Dick Marty të na bashkojë, jo të na ndajë! Osmani dhe Kurti faqebardhë në SHBA! Fitore diplomatike e Erdogan!
Realpolitik “ Flash” No. 50
18 – 31 Korrik 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 6 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik,
Dr. JORGJI KOTE
Mjeshtër i Madh
1.Në BE gjithë Shqipëria, jo vetëm qeveria tani që Negociatat u çelën. Ca më tepër se si meritat dhe mëkatet për këtë arritje të vonuar i kanë të gjitha forcat politike. Mirëpo, delegacioni me 30 vetë vetëm nga dikasteret qeveritare nuk e dha këtë mesazh më 19 Korrik në Bruksel. Madje, nuk pati përfaqësues as nga Kuvendi, le pastaj nga shoqëria civile, bota akademike dhe opozita, pavarësisht e përçarë siç është. Fare mirë mund të ishte atje Jorida Tabaku, Kryetare e Komitetit Parlamentar të Integrimit. E njejta tabllo u pa dhe të nesërmen në ceremoninë përpara Kryeministrisë dhe në festën më 28 Korrik për 100 vjetorin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe çeljen e negociatave, dhe pse për këtë të fundit festa mbaroi qysh atë ditë, tani kërkohet punë dhe reflektim!
2. Po me Kryenegociatorin ç’patën? që e shkarkuan as një javë mbas çeljes së negociatave! 25 muaj më parë e shpallën Zef Mazin si zgjedhjen më optimale kundrejt vendeve të tjera, Ambasador me eksperiencë ndërsa tani e hoqën nga “ profili i lartë politik”! Aspak bindës ky largim, ndonëse u falenderua thatë për kontributin në çeljen e negociatave, që nuk ishte detyra e tij. Në fakt, Kryenegociatori Zef Mazi qëndroi dy vjet “ në stolin e rezervave”, siç e kishim parashikuar dhe në këtë rubrikë! Ndaj, kujdes kur i zgjedhim, jo për show dhe për interesa të çastit, se nuk përcjellim imazh/mesazh të mirë dhe serioz te partnerët.
3. Dick Marty të na bashkojë, jo të na ndajë, siç ndodhi në seancën plenare të Kuvendit më 21 Korrik për miratimin e Rezolutës që kërkon rishikimin e rezolutës së KiE-së të vitit 2010, në dritën e fakteve që përgënjeshtrojnë aludimet e Raporterit zviceran, Dick Marty për trafikim organesh nga liderët e UÇK-së; mazhoranca duhet të tregohej më tolerante dhe mirëkuptuese, pa e shpallur opozitën fajtore për krimet në Kosovë, e duke mos përmendur Serbinë, shkaktaren e vërtetë të genocidit atje! As nuk ka përse ta akuzojë opozitën pse votoi pro në vitin 2010. Së pari, nëse 4 deputetët e saj do të votonin kundër, kjo nuk do të kishte asnjë efekt, sepse shumica dërmuese e vendeve antare në Strasburg ishin pro. Së dyti dhe më kryesorja, po qe se do votonim kundër, atëhere do të akuzoheshim pa të drejtë se ishim kundër hetimit të atyre aludimeve dhe dëmi do të ishte më i madh! Por dhe opozita duhet të jetë me tolerante, të mos politizojë vend e pavend problemin. Shkurt hesapi, raporte dhe rezoluta te tipit Marty nuk duhet të na ndajnë por të paktën të na afrojnë, se bashkojnë, ndoshta është fjalë e madhe për politikën tonë!
4. Demokracia tani, jo në retrospektivë! Ky mendim të vjen ndërmend tani që dhe Britania e Madhe e shpalli “ non grata ish Presidentin Berisha. Në fakt, “ non – grata” përdoret zakonisht në diplomaci, nëpërmjet largimit si të padëshiruar të një apo më shumë diplomatëve, zakonisht të shërbimeve sekrete. Ka qenë shumë e praktikuar gjatë Luftës së Ftohtë, por dhe sot midis SHBA-ve Rusisë, etj. Megjithatë, dhe në diplomaci është një ndër format, por jo efektive dhe me ndikim të përkohshëm. Ndërsa në politikë po përdoret rrallë, mbasi përvoja e deritanishme nuk e ka nxjerrë efektive, sidomos lidhur me nxitjen dhe promovimin e demokracisë. Kështu, BE-ja ka shpallur dhjetra sanksione, ku përfshihen dhe persona “ non – grata”, por pa ndonjë rezultat të dukshëm. Non-grata e Londrës ishte dhe më pak bindëse. Dhe një provë e saj ka të bëjë me një afarist me shtetësi britanike, që vazhdon të punojë i qetë, pa i “hyrë gjemb në këmbë”. Pastaj, SHBA dhe Britania e Madhe na kanë mësuar konceptin e “ procesit të duhur ligjor” Dmth, nëse ka prova fajësie, ato duhen çuar në gjykatë dhe vetëm ajo vendos për fajësinë e dikujt. Nëse ti e ke pohim politik, atëhere mos e trajto si çështje penale. Mirëpo dhe aspekti politik kërkon dëshmi, argumenta, transparencë, ndryshe të kthehet në bumerang. Aspekti tjetër është se demokracia nuk zhvillohet me të tilla forma, ca me pak në retrospektivë; ajo bëhet çdo ditë; ndryshe, vazhdimi i kësaj praktike rrezikon mbylljen e debateve/ diskutimeve dhe të luftës politike, me justifikimin se dikush është “ non -grata”, duke i mohuar të drejtat themelore. Ndërkohë, ata që e kanë zgjedhur si deputet këtë “ non – grata” kanë të drejtë të bëjnë pyetjen, a jemi ne apo dikush tjetër, qoftë dhe partnerët tanë që vendosim? E fundit, nëse aleatët tanë duan të na ndihmojnë, le të shpallin “non – grata” me përparësi dukuritë e sotme shpërthyese dhe bartësit e tyre, dhe jo “ pas pilafit”; Ndryshe, « në vend t’i vejmë vetullat” do t’i nxjerrim sytë” demokracisë.
5. Osmani dhe Kurti faqebardhë në SHBA! Po, kjo mund të thuhet me plot gojën! Takimi i tyre me Sekretarin e Shtetit Blinken, me format dhe tematikë gjithëpërfshirëse, ku spikati forcimi i aleancës me SHBA-të. Kosova u vlerësua për mbështetjen ndaj Ukrainës, strehimin e afganëve, reformat që po ndërmerr dhe u inkurajua për dialogun me Beogradin. Dakordësi e plotë për të gjitha çështjet. Po aq e rëndësishme ishte nënshkrimi i Marrëveshjes me Korporatën e Mijëvjeçarit për ndihmën prej 237 Milion Dollarë në fushën jetike të energjitikës, duke rritur ndjeshëm pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Asnjë fjalë për Ballkanin e Hapur. Vetëkuptohet, sidomos pas qëndrimeve serbe ndaj Rusisë dhe deklarimit solemn se “Ballkani i Hapur” është grupim i mirëfilltë politik, kur SHBA-të mezi e njohin vetëm si projekt ekonomik, ndërsa BE-ja as që e ze në gojë! Edhe pse Rama e paralajmëroi atë në Bruksel se pa mbështetur “Balkanin e Hapur do të bëhej kiameti”, asnjë fjalë nuk u shkrua në dokumentin përfundimtar të Samitit të BE-së më 24 Qershor dhe më tej!
6. Fitore diplomatike e Erdogan ishte Marrëveshja ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës për livrimin e drithrave të të dy vendeve më 25 Korrik. Ndërmjetësimi jetik i Turqisë e shpëtoi sërish Perëndimin, këtë radhë nga kriza e bukës. Padyshim fitore e madhe diplomatike e Erdoganit; por, me shumë rëndësi dhe për brenda vendit, përballë shumë vështirësive ekonomike në rritje dhe ca më tepër disa muaj përpara zgjedhjeve të reja pesidenciale, ku opozita e bashkuar synon rrëzimin e Erdoganit që ka 20 vjet në pushtet.
© 2022 Argumentum