Realpolitik “ Flash” No. 48
17 Qershor – 6 Korrik 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. JORGJI KOTE
Mjeshtër i Madh*
1.1Në 10 ditë, 4 samite për Ukrainën u zhvilluan në 2 javët e fundit – i BE-së me praninë dhe të liderëve të Ballkanit Perendimor në Bruksel më 23-24 Qershor, Samiti i G-7 në Kështjellën Elmau në Bavari më 27/28 Qershor, i NATO-s në Madrid më 29/30 Qershor dhe Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës në Lugano, Zvicër, më 4-5 Korrik.
Të katër samitet patën një emërues të përbashkët: vazhdimin e ndihmës dhe solidaritetit me Ukrainën në të gjitha fushat – politike, ekonomike, financiare, ushtarake, humanitare, etj. Në Bruksel u vendos t’i jepet statusi Kandidat për në BE, në Elmau G-7 u ra dakord për shtimin e ndihmave ekonomike dhe financiare, në Samitin e NATO-s në Madrid shtimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën dhe në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës në Lugano, Zvicër mbi 40 shtete pjesëmarrëse ranë dakord për t’i dhënë Ukrainës një paketë prej 750 Miliard Euro. Kësisoj, Aleanca Perendimore shfaqi me konsensus të plotë më të mirën e vet, ajo dënoi fort agresionin rus dhe tregoi në unison të plotë vendosmërinë për ta mbrojtur deri në fund Ukrainën dhe vlerat perendimore me çdo kusht dhe çmim.
2.Shkuranjo dhe mbro! Kjo është logoja e re politike dhe ushtarake e NATO-s që u miratua në Samitin e saj historik në Madrid. Eshtë dhe thelbi i konceptit të saj të ri strategjik për 10 vitet e ardhëshme. Ajo synon shkurajimin politik dhe ushtarak të Rusisë dhe të Kinës, nëpërmjet fuqizimit dhe shtimit të ndjeshëm të kapaciteteve mbrojtëse të vendeve antare, modernizimit të armatimit ushtarak, rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes mbi 2 për qind të GDP-së, shtimit të pranisë ushtarake në vendet e ish Europës Qendrore dhe Lindore nga 40.000 në 400.000 trupa, krijimin e njësive të reja të përforcuara ushtarake, duke filluar nga Bullgaria, me pjesëmarrjen dhe të forcave shqiptare, etj.
Pjesë përbërëse e këtij shkurajimi është dhe antarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO, pas kompromisit të arritur minutat e fundit me Turqinë. Kësisoj, NATO tashmë do të ketë 32 vende antare, duke zgjeruar dhe forcuar perimetrin e saj të sigurisë rreth Rusisë. Kjo e fundit si të thuash “ shkoi për lesh dhe po kthehet e qethur”sepse kërkoi tërheqjen e NATO-s nga ish lindja, por po ndodh krejt e kundërta.
Koncepti i ri strategjik i NATO-s përfaqëson një ndryshim rrënjësor krahasuar me strategjinë e miratuar në vitin 2010 ku Rusia konsiderohej pothuajse aleat, ndaj dhe logoja ishte “ siguri me Rusinë”
3. Fjalim dhe ultimatum i çuditshëm është konsideruar ai që mbajti në Samitin e BE në Bruksel më 23 Qershor Kryeministri Rama. Me gjuhë të drunjtë, pa etikë diplomatike, plot thumba, qortime, kritika dhe batuta ndaj BE-së. Duke ia hedhur asaj fajin për dështimet në rajon, duke e quajtur të sëmurë dhe në një krahasim të panevojshëm me Putinin!! E quajti “ turp” veton bullgare dhe lëshoi ultimatumin për mbështetjen e “Ballkan i Hapur”, ndryshe do të bëhet kataklizmoja! Ca më keq akoma, këtë ultimatum ia dha BE-së bashkë me Vuçiç dhe Kovacevskin, duke e shpallur Ballkanin e Hapur, që nuk ishte fare në rendin e ditës, nismë dhe grupim të pastër politik, që demek mbron interesat e gjithë vendeve të rajonit! Kur BE-ja dhe Berlini nuk e përmendin as si fjalë, mbasi mbështetin me fonde dhe projekte të shumta Procesin e Berlinit, CEFTA dhe Tregun e Përbashkët Rajonal. Si më parë, dhe në Konkluzionet e këtij Samiti Ballkani i Hapur nuk përmendet fare! Kur dhe Escobar është shprehur pro tij por me kusht që të jetë gjithëpërfshirës dhe vetëm me karakter ekonomik!
Çudia tjetër e madhe ishte se Rama bëri avokatinë politike të Vuçiç, duke justifikuar pa qenë fare nevoja vështirësitë serbe për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për të cilën në fakt ai duhej të jepte llogari në Bruksel. Kësisoj, Vuçiç dhe këtë radhë e “ hodhi lulin pa u lagur fare”
Veç përmbajtes, gjuha e përdorur bie ndesh me frymën dhe komunikimin europian. Në kancelaritë perendimore dhe në median e huaj fjalimi i Ramës konsiderohet “ strange” ose i çuditshëm. Një eufemizëm diplomatik ky për fjalën “ absurd”. Kujdes, ne jemi shumë të vegjël dhe të papjekur për t’i dhënë mend BE-së, ca më pak për ta qortuar dhe thumbuar atë aty në shtëpinë e saj, në Bruksel. Përvoja e tre viteve të fundit ka treguar se qëndrime të tilla populiste kanë qenë jo produktive dhe pa rezultat. Madje, ato rrezikojnë forcimin e perceptimit në BE se këta ballkanikët, pa çelur ende negociatat dhe po na qesëndisin, po kur të jenë brenda me ne?
4. Veto që rrëzon qeveri! Po, kështu po ndodh praktikisht me bllokadën bullgare ndaj çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut. Sofja zyrtare më në fund e hoqi veton, por me plot kushte përvëluese dhe shpërthyese për fqinjin e saj. Mirëpo, përpara se të hiqej vetoja bullgare, ra qeveria e saj pas mocionit të mosbesimit të paraqitur nga ish Kryeministri Borisov; ky i fundit vendosi të hiqte veton ndaj Sojes, që e kishte vendosur vetë 2 vjet më parë. Përpara tij ishte larguar nga koalicioni qeveritar partia e vogël e Trifonovit, me akuza ndaj Kryeminidtrit Petkov për qëndrim të zbutur ndaj Shkupit zyrtar. Tani Bullgaria është në prag të zgjedhjeve të reja të përkohshme, mbas tri zgjedheve të mëparshme të vitit të kaluar. E megjithatë, vetoja nuk po i jep ende efektet e saj. Sepse Shkupi politik duhet të bjerë dakord me propozimpin francez dhe ndryshimet e propoziara nga qeveria në Shkup. Mirëpo, kjo nuk është aq e lehtë. Kushtet janë shumë të forta, ato kanë të bëjnë me “AND”-në e Maqedonisë së Veriut. Opozita ka paralajmëruar qysh tani protesta të mëdha nëse Shkupi zyrtar do të pranojë kushtet bullgare dhe franceze dhe atëhere, nuk dihet si do t’i shkojë “ filli muhabetit”. Të shohim rezultatet e konsultimit me Parlamentin dhe aktorë të tjerë përcaktues për këtë “ patate të nxehtë” politike. Në këto kushte, nuk përjashtohet as mundësia e rrëzimit të qeverisë në Shkup, duke e futur vendin në një ngërç të ri institucional. Ja, pra sa e shtrenjtë është bërë kostoja e vetos bullgare dhe çelja e negociatave. Le të presim dhe shpresojmë për më të mirën.
© 2022 Argumentum
*Autori u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë“ Mjeshtër i Madh” në diplomaci, ekonomi dhe publicistikë më 28 Qershor 2022