Nga Lindja e Mesme në Evropë, nga Amerika në Azi, bota mban zi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare në rezidencën e tij në Vatikan. Mesazhet e ngushëllimit dhe nderimit kanë vërshuar nga liderë të të gjitha feve, kombeve dhe ideologjive, duke dëshmuar se figura e Papës ishte universale — një udhëheqës shpirtëror që ndërtoi ura, jo mure.
Bota Arabe: Një zë paqeje dhe dhembshurie
Presidenti egjiptian Abdel Fattah El-Sisi e cilësoi atë si “një zë paqeje, dashurie dhe dhembshurie”, ndërsa Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed, shprehu ngushëllimet më të thella për të gjithë katolikët, duke e vlerësuar si një kampion të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit.
Udhëheqësit në mbarë botën arabe nderuan sot papa Françeskun, i cili vdiq në moshën 88-vjeçare në rezidencën e tij në Vatikan, me presidentin egjiptian, Abdel Fattah El-Sisi duke e përshkruar atë si “një zë paqeje, dashurie dhe dhembshurie”.
Sheikh Mohamed bin Zayed, president i Emirateve të Bashkuara Arabe, shprehu “ngushëllimet e tij më të thella për katolikët në mbarë botën”.
Françesku “ia kushtoi jetën e tij promovimit të parimeve të bashkëjetesës paqësore dhe mirëkuptimit,” shkroi ai në X.
“U prehtë në paqe”, shtoi ai.
Presidenti i krishterë i Libanit, Joseph Aoun e përshkroi vdekjen e Papës si “një humbje për të gjithë njerëzimin, sepse ai ishte një zë i fuqishëm për drejtësinë dhe paqen”.
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas tha se Papa ishte një “mik besnik i popullit palestinez”, sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA.
Mbreti i Jordanisë, Abdullah II tha “ngushëllimet më të thella për vëllezërit dhe motrat tona të krishterë në mbarë botën. Papa Françesku u admirua nga të gjithë si Papa i Popullit. Ai i bashkoi njerëzit, duke udhëhequr me mirësi, përulësi dhe dhembshuri. Trashëgimia e tij do të jetojë në veprat dhe mësimet e tij të mira.”
Këshilli i Pleqësisë Myslimane, i kryesuar nga Imami i Madh i Egjiptit, Ahmed Al-Tayyeb, tha se Françesku “ia kushtoi jetën e tij shërbimit të njerëzimit dhe avancimit të vlerave të dialogut, tolerancës, bashkëjetesës, paqes dhe vëllazërisë njerëzore, ndërsa ai gjithashtu mbështeti pa u lodhur të pambrojturit, nevojtarët, refugjatët dhe të zhvendosurit”.
Ai u bë “një figurë historike fetare, trashëgimia e qëndrueshme humanitare e së cilës do të frymëzojë brezat e ardhshëm”, tha grupi në një deklaratë në X.
Në mënyrë të rrallë, edhe grupe si Hezbollah dhe Hamas shprehën nderimin e tyre: i pari e quajti “besimtar në paqe”, ndërsa i dyti theksoi rolin e tij në “promovimin e dialogut ndërfetar dhe refuzimin e urrejtjes”.
Lëvizja pro iraniane e Hezbollahut në Liban e përshkroi Papën si “një besimtar në paqe, një zë kundër luftës”, i cili “punoi me besim të thellë për të mbjellë vlerat e dashurisë, tolerancës dhe ndërtimit të urës midis feve, qytetërimeve dhe popujve në ndjekje të dialogut, mirëkuptimit dhe drejtësisë”.
Grupi ekstremist palestinez Hamas tha se Françesku “kishte pozicione të njohura në promovimin e dialogut ndërfetar, duke bërë thirrje për mirëkuptim dhe paqe midis kombeve dhe duke hedhur poshtë urrejtjen dhe racizmin”.
Charles III: Thellësisht i pikëlluar nga vdekja e papa Françeskut
Mbreti Charles III tha sot se ishte “thellësisht i pikëlluar” nga vdekja e papa Françeskut, i cili i shërbeu botës me “përkushtim gjatë gjithë jetës së tij”.
Charles tha, megjithatë, se “zemra e tij e rëndë” ishte “disi e lehtësuar” që papa ishte në gjendje dje “të ndante një mesazh të Pashkëve me Kishën dhe botën së cilës i shërbeu me përkushtim gjatë gjithë jetës së tij”.
Mbreti Charles, i cili është gjithashtu kreu i Kishës së Anglisë, shtoi se ishte “shumë me fat” që mundi ta vizitonte Françeskun në Vatikan më 9 prill.
Evropa: Një dritë shprese për kontinentin
Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, dhe përfaqësues të BE-së si Kaja Kallas dhe Roberta Metsola, vlerësuan trashëgiminë e Papës si një frymëzim për paqen, drejtësinë sociale dhe mbrojtjen e të dobtëve.
Presidenti francez Emmanuel Macron shpreh “ngushëllime për katolikët në mbarë botën”.
“Ngushëllimet e mia më të thella për katolikët e Spanjës dhe në mbarë botën për vdekjen e Shenjtërisë së Tij papa Françeskut”, tha ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, në emër të qeverisë spanjolle në një postim në rrjetet sociale X.
Albares kujtoi se Françesku ishte “një njeri i paqes dhe i dialogut mes kulturave dhe feve”.
“Pusho në paqe”, përfundon ai.
“Papa Françesku i ndjerë ishte një njeri me besim të pamasë dhe mëshirë të madhe, i cili ia kushtoi jetën e tij avancimit të të varfërve të botës dhe thirrjes për paqe në një kohë komplekse dhe të trazuar”, shkroi presidenti izraelit Isaac Herzog në X.
Irani, një vend mysliman që mban marrëdhënie të mira me Vatikanin, shprehu ngushëllimet e tij të hënën pas vdekjes së papa Françeskut, kreut të Kishës Katolike, në moshën 88-vjeçare.
“Kolegët e mi sapo më thanë lajmin (…), u shpreh ngushëllimet e mia të gjithë të krishterëve në mbarë botën”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai në një konferencë shtypi.
Kancelari në pritje i Gjermanisë, Friedrich Merz tha se Oapa Françesku do të mbahet mend për “përkushtimin e tij të palodhur ndaj më të dobëtve në shoqëri”.
“Vdekja e Papa Françeskut më mbush me trishtim të madh”, shkroi Merz në X.
Amerika: Një simbol i besimit dhe barazisë
Presidenti Donald Trump ndau ngushëllimet e tij në një postim në Truth Social: “U prehsh në paqe Papa Françesku! Zoti e bekoftë atë dhe të gjithë ata që e donin!”
Mesazhi shoqërohet me foto të takimit të papës së ndjerë me presidentin Donald Trump dhe zëvendëspresidentin J.D. Vance, kur ky i fundit u prit dje për pak minuta nga Françesku, i cili vdiq në moshën 88-vjeçare mëngjesin e sotëm.
Ish-presidenti Joe Biden, një katolik, ndau mendimet për Papa Françeskun në një postim në X.
“Papa Françesku do të mbahet mend si një nga udhëheqësit më të rëndësishëm të kohës sonë dhe unë jam më mirë që e kam njohur atë”, tha Biden. “Si Papë, ai ishte një pastor i dashur dhe mësues sfidues, i cili iu afrua besimeve të ndryshme. Ai na urdhëroi të luftonim për paqen dhe të mbronim planetin tonë nga një krizë klimatike. Ai mbrojti të pazërit dhe të pafuqishmit.”
Rusia
Presidenti rus, Vladimir Putin nderoi sot papa Françeskun, i cili vdiq në moshën 88-vjeçare, duke e konsideruar atë si një “udhëheqës të mençur” dhe një “mbrojtës të vazhdueshëm të vlerave të larta të humanizmit dhe drejtësisë”.
“Gjatë gjithë pontifikatit të tij, ai kontribuoi në mënyrë aktive në zhvillimin e dialogut midis Kishës Ortodokse Ruse dhe Kishës Katolike Romake, si dhe në ndërveprimin konstruktiv midis Rusisë dhe Selisë së Shenjtë”, shtoi Putin në një telegram ngushëllimi të publikuar në faqen e internetit të Kremlinit.
Ukraina
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri homazhe sot për vdekjen e papa Françeskut, duke përshëndetur njeriun që “u lut për paqen në Ukrainë”, i cili ka tre vjet që lufton kundër pushtimit rus.
“Ai dinte të jepte shpresë, të lehtësonte vuajtjet përmes lutjeve dhe të promovonte unitetin. Ai u lut për paqen në Ukrainë dhe për ukrainasit”, tha ai në X, disa orë pas njoftimit të vdekjes.
“Ne jemi të pikëlluar me katolikët dhe të gjithë të krishterët”, vazhdoi ai.
Shqipëria dhe Rajoni
Ndarja nga jeta e Papa Franceskut solli reagime të shumta nga autoritetet shtetërore dhe ato politike në Tiranë që vlerësuan përkushtimin dhe dhembshurinë e tij por edhe lidhjen me Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama mbajti një minutë heshtje në nderim të Papa Françeskut që ndërroi jetë këtë të hënë në moshën 88-vjeçare. Kryeministri po mbante një takim me gratë dhe vajzat në Kavajë, teksa ndërpreu fjalën pasi mori vesh lajmin e ndarjes nga jeta të Papës.
Kreu i qeverisë vlerësoi raportin personal me Françeskun, ndërsa kujtoi edhe vizitën e tij të parë si Papë, të cilën zgjodhi ta bënte në Shqipëri në 21 Shtator të vitit 2014.
“Më vjen keq se më erdhi një mesazh këtu, ka ndërruar jetë ati i shenjtë Papa Françesku, një njeri i jashtëzakonshëm. Unë kam pasur raport personal me të dhe më çonte vazhdimisht mesazhe me Arqipeshkvin dhe më vjen jashtëzakonisht keq. Ai zgjodhi ta vizitonte Shqipërinë, të parin vend jashtë Vatikanit që vizitoi pasi u zgjodh Papë. Pas një takimi që patëm, në Shqipëri kaloi një ditë që ai vetë e konsideronte të paharrueshme. Tha edhe atë fjalën e paharrueshme që Shqipëria nuk ka harmoni fetare, por vëllazëri fetare. Ishte një Papë ndryshe nga të tjerët dhe besoj se kam mirëkuptimin tuaj që ta nderojmë me një minutë heshtje dhe ta mbyllim këtu takimin.”, tha Rama.
Begaj: U ngjit në qiell për të çuar atë që la trashëgimi në tokë
Presidenti Bajram Begaj në mesazhine tij në rrjetet sociale u shpreh se “Shenjtëria e tij, Papa Frençesku, sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë, dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje”.
“Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!”, u shpreh Begaj.
Spiropali: Shqipëria dhe shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e madhe të Papa Françeskut
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në mesazhin për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, theksoi se “përfundoi rrugëtimi tokësor i Papa Françeskut”.
“Jeta e këtij dishepulli të Jezu Krishtit, iu kushtua shërbimit të Zotit, të Kishës, besimtarëve, njerëzve, bashkëjetesës dhe drejtësisë shoqërore”, tha Spiropali ndërsa vlerësoi se Ati i Shenjtë ishte mbrojtës i fuqishëm i më të varfërve, më të dobtëve dhe më të margjinalizuarve, të cilëve u kushtoi gjithë jetën dhe dashurinë e Tij.
“Shqipëria dhe shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e madhe të Papa Françeskut, të cilën e shfaqi edhe gjatë vizitës në vendin tonë, në 21 shtator 2014, vizita e Tij e parë në një vend europian nga fillimi i Papnisë”, nënvizoi Spiropali.
“Takimi me Atin e Shenjtë në tetor të vitit 2024 do të mbetet ndër kujtimet më të bukura të jetës sime. U Prehtë në Paqen e Zotit!”, shkruan Spiropali ndërsa risolli edhe disa foto nga ky takim.
Në Shqipëri, Papa Françesku ka lënë një ndikim të thellë, veçanërisht në promovimin e bashkëjetesës paqësore mes grupeve fetare. Angazhimi i tij për dialog dhe harmoni ndërfetar ka qenë i dukshëm në takimet e tij me liderë ortodoksë dhe myslimanë, duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha në një mesazh në platformën X se Papa Françesku ishte “një zë i dhembshurisë, përulësisë dhe drejtësisë në kohën tonë”.
“Trashëgimia e tij do të jetojë në jetët e panumërta që ai preku. Ne qëndrojmë me të gjithë ata që përcjellin mesazhin e tij të qëndrueshëm të shpresës, paqes dhe dinjitetit njerëzor”, tha Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “në këtë të hënë të pashkëve, një ditë shprese dhe ripërtëritjeje për të krishterët në mbarë botën, ne vajtojmë vdekjen e shenjtërisë së tij Papa Françeskut”.
“Trashëgimia e tij e përulësisë, drejtësisë dhe dhembshurisë do të vazhdojë. Në emër të popullit të Kosovës, shpreh ngushëllimet tona më të thella. U prehtë në paqe”, shkroi Kurti në X.
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar tha se “zëri i tij për paqe dhe drejtësi frymëzoi miliona njerëz”.
“Fakti që ai ndërroi jetë të hënën e Pashkëve vetëm sa e thellon simbolikën e trashëgimisë së tij – një jetë kushtuar shpresës dhe ripërtëritjes”, tha ajo.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se “me pikëllim të madh mora lajmin për vdekjen e Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut. “Bota ka humbur një udhëheqës shpirtëror të jashtëzakonshëm që përhapi dashurinë, paqen dhe solidaritetin përmes veprës së tij apostolike”, tha Vuçiq.
“Papa Françesku ishte një lajmëtar i shpresës dhe i pajtimit, gjithmonë në shërbim të më të pambrojturve. Humbja e tij është një pikëllim për të gjithë ne”, tha ai.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq tha se “fryma e tij e paqes, e mençurisë dhe e përkushtimit të thellë ndaj dialogut dhe humanizmit më lanë një përshtypje të fortë”.
Lamtumira e fundit
Papa Françesku do të varroset në Bazilikën e Shën Marisë Madhe në Romë, sipas dëshirës së tij, në një varr të thjeshtë, duke reflektuar jetën e tij të përvujtë dhe të përkushtuar ndaj shërbimit të të tjerëve.
Lamtumira e Papa Françeskut është një humbje e madhe për botën, por trashëgimia e tij e paqes, dashurisë dhe drejtësisë do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.
Papa Françesku nuk ishte thjesht një lider fetar. Ai ishte një fener për njerëzimin. Në një botë të ndarë nga konflikte, ai diti të flasë për paqe. Në një epokë mosbesimi, ai predikoi shpresën. Në një kohë pabarazie, ai jetoi thjesht, duke treguar se fuqia më e madhe është dashuria.
U prehsh në paqe, Papa i Popullit!
© 2025 Argumentum