Në Maqedoninë e Veriut të hënën janë vaksinuar gazetarët dhe punonjësit e tjerë të mediave. Sipas Shoqatës së Gazetarëve për tu vaksinuar ishin paraqitur 631 persona që kanë përmbushur kushtet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, të jenë më sëmundje tjera shoqëruese si dhe të moshës mbi 40 vjeç.
Gazetarët, sikur edhe grupet e tjera me rrezik në vendet e tyre të punës, janë imunizuar me vaksinën ruse SputnikV.
Me vaksinën AstraZeneca po vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç.
“Personat që aplikuan për thirrjen e parë, dhe që nuk i plotësuan kërkesat për këtë fazë të vaksinimit, si dhe të gjithë gazetarët dhe punonjësit e tjerë të medias të interesuar, do të imunizohen për grupin tjetër të vaksinimit që pritet të bëhet së shpejti. E njëjta gjë vlen për të gjithë ata që aplikuan pas skadimit të afatit të aplikimit në këtë fazë të vaksinimit”, thuhet në një njoftim me shkrim të Shoqatës së Gazëtarëve.
Deri të hënën në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar mbi 24 mijë persona. Në aplikacionin “vaksinimi” janë paraqitur mbi 140 mijë persona.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ndërkohë ka bërë të ditur për uljen e numrit të pacientëve me COVID-19 të shtruar në spitale, sikur edhe për numrin e të infektuarve.
Ai ka thënë se të hënën numri i të infektuarve është rreth 300, por se një statistikë më e saktë nëse ka ose jo ulje të numrit do të dihet të martën, meqë gjatë fundjavës numri i testeve të bëra është më i vogël se ditëve tjera.
“Ka një trend të rënies të uljes së numrit të pacientëve nëpër spitale, por vazhdojmë me kujdes të madh të ndjekim situatën. Kemi mjaft kapacitete për pranim të pacientëve, sistemi i rotacionit është akoma në funksion, kështu që në atë kuptim besoj se trendi do të vazhdojë, por ne jemi se jemi akoma të kujdesshëm dhe vigjilentë duke monitoruar situatën, tha Filipçe.
Maqedonia e Veriut deri të hënën ka realizuar rreth 700 mijë teste, prej të cilëve 141 mijë janë diagnostikuar me covid-19, prej tyre 4.228 e kanë humbur jetën, mbi 116 mijë janë shëruar ndërsa mbi 20 mijë janë ende aktiv.