Realpolitik “ Flash” No. 52
17 – 31 GUSHT 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik,
Dr. JORGJI KOTE
1.Ndërmjetësues apo zjarrfikës? Kjo është pyetja që lind pas dakordësisë Beograd – Prishtinë për lëvizjen e shtetasve të tyre me dokumentat përkatëse më 27 Gusht. Një hap i mirë, por me shumë vonesë, falë këmbënguljes së qeverisë Kurti dhe “ec e jakeve“ pa fund të ndërmjetësuesve të BE-së dhe SHBA-ve. Gjithsesi, nuk ka marrëveshje të re; bëhet fjalë vetëm për zbatimin e asaj të vitit 2011. E shtyrë për mungesë vullneti politik nga pala serbe. Ndaj dhe entusiazmi i metropoleve duket i egzagjeruar. Ca më tepër kur kemi parasysh çështjen e pazgjidhur të targave dhe, sidomos dështimin e dialogut të nivelit të lartë në Bruksel më 18 Gusht. Kësisoj, ky kompromis thjesht shmangu shpërthimin e një konflikti të ri të dhunshëm më 1 Shtator, ku ndërmjetësuesit ndërkombëtarë u treguan ”zjarrfikës” efektivë. Mirëpo problemi shtrohet nëse ata janë ndërmjetësues apo zjarrfikësa!!
Editoriali ” Dialogu Prishtinë – Beograd në udhëkryq” e ka trajtuar në mënyrë shteruese këtë aspekt. Ndaj, po e mbyllim këtu me paragrafin e tij të fundit ” që dialogu të përparojë, pik së pari, i do venë ” kufiri te thana” Serbisë, me afate konkrete dhe të shpejta! Së dyti, Beogradi të mbledhë mendjen nëse do të ecë në trasenë Europiane apo Euro- Aziatike, më mirë le ta thotë tani se kur të jetë vonë! Së treti, boll me vizione dhe deklarata, kërkohet mendim, vendim, veprim dhe vendosmëri politike!
2. I duam vërtet negociatat apo…? Pas bujës, shampanjës dhe fishekzjarreve në Tiranë, mezi po pritet fillimi i vërtetë i negociatave të antarësimit në BE. Një sfidë herkuliane, kalvar i mundimshëm që askush nuk e di sa do të zgjasë. Mirëpo, problemi është se pala shqiptare mund të shkojë në Bruksel në shtator si debitore me borxhe të këqia ligjore. Mjafton të përmendim tri projekt-ligje për amnistinë fiskale, legalizimin e kanabisit dhe dhënien e pasaportave të arta për të huajt. Të tria kanë hasur në kundërshtimin e ashpër të shumë subjekteve ekonomike dhe tregtare vendase dhe të huaja, Dhomave të Tregtisë amerikane, gjermane e turke, grupeve të interesit, dhe sidomos të BE-së. Kjo e fundit e ka shprehur hapur kundërshtimin e saj në Rezolutën e Parlamentit dhe në Raportin e Komisionit Europian vitin e kaluar. Më 30 Gusht, zëdhënësja e tij, Pisonero theksoi qartë dhe pa mëdyshje se vendimi për pasaportat e arta rrezikon të nxisë krimin e organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal, ekonominë informale si dhe sigurinë e qytetarëve vendas dhe atyre të BE-së. Për fat të keq, deri tani këto paralajmërime dhe kundërshtime institucionale “kanë rënë në vesh të shurdhët“. Qeveria vazhdon avazin e saj, duke u treguar mospërfillëse dhe ndaj vetë Komisionit Europian, të cilin Rama dikur e ka ngritur në qiell për ekspertizën e tij brilante! Atëhere, çfarë vlere kanë pseudoargumentat e disa ekspertëve të kapur qeveritarë? Përse është aq e vështirë të veprohet sipas këshillave të BE-së, kur nuk kemi “lënë gur pa lëvizur“ për t’iu afruar asaj? Përse duhen gjithë ato drejtori nëpër dikastere dhe në Kuvend që punojnë me zell për përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së? Po negociatorët tanë çdo t’u thonë homologëve të tyre në Bruksel në shtator?
3.Aguridhe dhe karavidhe politike! I tillë cilësohet Kryeministri në largim i Malit të Zi Dritan Abazoviç. Ndonëse në krye të një koalicioni qeveritar pakice, tejet fraxhil dhe në mëshirën e PS të Presidentit Gjukanoviç, gjatë 115 ditëve të qeverisjes Abazovic u soll sikur të kishte 2/3 e votave parlamentare. Ndonëse detyrat e tij ishin integrimi Europian, përgatitja për zgjedhjet e reja të parakohshme dhe një qeveri funksionale, ai u muar me çështje që janë vërtet ” bomba me sahat” ! Mbështeti me mendjen e vet ” Ballkanin e Hapur” kundër shumicës dhe ca më keq akoma, nënshkroi marrëveshjen themelore me Kishën serbe, duke prekur e cënuar dy ” patate të nxehta” të politikës malazeze; themi kështu se ato kërkonin konsensus të plotë politik. Dhe prapë Abazovic shpresonte me naivitet të paparë t’i mbijetonte votës së mosbesimit!. Ndaj, ai është mishërues i keq i naivitetit, papjekurisë dhe foshnjërisë politike! Sa për Kosovën, ai pothuajse nuk deshi t’ia dinte fare. Dhe siç ndodh në të tilla raste, atë e hodhën në kosh si karavidhe të gjithë ata që fillimisht e përshëndetën, se tani nuk u hyn në punë për asgjë!.
4.Erdogan në Kiev ku më 18 Gusht u mirëprit nga homologu Zelenski. Dihet tashmë roli i Turqisë në këtë konflikt, ndonëse fillimisht ndërmjetësimi i saj shihej i vështirë/ pamundur për shkak të ” konfiktit të interesit” me të dyja palët ndërluftuese. Mirëpo Erdogan ia doli mbanë në Moskë dhe në Kiev. Ky është sukses tjetër i madh diplomatik i tij pas ndërmjetësimit me OKB-në, Rusinë dhe Ukrainën për mundësimin e transportit të grurit. Erdogan ka shumë nevojë për një bonus të tillë gjeopolitik, mbasi në Turqi ai është pothuajse pa asnjë shans; me ekonomi në rënie, inflacion në stratosferë dhe pakënaqësi në rritje. Ndërsa në Qershor 2023 Turqia do të ketë zgjedhjet presidenciale, ku pozitat e Erdogan janë tejet të lëkundura, përballë popullaritetit në rritje të opozitës së bashkuar turke.
Në këto rrethana, Erdogan po përpiqet ta “luajë topin jashtë zonës së rreptësisë” me qëllim që të zbusë efektet e brendshme, të rrisë profilin dfhe staturën ndërkombëtare, si shpëtues, ndërmjetësues dhe njeri i paqes. Duke lënë në hije dhe shkeljen e standardeve demokratike, ku Perëndimi është i detyruar ” të bëjë një sy qorr dhe një vesh shurdh” Problemi tani është që Erdogan ”ta luajë mirë topin deri në fund”, që të mos ”pësojë ndonjë autogol”. Gjithsesi, përvoja 20 vjeçare në krye të Partisë, qeverisë dhe të shtetit e avantazhon ndjeshëm në këtë fushë.
5. 50 holokaustet që Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas përmendi në vizitën e tij më 18 Gusht në Berlin, gjatë Konferencës së shtypit me Kancelarin Scholz shkaktuan tërmet në politikën gjermane, europiane dhe izraelite. Abbas deklaroi se nga viti 1947, Izraeli ka kryer 50 masakra dhe holokauste në 50 qytete palestineze…..!“ Kjo deklaratë u dënua nga gjithë klasa politike gjermane dhe nga vetë Scholz. Madje, policia berlineze më 19 Gusht hapi padi penale ndaj tij për ”nxitje të urrejtjes”. Mirëpo imuniteti si Kryetar Shteti e mbron Abbas. Pa dyshim që pohime të tilla nuk i shërbejnë paqes, afrimit dhe mirëkuptimit midis Izraelit dhe Palestinës, por vetëm sa i ” shtojnë benzinën zjarrit”.
© 2022 Argumentum