Nga Ardit Gjinali
Pushteti i sotëm shijon lirinë për të pushtuar secilën hapësirë institucionale…qytetari i zakonshëm i këtij vendi, i tilli larg tipareve karakteriale të “Njeriut të Ri”, larg interesave të ndërlidhura me sejmenët e shtet-pushtetit, përjeton robërimin shpirtëror dhe shoqëror në atdheun e të njëjtit…mundësi të rrëmbyera nga arbitrariteti, pritshmëri të shuara që qëndrojnë në hirin e zjarrit Neronian pushtet-ushtrues, dinjitet njerëzor i nëpërkëmbur nga arroganca jo-njerëzore e hazër-zbatuesve të urdhëresave të pushtetit, vullnet i deformuar përmes secilit mekanizëm që jetëson mbrapshtinë, e tilla që trondit thellë shpresën për ndryshim përmes synimit të zi të pranimit të së keqes si një normalitet shoqëror.
Jetojmë, përjetojmë dhe shikojmë në pasqyrën e së vërtetës shoqërore të tillin bollëk të propagandës bajate të pushtetit që përmes krekosjes së batutave boshe kërkon të fshehë boshllëkun shoqëror, i tilli i shkaktuar nga arritjet e munguara, premtimet e shkelura dhe angazhimet e harruara..njëjtë si gotat e kristalta të shampanjës festive për kinse hapjen e negociatave dhe dekoratave të pluhurosura në sirtarët e gënjeshtrës këmbë-shkurtër, por fabul-gjatë…koha është për ti thënë boll të tillit bollëk të propagandës që tenton të errësojë mendimin dhe të sëmurë gjykimin qytetar ndaj lehtësisë djallëzore të përcjelljes së dështimeve vetjake si gabim i palëve të treta..për të thonë boll përmes një reagimi shoqëror demokratik dhe kurajoje qytetare fituese ndaj secilit instrument shkurajues që vringëllin në hovin e një turravrapi të pandalimtë.
Dështimi për të quajturën hapje të negociatave që do të përkonte me përcaktimin e një date të saktë për zhvillimin e konferencës së parë është trishtim dhe mërzi për Shqipërinë, për shqiptarin me vokacion perëndimor drejton sytë lart për të kërkuar Europën e munguar në secilën ditë të së përditshmes sfilitëse në atdhe…i tilli qytetar po mban mbi shpinën e drobitur faturën e haraçit të një besimi të dhënë tetë vite të shkuara..pikërisht ndaj të njëjtit, keqqeverisja vijon të jetë një borxhlie e keqe…keqqeverisja i ka rrëmbyer të zakonshmit Shqiptar të tillën Europë, në frymë dhe standarte, gjithashtu.
Një përparim i munguar në rrugëtimin e proçesit të Integrimit Europian është gëzimi dhe hareja e pazëshme e enturazhit qeverisës që do të vijojë të gjejë të tillin shesh për të gatitur përsheshin qëllimshëm kaotik;-mjegullim, rrëmujë e qëllimtë, kaos… rendi i xhunglës demokratike ku patronazhisti dhe informatori përbëjnë thelbin e një ngrehine të madhe asfare institucionale..një ngrehinë që po shndërron Shqipërinë në një humbëtirë të shpresës, një vend të shkretuar nga shpopullimi i vazhdueshëm…Shqipëria që po shndërrohet në vendin e paradës së korrupsionit dhe rrushfetit mbi dhe nën dorë.
Gishti tregues ndaj Bashkimit Europian apo vendeve përkatëse përmes artikulimit të justifikimeve gjithëfarësh është zëri i së vërtetës së munguar…e vërteta e një dere që ka qenë gjithmonë e hapur nga Unioni, por një derë ku lipset një hyrje meritore..një hyrje ballëlartë përmes vlerave të përbashkëta dhe demokratikisht të vërteta. Duhet të jemi të vërtetë me përdhosjen e djeshme të së drejtës në funksion të sundimit sot, duhet të jemi të vërtetë mbi kapjen e shtetit dje për ta njëhsuar me pushtetin sot , duhet të jemi të vërtetë që dje u ngritën themelet e padrejtësisë dhe mundësive të munguara sot…sot nuk mund të stigmatizohet një dinamikë e brendshme në BE nga keqqeverisja sepse hyrja në Europë nuk kalon nga dritarja e gjeopolitikës, por nga dera e arritjeve të munguara.