Presidenti rus Vladimir Putin tha në një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron se çmilitarizimi i Ukrainës dhe njohja e sovranitetit rus nga Perëndimi mbi Krimenë ishin çelësi për t’i dhënë fund konfliktit. Macron i kërkoi liderit rus që të kursejë jetën e civilëve.
Presidenti francez Emmanuel Macron përsëriti kërkesat perëndimore për të ndalur sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës në një telefonatë të hënën me presidentin rus Vladimir Putin, tha zyra e liderit francez.
Zoti Macron i tha zotit Putin të ndalojë sulmet ndaj civilëve, të ruajë infrastrukturën civile dhe të sigurojë rrugët e Ukrainës. “Presidenti Putin konfirmoi gatishmërinë e tij për t’u përkushtuar në këto tre pika,” thuhet në deklaratë.
Telefonata mes dy liderëve ka zgjatur 90 minuta, sipas një ndihmësi të ngushtë të zotit Macron. Z. Macron e telefonoi zotin Putin me kërkesë të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, me të cilin lideri francez foli më herët të hënën, shtoi ndihmësi.
Macron dhe Putin ranë dakord të qëndrojnë në kontakt brenda ditëve të ardhshme për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës, tha zyra e zotit Macron.
Kujtojmë se sot zyrtarët ukrainas dhe rusë kanë përfunduar një raund të parë bisedimesh për të diskutuar një armëpushim. Delegacionet po kthehen në kryeqytetet e tyre përkatëse për konsultime.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mban të hënën një seancë speciale të rrallë urgjente të trupit prej 193 anëtarësh për pushtimin rus të Ukrainës.
Gjithashtu të hënën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban një takim mbi ndikimin humanitar të pushtimit. Të paktën 325 civilë, përfshirë 14 fëmijë, ishin vrarë që nga fillimi i pushtimit, sipas ministrisë së shëndetësisë të Ukrainës.
Më shumë se 500,000 ukrainas janë larguar tashmë nga konflikti, kryesisht në Poloni dhe Moldavi, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.