Ne nuk kërkojmë nga opozita ta mbështesë kryeministrin. Kërkojmë nga opozita të mbështesë rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Kjo është marrëveshja më e mirë që kemi marrë. Kjo është e arsyeshme, mendoj tani për tani dhe duhet të vazhdojmë përpara sa më shpejt të jetë e mundur. Prandaj, shpresoj se të gjitha palët e spektrit politik i mbështesin ndryshimet e nevojshme në mënyrë që të mund të ecim përpara në avancimin e kandidaturës së Maqedonisë së Veriut, thotë zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Eskobari thekson se vendi duhet të ecë përpara sa më shpejtë të jetë e mundur.
Besueshmëria e procesit të zgjerimit, thekson madje Eskobar, varet nga Maqedonia e Veriut.
“Ajo që do të doja të dëgjoja nga opozita është përkushtimi në rrugën e integrimeve euroatlantike. Dhe kjo përfshin shqyrtimin e mënyrave si Maqedonia të arrijë në Konferencën e ardhshme ndërqeveritare. Do të thoja se besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga Maqedonia e Veriut. Kemi një vend që ka bërë gjithçka që është e nevojshme për të kaluar në hapin tjetër dhe mendoj se e meriton hapin tjetër. Dhe mendoj se të gjithë, si brenda Bashkimit Evropian ashtu edhe në strukturat politike të Maqedonisë së Veriut, duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur që kjo të ketë sukses”, nënvizon Eskobari.
Ai ka komentuar edhe ndërtimin e autostradave.
“Kemi një dialog me Qeverinë për pohime konkrete dhe mbështetje konkrete që mund të ofrojmë. Mund t’ju them se nga Uashingtoni, shqetësimi ynë më i madh është se korrupsioni është një nga sfidat më të mëdha për mbarë rajonin, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut. Sekretari Blinken dhe kryeministri Kovaçevski kanë diskutuar gjatë për këtë në takimin e tyre, mënyrat rreth asaj se si mund të punojmë së bashku për të reduktuar korrupsionin në rajon. Kemi një interes të fuqishëm që të angazhohemi që Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera në rajon të bëjnë pjesën e tyre për të zvogëluar korrupsionin dhe për të zbatuar sundimin e ligjit. E vetmja gjë që mund të them është se kemi një partneritet të mirë me Maqedoninë e Veriut. Ata po bëjnë reforma dhe ne duhet të vazhdojmë ta thellojmë këtë bashkëpunim”, thotë Eskobari në intervistën për Zërin e Amerikës.
/Argumentum.al