Paga minimale tani e tutje në Kosovë do të jetë 250 euro neto. Qeveria ka miratuar projektligjin që e cakton pagën minimale në vlerën prej 250 eurosh neto apo 264 euro bruto. Paga minimale në Kosovë ishte 170 euro për moshën mbi 35 vjeç e 130 euro nën 35 vjeç dhe nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011.
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin që e cakton pagën minimale në vlerë prej 250 eurosh neto apo 264 euro bruto.
Me këtë vendim do të bëhet ora e punës në vlerë 1.5 euro.
Kryeministri Albin Kurti tha se nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë 100 mijë punëtorë.
“Nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë”, tha Kurti, teksa shtoi se rritja e pagës minimale ka qenë synim i qeverisë së tij.
Në ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se me miratimin e këtij projektligji do të rriten pagat e punëtorëve me pagë të ulët.
“Projektligji në fjalë e ka për qëllim që të plotësojë dhe ndryshojë ligjet të cilat lidhen me shumën e benificioneve ose kompensimeve në pagën minimale si dhe të ndryshojë shkallën tatimore në të ardhurat personale dhe të ndryshojë procedurën e vendosjes së pagës minimale. Me miratimin e këtij projektligji paga minimale do të shërbejë vetëm për të rritur pagën e punëtorëve me pagë të ulët ”, ka thënë Murati.
Sipas kësaj rritje, thotë Murati, punëtorët do të paguhen 1.5 euro për 1 orë punë.
“Miratimi i këtij projektligji në Qeveri dhe në Kuvend i hap rrugë sjelljes në Qeveri të vendimit për rritje të pagës minimale prej 264 euro bruto ose përkthyer në ore, 1.5 euro ora”.
Në arsyetim të propozimit, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se do të duhet të ndryshohen edhe ligjet që ndërlidhen me pagën minimale.
Është miratuar edhe ndryshimi i shkallës tatimore, që parasheh që të gjitha pagat të mos tatohen në 250-euroshin e parë.
Pas miratimit të këtij projektligji në Qeveri, i njëjti duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës.
Sipas rregullores së Kuvendit, shqyrtimi i parë i një projektligji nuk mund të bëhet pa kaluar dy javë pune por as më vonë se katër javë pune, nga dita e shpërndarjes së tij.
Pas kësaj, ligji u kthehet në shqyrtim komisioneve parlamentare, kurse më pastaj i dërgohen Kuvendit raportet me rekomandime për projektligjin në fjalë brenda dy muajve nga shqyrtimi i parë, ose pesë ditë pune para shqyrtimit të dytë në mbledhje plenare.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe rishikimin e buxhetit, duke e arsyetuar se është parë e nevojshme me qëllimin e ofrimit të ndihmës për qytetarët.
Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, i vetmi ndryshim do të bëhet te ministria që ai udhëheq. Sipas tij, ka pasur ndryshim në trendin e të hyrave, me rritje prej rreth 17 për qind në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.
Paga minimale në Kosovë është 170 euro për moshën mbi 35 vjeç e 130 euro nën 35 vjeç dhe nuk ka ndryshuar që në vitin 2011, e cila është më e ulëta në Europë.