Editorial
Sot shënohen 11 vite nga 21 janari ku mbetën të vrarë katër protestues, Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Ato morën pjesë në protestën e opozitës asokohe të Partisë Socialiste para kryeministrisë kundër qeverisë nën drejtimin e Partisë Demokratike. Sikundër çdo 21 janar, edhe në këtë përvjetor të 11-të të tij, kryeministri Edi Rama dhe familjarë të viktimave të “21 Janarit” kanë kryer homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet në nder të 4 protestuesve të cilët humbën jetën.
Ky është një ritual që ndiqet çdo vit nga kreu i qeverisë i shoqëruar edhe nga familjarët e viktimave, por dhe anëtarë të kabinetit qeveritar duke vendosur lule në bulevard në vendet ku u vra secili prej 4 protestuesve, ku qëndron një pllakatë përkujtimore, ndërsa para kamerave secili kërkon drejtesi madje dhe vetë Kryeministri Rama.
Kryeministri Edi Rama, përmes rrjeteve sociale deklaroi se protestuesit e vrarë ishin të parrezikshëm ndërsa akuzoi si fajtorë të vërtetë për vrasjen, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.
Duke ia lënë barrën e fajit Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar, tha se PS i ka shlyer detyrimet ndaj Dëshmorëve me reformën në drejtësi.
“Për herë të parë është vënë një gur themeli për drejtësinë në Shqipëri dhe këtë gur e ka vënë kjo parti në pushtet. E ardhmja e drejtësisë nuk është blozë siç ka qenë para komunizmit, gjatë dhe pas komunizmit. PS mori përsipër të vendosi këtë gurë themeli. Durimi është një gjë e rrallë në këtë vend sepse njerëzit kanë pritur shumë. Mua mund të më shfryheni sa të doni, i mirëpres të gjitha, por nuk mund të më kërkoni llogari për 30 vjet e as mund të kërkoni të pamundur, funksionimin e plotë të drejtësisë kur akoma nuk është tharë boja në reformën në drejtësi. Kjo është si të kërkosh që një fëmijë të bëhet burrë për 4 vjet. Po pastrohet llumi i paparë në sistemin e drejtësisë”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se ka shlyer detyrimet me drejtësinë në momentin që ka votuar për Reformën në Drejtesi në mesnatën e 21-22 Korrikut të 2016.
E vertetë. Sikundër është e vërtetë që ajo reformë u firmos gjithashtu nga Sali Berisha, e po ashtu dhe nga partneri i tij në qeverisje z. Ilir Meta, ndërsa Lulzim Basha i shikonte i buzëqeshur nga llozha e parlamentit (atëherë nuk ishte deputet i parlamentit por ishte në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike).
Atëherë, secili prej tyre, mund të thotë pas Ramës se dhe ata kanë mbaruar punë me Drejtësinë.
Rama drejton gishtin ndaj Lulzim Bashës, në atë kohë Ministër i brendshëm, megjithatë po Lulzim Bashën z.Rama e fton për bashkëqeverisje. Madje z.Rama është treguar aq bujar me z.Basha sa i ka shtrirë dorën e tij duke i dhënë mundësi të bashkëpunonte në gjithçka. Kjo ka qenë oferta politike e Kryeministrit Rama para dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Në fakt nuk është hera e parë që Z. Rama bashkëpunon dhe bashkëqeveris me ata që ai i akuzon.
Duke kujtuar se protesta e 21 Janarit në fakt ishte jo drejtpërdrejtë kundër Berishës por kundër aleatit politik të tij, në atë kohë Kryetari i LSI-së z. Ilir Meta.
Megjithatë, 2 vite më vonë z. Rama do të vinte në pushtet për herë të parë si kryeministër i vendit falë koalicionit me LSI-në dhe partneritetit politik me z. Meta.
Kjo e legjitimoi edhe më tepër pafajësinë tij të marrë nga gjykata e lartë, “5 me 0” në favor të Ilir Metës për të cilën ishte akuzuar nga Edi Rama dhe që ky i fundit organizoi protestën më 21 Janar të 2011.
Ndaj vetë z. Rama nuk është i sinqertë së pari ndaj familjarëve të viktimave dhe më pas ndaj të gjithë popullit shqiptar ndërsa flet dhe kërkon Drejtësi në emër të 21 Janarit.
Kryeministri Rama drejtoi gishtin tek dy emra të përveçëm, Berisha dhe Basha. Duhet thëne se në ngjarjet e 21 Janarit janë fajtorë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi dhe shumë emra të tjerë duke përfshirë edhe vetë Kryeministrin Rama.
Të pafajshmit e vetëm në gjithë këtë ngjarje, janë viktimat e 21 janarit të cilët shkuan në një protestë dhe u vranë pabesisht. U pranë në besë nga ata që i thirrën dhe nga ata që i qëlluan.
Në çdo përvjetor në përkujtim të 21 Janarit që nga koha që Zoti Rama erdhi në pushtet, nuk ka munguar në homazhet për viktimat e 21 janarit në krah të familjarëve të tyre, si vrarje ndërgjegjje për atë që ai deri tani nuk u ka dhënë, Drejtësinë!
Në vitin 2017-2018 qeveria Rama akordoi mbi 2 milionë euro, për familjaret e viktimave. Një dëmshpërblim i drejtë duke marrë parasysh se kryefamiljarët e tyre humbën jetën në një protestë ndaj qeverisë, ndaj dhe qeveria cilado të jetë ajo duhet të kujdeset tashmë për ta.
Ndërsa në 10-vjetorin e 21 Janarit, qeveria e Republikës së Shqipërisë vendosi të japë titullin e lartë të “Dëshmorit të Atdheut”, për të katër viktimat e protestës të 21 janarit”
Përgjatë 11 viteve nga kjo ngjarje shënjuese në politikën shqiptare, qeveria Rama deri tani ka arritur vetëm dëmshpërblimin monetar dhe honorifik për familjarët e viktimave. Ndërsa mungon ajo që me të drejtë kërkojnë familjarët dhe i gjithë populli shqiptarë. Drejtësia!
Këto homazhe të përvitshme, janë një tmerr pa fund jo vetëm për familjarët e viktimave, por për të gjithë shqiptarët që e shohin këtë homazh qeveritar,( në traditën shqiptare këtë ritual duhet ta bëjnë atje ku prehen familjarët e tyre të dashur), homazhe të cilat nuk duhet asesi ta shmangin drejtësinë dhe as përgjegjësinë qoftë edhe të kryeministrit Rama.
Ndonëse në mandatin e tretë qeverisës, dhe me shumë se 5 vite nga Reforma në Drejtësi, është e pafalshme që nuk ka drejtësi për viktimat e 21 janarit.
Paradoksalisht, familjarët e viktimave drejtojnë ende gishtin nga drejtësia shqiptare duke e akuzuar që është në shërbim të ish-kryeministrit Berisha, edhe pse ky i fundit është në opozitë dhe jashtë funksioneve zyrtare prej 9 viteve.
Kështu, xhaxhai i të ndjerit Aleks Nika një prej viktimave të 21 Janarit, u shpreh para kamerave se kërkojnë drejtësi, duke thëne se ajo është e kapur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Me të drejtë ata kërkojnë drejtësi dhe duhet ta kërkojnë deri në fund, por sot këtë drejtësi duhet ta kërkojnë te Edi Rama dhe Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila fatmirësisht ka marrë “pishtarin” e drejtësisë tashmë prej 5 vitesh.
Jo më kot Ambasadorja Yuri Kim, del herë pas here në krah të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë te dalë nga reforma e drejtësisë, si institucione të suskeshme dhe që tashmë drejtësia po merr formë.
Atëherë kur gjithçka është nën kontrollin dhe drejtimin e SHBA-së pse ende gishti drejtohet nga Z. Berisha?!
Më shumë se sa kërkesë për drejtësi, fatkeqësisht kjo retorikë i politizon edhe vetë familjarët e viktimave.
Përtej emrave politik si Berisha, Basha, Meta, Rama…sot familjarët e viktimave duan drejtësi, sikundër çdo qytetar shqiptar që është traumatizuar nga pamjet televizive të ngjarjes së 21 Janarit.
Një drejtësi që sot nuk duhet ta kërkojmë vetëm nga ata që janë në pushtet por veçanërisht nga SHBA e cila është në krye të drejtësisë tashmë prej më shumë se 5 vitesh. Institucionet e drejtësisë të dala nga reforma në drejtësi e vitit 2016-të, sot duhet jo vetëm të flasin, por të veprojnë.