“Sepse nuk mundet dot të thuash se unë jam një punëtor, më morën dhe nuk di ça bëj, se është njësoj si të thuash se unë jam një punëtor, më morën të mbillja bar, unë kujtoja se po mbillja bar, por në fakt po mbillja kanabis. Apo më morën të transportoja miell, unë kujtoja se transportoja miell, në fakt ishte kokainë. Pra është e njëjta gjë dhe të gjithë do të ndalohen dhe do të penalizohen”, tha Rama.
Kryeministri tha se kjo është pasuria më e madhe që Zoti i ka dhënë këtij vendi. “Ka ndodhur çfarë ka ndodhur, janë bërë çfarë janë bërë në të shkuarën, ne nuk mund të lëmë që për arsye të situatave të komplikuara si tërmeti, pandemia etj, të bubrrojë përsëri nën vështrimin indiferent të disa strukturave dhe punonjësve edhe të Policisë, që e kanë për detyrë. Ky është aktivitet i paligjshëm. Është e pamundur, e pajustifikueshme, e patolerueshme dhe SHÇBA do t’i shkoj deri në fund kësaj pune”, tha Rama.
Ai u bëri thirrje njëkohësisht edhe punonjësve të Policisë që të jenë qartësisht të mirëinformuar se njësoj si lufta me krimin në rrugë, njësoj si lufta me kultivimin e lëndëve narkotike edhe kjo ka një hartë, ka një përgjegjësi.
“Nëse në zonën tënde të përgjegjësisë ndodh një ndërtim pa leje je ti përgjegjës, se këtu nuk bëhet fjalë për një aktivitet të shpejt, por bëhet fjalë për struktura që ngrihen, për beton që hidhet, për gur që hidhen në det. Dhe kjo do të thotë që ti je bashkëpërgjegjës dhe bashkëfajtor në shumë raste. Kështu që për të gjitha këto arsye dëshiroj nga sot këtu të jap një mesazh shumë të qartë për të gjithë cënuesit e kësaj pasurie: tërhiquni tani, përfitoni nga këto ditë për të filluar të hiqni atë që keni bërë. Me një kat, me dy kate, me tre kate, me katër kate, në çfarëdolloj situate që të jetë do të shembet, por jo vetëm do të shembet, por do të mbani dhe pasojat”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se ligji detyron ata që ndërtojnë pa leje të pastrojnë.
“Gjithnjë është lënë pas dore, natyrisht që ne nuk do t’i lëmë grumbullimet e inerteve aty, por ama kush nuk do të pastrojë vetë do të paguaj rëndë, edhe për koston e pastrimit, dhe shpenzimin e madh të energjive nga strukturat e shtetit”, tha Rama.