Pavarësisht se më 30 korrik ndryshimet kushtetuese janë vendosur të kalohen në parlament pa pasur dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare Ambasadorja e SHBA-ve shprehet se palët duhet të vazhdojnë me mirëbesim procesin dialogues.
Në një deklaratë të shpërndarë në Facebook nga Ambasada Amerikane, theksohet se në diskutimet që Ambasadorja Kim ka pasur me Presidentin Meta, Kryeministrin Rama, Kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe anëtarët e Këshillit Politik janë nënvizuar tre pika:
- Marrëveshja e 5 qershorit, e cila u arrit nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duhet respektuar ashtu si u ra dakord për të.
- Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin.
- Në të njëjtën kohë, edhe pse ata të cilët “dogjën mandatet e tyre”, bazuar në përkufizimin e kësaj, kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament, nuk mund të injorohet fakti se ata, gjithsesi, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të votuesve shqiptarë.
Përfaqësuesja e SHBA-ve kujton se ka lavdëruar marrëveshjen e 5 qershorit, të arritur nëpërmjet bisedimeve ndër-partiake; miratimin në Parlament më 23 korrik të kodit zgjedhor dakordësuar me marrëveshjen e 5 qershorit.
Mirëpo ajo nënvizon se gjithëpërfshirja dhe transparenca me të cilat partitë arritën marrëveshjen e 5 qershorit duhet të jenë norma në marrjen e veprimeve të rëndësishme kombëtare.
Pavarësisht se më 30 korrik ndryshimet kushtetuese janë vendosur të kalohen në parlament pa pasur dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare Ambasadorja e SHBA-ve shprehet se palët duhet të vazhdojnë me mirëbesim procesin dialogues.
“Drejtuesit përkatës kanë deklaruar se çdo veprim i Parlamentit nesër nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Të gjitha partitë duhet të vazhdojnë të përfshihen, në mënyrë që ligjet, të cilat do të miratohen në fund, të jenë rezultat i një procesi transparent dhe përfshirës, në interes të të gjithë popullit shqiptar, dhe që e çojnë vendin përpara në rrugën demokratike – ky është një detyrim që udhëheqësit shqiptarë e kanë përpara popullit shqiptar,” – shprehet në deklaratën për shtyp Ambasada e SHBA-ve.