Nga Redion LULI*
Të mërkurën, më 11 Mars, deputetët e Dumës ruse në një seancë plenare, miratuan në leximin e tretë dhe përfundimtar projektligjin për ndryshimet në Kushtetutën e Federatës Ruse “Për përmirësimin e rregullimit të disa çështjeve të organizimit dhe funksionimit të autoriteteve publike”. Ky projektligj ishte iniciativë e Presidentit rus Vladimir Putin. Nevojën për ndryshimet kushtetuese Presidenti rus Vladimir Putin e shprehu në mesazhin e përvitshëm drejtuar Asamblesë Federale në janar të këtij viti.
Gjatë mbledhjes plenare, Kryetari i Dumës Viaçesllav Vollodin deklaroi se gjithsej gjatë miratimit të projektligjit në leximin e dytë janë bërë 206 ndryshime. Ndryshimet e parashikuara u referohen dispozitave të 22 neneve të Kushtetutës.
Projektligji plotëson me përmbajtje konkrete konceptin e shtetit social. Kështu, Kushtetuta përcakton që paga minimale nuk mund të jetë më e ulët se kosto minimale e jetesës, si dhe indeksimin e detyrueshëm të pensioneve, asistencës sociale dhe përfitimeve të tjera sociale të parashikuara.
“Federata Ruse nderon kujtimin e mbrojtësve të Atdheut, garanton mbrojtjen e së vërtetës historike. Zvogëlimi i rëndësisë së veprës së Popullit në mbrojtjen e Atdheut nuk lejohet”, – thuhet në tekstin e projektligjit. Në nivel Kushtetute Federata Ruse shpallet pasardhëse e Bashkimit Sovjetik.
Një nga dispozitat e reja kushtetuese përcakton statusin e gjuhës ruse si “gjuhë e kombit shtetformues”.
Për të mbrojtur vlerat tradicionale, është propozuar përfshirja në tekstin e Kushtetutës së Federatës Ruse e dispozitës, sipas të cilës martesa është bashkim ose lidhje e kurorës mes një burri dhe një gruaje, duke mos lënë hapësirë për interpretim tjetër siç ndodh në vendet e Europës Perëndimore.
Sipas tekstit të projektligjit në fjalë, fëmijët shpallen si prioriteti më i rëndësishëm i politikës shtetërore në Rusi. Shteti krijon kushte të favorshme për zhvillimin gjithëpërfshirës shpirtëror, moral, intelektual dhe fizik të fëmijëve, edukimin me vlerat e atdhetarizmit, qytetarisë dhe respektit ndaj të rriturve.
Me propozimin e Nënkryetares së Komisionit për Organizimin Federal dhe Çështjet e Vetëqeverisjes Lokale, Valentina Tereshkova, janë miratuar ndryshime në përputhje me të cilat Presidenti në detyrë përsëri do të jetë në gjendje të marrë pjesë si kandidat në zgjedhjet e radhës për kreun e shtetit rus. Ky amendim është quajtur “zerimi i afateve kohore të mandatit presidencial”. Si rezultat, Presidenti aktual i Federatës Ruse ka të ngjarë të jetë në gjendje të ruajë postin e tij deri në vitin 2036. Gjatë fjalës së tij në seancën plenarë të Dumës më 10 Mars, Presidenti Rus Vladimir Putin mbështeti amendimin e propozuar, por me kushtin që Gjykata Kushtetuese ta njohë atë si dispozitë ligjore, e cila nuk bie në kundërshtim me Ligjin Themelor.
Pikërisht ky ndryshim në Kushtetutë ka ngjallur pakënaqësinë e përfaqësuesve të mbrojtësve të lirive dhe të drejtave të njeriut, të cilët pas miratimit të këtij amendimi në një apel të hapur (peticion) drejtuar Asamblesë Federale bënë thirrje për ndalimin e procesit të ndryshimit të Kushtetutës. Autorët e peticionit e quajtën atë “një grusht shteti antikushtetues”, pasi sipas tyre ndryshimet e propozuara “do të shkatërrojnë integritetin dhe logjikën e brendshme të Kushtetutës”.
Gjithashtu ndryshimet kushtetuese parashikojnë kërkesa të reja drejtuar kandidatit për President të Federatës Ruse. Propozohet që të konsolidohet kërkesa e banimit të përhershëm të një kandidati presidencial në Rusi për të paktën 25 vitet e fundit, si dhe mungesa e shtetësisë së huaj ose lejes së qëndrimit në një shtet tjetër, jo vetëm në kohën e pjesëmarrjes në zgjedhjet presidenciale, por edhe në të kaluarën.
Në përputhje me ndryshimet kushtetuese, vendndodhja e përhershme e disa organeve federale të pushtetit qendror mund të jetë jo vetëm kryeqyteti i Federatës Ruse – Moska, por edhe një qytet tjetër i përcaktuar me ligj kushtetues federal.
Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve pritet të ndodhë pas votimit mbarëkombëtar, i cili do të mbahet më 22 prill 2020. Votimi do të zhvillohet nga ora 8:00 deri në 20:00 sipas orës lokale. Pas miratimit të ndryshimeve në Kushtetutë nëpërmjet referendumit, Presidenti lëshon një dekret për botimin zyrtar të tekstit të Kushtetutës së bashku me ndryshimet e miratuara, duke përcaktuar edhe datën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve përkatëse.
* Pedagog në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë
/argumentum.al/
© Argumentum