Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk do të shkojë as këtë vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e ceremonisë së Lutjeve të Mëngjesit.
Kjo pasi Ambasada e SHBA-ve i ka refuzuar vizën atij për shkak të vendimit për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.
Ndërkaq, probleme me vizën Haradinaj kishte pasur edhe vitin e kaluar për shkak të qëndrimeve për demarkacionin me Malin e Zi.
Madje, bëhet me dije se askush nga AAK-ja nuk do të marrë pjesë në organizimin e parvjetshëm “Lutjet e Mëngjesit” që mbahet çdo vit në Amerikë.
Ceremonia e Lutjeve të Mëngjesit drejtohet nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump që shërben si takim ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga mbi 130 vende të botës.
Ftesë për këtë ceremoni kanë marrë edhe zyrtarë nga Kosova, por i pari i qeverisë, Ramush Haradinaj për shkak që nuk i është lëshuar viza amerikane nuk do të jetë pjesëmarrës.
Ndërsa, ditë më parë Al Jazeera e Ballkanit kishte raportuar se kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është refuzuar viza amerikane për shkak të vendimit për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Për këtë nuk ka komentuar askush nga kabineti i kryeministrit.
Vetë Haradinaj, në konferencën për media një javë më parë, e pranoi se me gjasë nuk do të mund të udhëtojë për në Uashington, për shkak të situatës së krijuar pas vendosjes së taksës.
“Qejf kam pasur, edhe kam. Me këtë klimën me taksën po më duket nuk shkoj kësaj here. Duhet me prit me shku ma vonë”, është shprehur Haradinaj.