DR. JORGJI KOTE
Më 13 Maj, Shërbimi në Gjuhën Shqipe i “Zërit të Amerikës” kremtoi 80 Vjetorin e tij. Vlen të theksohet qysh në fillim se Seksioni shqip filloi vetëm 15 muaj pas shërbimit botëror të Zërit të Amerikës me pohimin epik të folësit të tij të parë, William Harlan Hale “ Lajmet mund të jenë të mira ose të këqia, por ne do t’u themi të vërtetën” Ky lejtmotiv historik ka qenë bashkëudhëtari besnik i këtij shërbimi të shquar mediatik në të gjitha situatat dhe rrethanat; si gjatë viteve të vështira të Luftës së II Botërore, kur iu kundërvu bashkë me BBC-në propagandës naziste dhe gjatë 45 viteve të Luftës së Ftohtë.
Pas një ndërprerje prej 6 vitesh ai rifilloi po më 13 Maj 1951 me mesazhin profetik të sekretarit amerikan të Shtetit, dashamirësit të Shqipërisë, Dean Acheson, se“ lidhja midis nesh po ripohohet, miqësia e hershme do të marrë fuqi dhe mendësi të reja. Kjo miqësi është rezultat i identifikimit të SHBA-ve me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi”
Ndonëse marrëdhëniet diplomatike me SHBA-të u ndërprenë deri në vitin 1991, Zëri i Amerikës vijoi misionin e vet duke treguar me zë të lartë të vërtetën, në botën përtej detit, Europën e shtetit të së drejtës dhe të Shqipërinë totalitare. Edhe pse rregjimi i atëhershëm bëri çmos për të penguar këtë zë të madh dhe demokratik me lloj lloj akuzash të paqena dhe ndaj folësve dhe gazetarëve të saj; disa prej të cilëve ishin arratisur në rrethana të vështira dhe gjetën strehim politik në SHBA.
Dihet tashmë se Kushtetuta e re socialiste e vitit 1975 i shpalli SHBA-të si armikun më të madh të socializmit e bashkë me të edhe Zërin e Amerikës, që ishte në krye të mediave amerikane dhe botërore në denoncimin e socializmit real. Këtu nuk bëhej më fjalë për “ një llaf goje” mbasi ndjekja, dëgjimi e ca më keq përhapja e lajmeve të Zërit të Amerikës, sipas Nenit famëkeq 55 për propagandë dhe agjitacion të dërgonte në burg, para togës së pushkatimit, në litar, e në çdo rast pa një varr!
E megjithatë, Zëri i Amerikës mundi të depërtonte në familjet shqiptare, sepse e vërteta nuk mund të fshihej. Këtu ia vlen të citojmë ambasadorin emblematik Indian, publicistin e mirënjohur Keshan Rana, i cili në një nga librat e tij mbi rolin e diplomacisë së kulturës nënvizon se “ shumë pak vetë e vlerësojnë se sa shumë kanë ndihmuar në rënien e komunizmit dijet dhe njohuritë mbi Amerikën dhe në veçanti rolin e “Zërit të Amerikës”.
Edhe më i madh ishte roli i saj gjatë periudhës së ndryshimit të sistemit politik dhe pranverës së demokracisë pluraliste në vitet 90. Zëri i Amerikës në shqip u bë pîka e madhe e referencës për të gjitha forcat opozitare, shoqërinë civile, shtypin e lirë e të pavarur për shqiptarët kudo ku ndodheshin, burim lajmesh dhe shpresash të mëdha. Më vonë, ky rol u evidencua sërish gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, pastaj përpjekjeve për pavarësi, dhe përfshirjen e saj në rrjedhat Euro-Atlantike.
Në vitin 1999, filloi paralelisht me radion transmetimi i DITARIT televiziv dhe më vonë Zëri i Amerikës kaloi dhe në internet, rrjejet sociale, në dixhitalizim, youtube, etj, duke u afruar gjithnjë e më shumë te njerëzit e të gjitha shtresave, moshave dhe profesioneve, me një katalog të larmishëm kronikash dhe rubrikash.
Rrugtimi i tij nuk ka qenë i lehtë, sepse dhe demokracia është ndeshur dhe vazhdon të përballet me shumë probleme dhe pengesa dhe në SHBA, Europë dhe gjetkë.
Në këtë jubile kujtohen me nderim ndihmesa për dekada të tëra e gazetarëve dhe bashkëpuntorëve të apasionuar gjatë këtyre 80 viteve, duke filluar nga drejtuesi i parë i Zërit të Amerikës në shqip, gazetari dhe përkthyesi i shquar Nelo Drizari. Drejtuesit dhe gazetarët e tij përpara viteve 90 dhe më tej kanë treguar me punën dhe jetën e tyre deri në ditët e sotme se ishin dhe mbetën patriotë dhe demokratë të vërtetë. Dëshmimtarët e gjallë dhe më të mirë të këtij fakti janë dy drejtuesit e tij dhe të Divizionit të Euro-Azisë, Frank Shkreli dhe Elez Biberaj. I pari punoi dhe drejtoi shërbimin shqip dhe atë europian për 30 vite deri më 2004; ai ka vazhduar të jetë i përkushtuar ndaj çështjes shqiptare. Në vitin 1991 shoqëroi delegacionin amerikan që erdhi për çeljen e Ambasadës, amerikane në Tiranë. Veç të tjerash, Frank Shkreli ka lobuar fort për Kosovën në fundin e viteve 90 dhe më tej për pavarësinë e saj në rrethet politike dhe legjislative amerikane. Me po atë pasion, falë lidhjeve me kongresistë dhe personalitete elitare amerikane ai vazhdon të kontribuojë gjithandej, të flasë dhe të shkruajë mbi ”Zërin e Almerikës”, mbi aktualitetet politike, mediatike dhe diplomatike më të mprehta në Kosovë, Shqipëri, në Mal të Zi dhe gjetkë. Eshtë autor i disa librave dhe antar i Bordit të Nderit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Pasardhësi i tij, Dr. Elez Biberaj filloi punën në shërbimin shqip si redaktor në dhjetor 1980, për t’u promovuar si shef i tij më 1989 dhe nga viti 2004 Drejtor i Divizionit Euro-Aziatik. Personalitet i spikatur shqiptaro-amerikan, i doktoruar nga i famshmi Columbia University, autor i disa librave në shqip dhe anglisht, promovues i vlerave dhe gazetarëve të rinj në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë. Veç të tjerash, shoqëroi Sekretarin e Shtetit, James Baker në vizitën historike në Tiranë në Qershor 1991. Ikonë e gazetarisë shqiptaro-amerikane, ” Nderi i Kombit” Elez Biberaj i ka qëndruar besnik të Vërtetës, parimi i tij udhëheqës, pa asnjë kusht dhe kompromis! Ai e ka shpjeguar bindshëm këtë fakt duke thënë se “ shumë shqiptarë në atë kohë e shikonin Zërin e Amerikës si të vetmen dritare shprese. Kolegët e mi dhe unë u angazhuam me gjithë shpirt për të përmbushur misionin e Zërit të Amerikës, t’u tregonim dëgjuesve të vëretën rreth shoqërisë së tyre dhe zhvillimet në botë, të nxisnim respektin për të drejtat e njeriut, të përhapnim lirinë dhe demokracinë, të nxisnim interesin amerikan në Ballkan dhe miqësinë tradicionale midis shqiptarëve dhe amerikanëve”.
Pas viteve 90, këto tradita i kanë çuar më tej ekipet e reja të gazetarëve të ardhur nga toka amë nën drejtimin e Dr. Elez Biberaj dhe pas vitit 2006 nga zoti Arben Xhixho, pjestar i tij nga viti 1992. Barrë e rëndë për të, të drejtonte këtë shërbim mbas dy gjigandëve të përmendur më lart. Megjithatë, duke ecur i sigurt në gjurmët e e paraardhësve të tij emblematikë, me përvojën e pasur tashmë mbi 35 vjeçare si gazetar, reporter, folës, komentator me bashkëpuntorët e tij të përkushtuar, veç të tjerash, Arben Xhixho ia ka dalë mbanë të pasurojë më tej shërbimin shqip me rubrika dhe lajme me tematika të larmishme në të gjitha rrafshet. Madje tani dhe në kushtet e konkurrencës nga rrjetet e shumta mediatike kudo në trojet shqiptare, dixhitalizimit dhe sfidave të rrjeteve sociale. Dhe në mbi 15 vitet e fundit, nën kujdesin e tij janë përballuar sfida dhe vështirësi të një lloji tjetër tashmë “ demokratik”. Megjithatë, shërbimi shqip ka mbetur i freskët, tërheqës, me vlera edukative dhe më i ndjekuri në trojet e banuara me shqiptarë.
Në vitet 60 – 70, sipas bashkëkohësve të tyre, kanë dhënë ndihmesën e tyre të vyer gazetarët, redaktorët dhe folësit e apasionuar të Shërbimit Shqip – zotërinjtë e ndjerë: Xhevat Kallajxhi, Talat Karagjozi, Jozef Paskali, Louis Prifti, Gaspër Kiçi, Ruzhdi Daca, Kleanthi Mimi, Lulë Vrioni dhe të tjerë me afate më të shkurtëra kohore, ku spikat ” Nderi i Kombit” i ndjeri Luigj Zanga. Më vonë punuan me po atë përkushtim gazetarët e shquar Gjon Kadeli, Idriz Lamaj, Gjen Gjonlekaj, Shaqir Salihu, Astrit Lulushi e të tjerë.
Pas viteve 90, veçohet gazetari i saj veteran për 3 dekada, Ilir Ikonomi, i cili ka kohë që lëvron fushën e historisë me botime intriguese mbi Konicën, Esat Pashë Toptanin, etj.
Gjatë kësaj periudhe, shërbimi shqip pati një risi të dukshme dhe të nevojshme: përfshirja e gazetareve që mund të konsiderohen ”ikona” të Zërit të Amerikës: Zamira Edwards, Isabella Çoçoli dhe Laura Konda; kjo e fundit trashëgimtare e denjë e çiftit të paharuar elitar të kulturës sonë, Drita&Drago Siliqi. Dhe pas përfundimit të misionit, ato kanë kanë gdhendur personalitetin e tyre rrezatues si aktiviste të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Në këto vitet e fundit, shërbimi shqip ka vazhduar të ripërtërihet, sipas kritereve rigoroze profesionale me redaktorë, gazetarë/gazetare, folëse cilësore dhe specialistë të aftë në të gjitha aspektet. Këtu spikat Keida Kostreci, gazetare dinjitoze, me një përvojë të lakmueshme mediatike në Shqipëri dhe prej 20 vitesh në Uashington; Keida i ka bërë vend vehtes dhe në elitën e komunitetit tonë në SHBA. Prej disa vitesh është integruar te ky shërbim Menana Zaimi, reportere, moderatore dhe folëse e mirënjohur në disa televizione në Tiranë. Disa muaj më parë atyre iu bashkua gazetarja e njohur Klementina Cenkollari; më e reja në moshë, por me 15 vite përvojë në tri televizione me emër në Tiranë, ku ka kaluar pothuajse të gjitha shkallët e ”hierarkisë” televizive. Kur ndjek Ditarin e sheh qartë ndërthurjen e harmonishme e kësaj trioje prestigjioze, ku Keida, Menada dhe Klementina rrezatojnë me finesë, seriozitet dhe kulturë të lartë vlerat, veçoritë, dhe personalitetin e tyre njerëzor dhe mediatik.
Natyrisht që arritjet e lartpërmendura në këto 30 vitet e fundit i dedikohen dhe ndihmesës së korrespondentëve të tij në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Falë këtyre cilësive aktorëve, faktorëve dhe përbërësve jetikë, Zëri i Amerikës në shqip vazhdon të shquhet për vërtetësinë e tij. Ai i përcjell lajmet nga disa burime dhe nëpërmjet verifikimit në vend, të shoqëruara me pohimet dhe oponencën përkatëse, dhe pastaj dëgjuesi gjykon vetë. Kjo vërtetësi është realizuar dhe falë paanshmërisë së gazetarëve dhe drejtuesve të tyre, mungesës së konfliktit të interesit, qëndrimit larg pasioneve dhe zelleve partiake, etj.
Së fundi, aspekti tjetër cilësor që bën dallimin me organet e tjera mediatike është se mesazhet dhe lajmet aty shprehen dhe shqiptohen me një shqipe të pastër dhe të pasur, pa huazime të panevojshme, por dhe pa rënë në puritanzëëm gjuhësor. Këtë realitet e ka pohuar edhe Mirela Milori, Zonjë e rrallë e ekranit tonë, e cila para disa vitesh ka qenë pjesë e stafit të Shërbimit shqip në Uashington kur thotë se shërbimi shqip i Zërit të Amerikës është shkollë më vehte për përdorimin e saktë dhe pa ndërhyrje të gjuhës shqipe në të gjitha elementët e saj thelbësorë. Kjo është me shumë rëndësi sidomos tani kur në gjuhën shqipe po “bëhet batërdia” duke e sakatosur nga çdo anë dhe ku fatkeqësisht edhe media po luan rol negativ.
Gjatë 35 viteve të fundit që e ndjek çdo ditë me vëmendje këtë shërbim dhe si njohës i gjuhësisë kam parë se gazetarët dhe redaktorët e saj përdorin në vend të fjalëve të huaja mbi 300 fjalë shqipe, shembull i spikatur ky për gjithë median tonë.
/Argumentum.al