Presidenti i Republikës Ilir Meta, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-presidentit grek Karolos Papulias.
Meta shprehet se Papulias ka luajtur një rol historik në përmirësimin e marrëdhënieve dhe forcimin e fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
“Mësova me trishtim ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Republikës së Greqisë, Karolos Papulias. Vlerësim të madh për rolin historik dhe kontributin e Tij të çmuar në përmirësimin e marrëdhënieve dhe forcimin e fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe për frymën konstruktive dhe vullnetin e sinqertë të dëshmuar për rivendosjen e urave dhe frymës së bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy popujve tanë”, theksoi Meta.
“Për mua do të mbeten të paharruara takimet me të dhe sidomos respekti dhe përzemërsia e Tij ndaj popullit shqiptar dhe Shqipërisë. Ngushëllime familjes, autoriteteve dhe kombit grek për humbjen e këtij personaliteti të madh, që kontribuoi në rivendosjen e demokracisë dhe progresin e vendit të Tij”, shprehet në mesazhin e ngushëllimit Meta.