nga situatat më të brishta që nga shpallja e pavarësisë, dhe çdo përpjekje për të përdorur këtë incident për qëllime politike vetëm sa dëmton marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe stabilitetin rajonal.
© 2024 Argumentum