Derisa vendet e Ballkanit Perëndimor u janë kthyer së fundmi investimeve të reja në fushën e mbrojtjes dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak po rikthehet në rajon, shkruan Anadolu.
Konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, numri në rritje i vatrave të krizës dhe përkeqësimi i situatës së sigurisë në mbarë botën detyrojnë shumë vende të mendojnë për potencialin e tyre ushtarak ku edhe Ballkani Perëndimor është kthyer në investime të reja në fushën e mbrojtjes.
Anëtaret e NATO-s, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut rritën buxhetet e tyre ushtarake, ndërsa Serbia dhe Kosova joanëtare ndoqën rrugë të ngjashme.
Vendi që mbeti prapa në fushën e mbrojtjes në rajon është Bosnje-Hercegovina, e cila nuk është anëtare e NATO-s. Krahas investimeve në mbrojtje, kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga Serbia dhe Kroacia përbën një valë tjetër të aktivitetit mbrojtës në vendet e rajonit.
- Shqipëria hap bazën e parë ajrore të NATO-s në rajon dhe modernizon ushtrinë
Shqipëria prej 15 vitesh është pjesë e NATO-s, ndërkohë institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë vazhdojnë procesin e modernizimit si dhe ndërveprimin dhe bashkëpunimin me Aleancën.
Në mars 2024 në Shqipëri u inaugurua Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë të qarkut të Beratit, që sipas autoriteteve shqiptare i jep Shqipërisë një rëndësi të re gjeostrategjike.
Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se ”po punojnë me NATO-n mbi mundësinë e ngritjes së një baze detare të NATO-s në Durrës”.
Në Shqipëri nuk aplikohet shërbimi i detyrueshëm ushtarak prej rreth 15 vitesh, por ka një forcë ushtarake me personel profesionist që përzgjidhet sipas kritereve të caktuara.
Autoritetet në vend theksojnë se kërkohet që të rekrutohen shtetas me një profil cilësor, të aftë nga ana fizike dhe shëndetësore dhe me një nivel të lartë kulturor.
Pavarësisht se në vend janë shfaqur opinione të ekspertëve dhe ish-zyrtarëve të ndryshëm për hapjen e një debati mbi mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, nga autoritetet nuk ka nisma zyrtare për këtë çështje.
Në korrik të vitit 2024 Kuvendi i Shqipërisë miratoi një paketë ligjesh në lidhje me fushën e mbrojtjes dhe industrinë ushtarake dhe gjatë këtij viti ka nisur puna për riaktivizimin e disa prej uzinave të lidhura me zinxhirin e prodhimit të mallrave ushtarake dhe të armatimit.
Ndërkohë, në fillim të muajit mars të këtij viti, dronët turq “Bayraktar” TB2 mbërritën në Shqipëri, duke u bërë pjesë e forcave të armatosura, një produkt i Partneritetit Strategjik Shqipëri-Turqi dhe në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare si anëtare të NATO-s.
Gjithashtu në fillim të vitit 2024 në Shqipëri mbërritën helikopterët “Black Hawk”, si pjesë e parë e porosisë së bërë nga Shqipëria dhe mbështetur nga fondet e ndihmës së SHBA-së.
Ndërkohë, zyrtarët e lartë të vendit kanë pohuar se shtimi i këtyre pajisjeve dhe të tjera do të vazhdojnë.
- Serbia
Serbia, e njohur për neutralitetin e saj ushtarak midis vendeve të ish-Jugosllavisë, kohët e fundit është bërë vendi më i shquar si me avionët luftarakë të tipit “Rafale” që bleu nga Franca dhe me rikthimin e shërbimit ushtarak.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç njoftoi se shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili u hoq në vitin 2010, do të rikthehet dhe shërbimi ushtarak do të jetë 75 ditë. Kryeministri Milosh Vuçeviç deklaroi gjithashtu se me padurim presin që avionët luftarakë që kanë blerë nga Franca të mbërrijnë në vend.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë, Serbia ka një normë investimi prej 37,9 për qind në buxhetin ushtarak të këtij viti.
- Kroacia
Kroacia, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE), ndër vendet e rajonit, njoftoi se do të rikthejë praktikën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak që nga 1 janari 2025.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiç deklaroi se shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili u hoq në vitin 2008 në vend, do të kthehet në fillim të vitit 2025 dhe njoftoi se kjo do të jetë një praktikë 60-ditore.
Blerja e fundit e Kroacisë e mjeteve luftarake të blinduara “Bradley” nga SHBA-ja dhe avionëve luftarakë të tipit “Rafale” nga Franca është cilësuar si “modernizimi” i ushtrisë së vendit.
Sipas të dhënave të Ministrisë Kroate të Mbrojtjes (MORH), buxheti ushtarak i vitit 2024 në fushën e modernizimit të ushtrisë u rrit me 622 për qind krahasuar me vitin 2016.
- Mali i Zi dhe Sllovenia
Mali i Zi, i cili u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017 dhe procesi i anëtarësimit të të cilit në BE është në vazhdim, ndau të paktën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fushën e mbrojtjes.
Në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi, thuhet se 35.7 për qind e buxhetit ushtarak të vitit 2024 do të ndahen për investime, ndërsa thuhet se në vend janë në rendin e ditës blerjet e reja si anije patrullimi dhe helikopterë.
Përderisa shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk është zbatuar në Mal të Zi që nga viti 2006, u vërejt se rikthimi i kësaj praktike nuk është në agjendën e Malit të Zi, krahasuar me Serbinë dhe Kroacinë.
Sllovenia, një tjetër vend në rajon që është anëtar i NATO-s dhe BE-së, është në listën e vendeve që rrisin buxhetin ushtarak për vitin 2024. Sllovenia është ndër vendet që nuk planifikojnë të rikthejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, i cili u ndërpre në vitin 2003.
- Maqedonia e Veriut
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Maqedoninë e Veriut, e cila u bë anëtare e NATO-s në vitin 2020,u hoq në vitin 2006 ndërsa ushtria u bë plotësisht profesionale në vitet 2006-2007
Edhe pse publikisht diskutohet rifillimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, një çështje tillë nuk është ende në axhendën e vendit. Maqedonia e Veriut, e cila mori pjesë në shumë misione dhe stërvitje ndërkombëtare para dhe pas anëtarësimit në NATO, planifikon gjithashtu të blejë pajisje mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s.
Maqedonia e Veriut, e cila pranon donacione të pajisjeve ushtarake nga vende të ndryshme anëtare të NATO-s, veçanërisht nga Turqinë, i kushton rëndësi modernizimit të ushtrisë së saj.
Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajlovski, në deklaratën e tij pas ceremonisë së dorëzimit të pajisjeve ushtarake të dhuruara për ushtrinë e tyre nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë më 30 gusht, tha se do të vazhdojnë modernizimin e ushtrisë së vendit me pajisje të reja.
- Hapat nga Kosova për forcimin e ushtrisë
Në Kosovë nuk ka shërbim të detyrueshëm ushtarak. Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila është themeluar në vitin 2009 për të ofruar operacione për menaxhimin e krizave brenda dhe jashtë vendit, për të shërbyer në operacionet e mbrojtjes civile në vend dhe në fatkeqësitë natyrore dhe emergjenca të tjera, ka filluar në 2018 me ndryshime ligjore në Forcat e Armatosura.
Pas përfundimit të procesit, i cili pritet të zgjasë 10 vjet, Kosova pritet të ketë rreth 7.500 personel ushtarak.
Qeveria e Kosovës në vitin 2022 themeloi Fondin e Sigurisë, përmes të cilit qytetarët mund të kontribuojnë në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për blerjet ushtarake. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës miratoi Programin Gjithëpërfshirës Kombëtar për Mbrojtje më 11 shtator.
Programi, i bazuar në sisteme të ngjashme të zbatuara në vendet anëtare të NATO-s, synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në vend në mënyrë që komuniteti të jetë gati të reagojë dhe të rezistojë duke u bashkuar vullnetarisht dhe mbështetur ushtrinë në rast fatkeqësish natyrore ose sulmesh të armatosura.
Blerja më e dukshme e Kosovës, e cila ndau mbi 200 milionë euro për armë dhe pajisje të ndryshme në vitet 2021-2023 si pjesë e procesit të transformimit të FSK-së në ushtri, ishin UCAV-të ”Bayraktar” TB2 që i blenë nga Turqia vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, Kosova synon të bëhet anëtare e Programit të Partneritetit për Paqe, i cili është parakusht për anëtarësimin në NATO.
- Bosnje-Hercegovina
Për shkak të strukturës komplekse politike që erdhi me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit pas luftës në Bosnje e Hercegovinë midis viteve 1992 dhe 1995 konsiderohet “pothuajse e pamundur” të bëhen risi në fushat e mbrojtjes dhe shërbimit ushtarak në vend.
Derisa Republika Sërpska (RS), një nga dy entitetet e Bosnje-Hercegovinës, ka bërë shumë investime në fushën e mbrojtjes, entiteti tjetër i vendit, Federata e Bosnje-Hercegovinës (FBIH), mungon në këtë pikë./AA-Argumentum.al