Dušan Reljić, ekspert i Çështjeve të BE dhe Ballkanit, dhe shefi i Zyres se Brukselit të Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, në një intervistë për Politiko.al thotë se “Perëndimi nuk është gati për ta njohur magnitudën e krizës politike dhe socio-ekonomike në Shqipëri dhe rajon”.
Mos prisni nga të huajt, por ngrijeni zërin vetë nëse ndërkombëtarët favorizojnë qeverinë në kurriz të demokracisë, porosit Dušan Reljić, ekspert i Çështjeve të BE dhe Ballkanit në një intervistë për Politiko.al. Ai e pranon se ndërkombëtarët, principalisht, duhet të punojnë me qeveritë, pavarësisht se sa të manipuluara kanë qenë zgjedhjet në një vend. Në fund, Reljić thotë se Europa nuk është gati për të njohur magnitudën e krizës në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit.
Dušan Reljić është shefi i Zyrës së Brukselit i SWP (Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë). Ai ka punuar për 10 vjet si kërkues i lartë në Departamentin e Kërkimeve të SWP për Marrdhëniet e Jashtme të BE.
Politiko.al: Z. Reljić, sipas mendimit tuaj, çfarë po ndodh me ‘Procesin e Berlinit’; një nismë e kryesuar nga zonja Merkel, e cila i pat rritur shpresat në Ballkan, por tani duket sikur Gjermania nuk është më e interesuar?
Dušan Reljić: Takimi tjetër në kornizën e ‘Procesit të Berlinit’ do të mbahet në Poznan të Polonisë në verë. Qëndrimi i Gjermanisë është se, ky proces do të vazhdojë për sa kohë vendet e të ashtuquajturit Ballkani perëndimor e shohin të nevojshme. Megjithatë, kancelarja gjermane Merkel ka thënë gjithashtu se, nuk beson në data të përcaktuara, si për shembull antarësia e Serbisë dhe Malit të zi në vitin 2025. Përveç kësaj, presidenti francez Makron këmbëgul se BE ka nevojë për integrim, veçanërisht në rast se Britania del nga Unioni, para se të zgjerohet edhe më tej.
Përshtypja ime është se, më shumë se kurrë, vendet e Europës juglindore, të cilat synojnë antarësimin në BE, duhet të konsolidojnë performancën ekonomike dhe politike, posaçërisht sundimin e ligjit dhe kulturën politike, nëse duan ta forcojnë synimin e tyre për antarësim. Presioni për ta vazhduar procesin e zgjerimit të BE duhet të vijë, më së pari dhe kryesisht, prej tyre.
Politiko.al: A mendoni se, mungesa e vëmendjes nga Gjermania i ka bërë vendet e Ballkanit më pak demokratike, në mos më shumë autokratike? Më lejoni të përmend situatat në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi, ku partitë politike dhe shoqëria civile po protestojnë prej muajsh për shkaqet e përmendura më lart?
Dušan Reljić: Qartësisht, monitorimi i jashtëm i zhvillimeve politike dhe mbështetja për demokracinë në rajon mbeten të nevojshëm. Megjithatë, konsolidimi i shoqërive dhe sistemeve politike në Europën juglindore duhet të vijë së pari nga brenda këtyre vendeve. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ka një rritje më të shpejtë socio-ekonomike, perspektiva më të mira jete për brezat e rinj, një ndreqje e pabarazive në pasuri dhe në të ardhura, që kapën majat në dekadat e fundit, dhe një sjellje shumë më e përgjegjshme e klasës politike. Veçanërisht brezat e rinj duket qartë se kanë humbur shpresën se kjo mund të ndodhë gjatë jetës së tyre, kështuqë ka pakënaqësi masive dhe migrime masive nga rajoni drejt vendeve të BE. Kjo e zbeh dukshëm potencialin demokratik të rajonit. Përshtypja ime është se Perëndimi nuk është ende gati për të njohur/dalluar magnitudën e krizës socio-ekonomike dhe politike në Europën Juglindore.
Politiko.al: Analistët politikë në Shqipëri vërejnë se, gjithnjë e më shumë, BE e ka fokusin te promovimi i stabilitetit në kurriz të demokracisë. Cili është mendimi juaj?
Dušan Reljić: BE, dhe të gjithë faktorët e jashtëm, nuk kanë zgjidhje, por të punojnë, principalisht, me aktorët e brendshëm politikë që kanë fituar zgjedhjet dhe institucionet që ata qeverisin, pavarësisht se sa të manipuluara mund të kenë qenë zgjedhjet. Askush nuk ka përgjegjësi më të madhe për gjendjen e të drejtave të njeriut, cilësinë e qeverisjes dhe të gjitha çështjet e tjera politike dhe ekonomike se sa qeveritë dhe liderët politikë. Nëse opozita dhe shoqëria civile në Europën juglindore kanë ndjesinë se faktorët e jashtëm, janë shumë lëshues në favor të qeverive, ata duhet ta thonë këtë, drejtpërdrejt dhe me të madhe. “Të huajt” nuk do ta bëjnë këtë për ta.