Në kujtim të nënës sime dhe të gjithë atyre që kanë humbur betejën me Covid-19
Sot ishte dita më e trishtë e jetës sime. Një pikëllim i thellë më mbërtheu tërë qenien time kur mora vesh lajmin e zi. Ti Sano ike në mënyrë të beftë. Unë të prita që ti të ktheheshe në shtëpinë tënde të dashur, por ti nuk munde dot. Kjo ishte e vetmja herë që s`ma plotësove dëshirën. Si nuk munde të ktheheshe?! Vetëm për një cast! Për një moment të vetëm që ti t`më ndjeje pranë dhe unë të dhuroja miliona puthje të munguara, të rrokja edhe një herë shpirtin tend të praruar, të puthja pa rreshtur ato duar të arta punëtore, të lehtësoja mundimin me aromë lulesh.
Ti Sano ishe njeriu ynë i mirë, shëmbulli i virtytit dhe i dashurisë njerëzore, i tolerancës dhe i përkushtimit të sinqertë. Ti nuk pushoje së rrezatuari mirësi dhë miqësi.
E dashura Sano! Ti kishe shumë pasione dhe dashuri në jetë. Por pasioni dhe dashuria jote e vërtetë ishte familja, njerëzit e tu të afërt, miqtë, shoqet dhe shokët e shumtë që të donin me shpirt. Ty të donte bashkëshorti yt, fëmijët, nipërit dhe mbesat, njerëzit e thjeshtë me të cilët ndave gëzime dhe brenga në jetë. Ndaj shpesh këto çaste zemra më djeg nga zjarri i mungesës tënde, zjarr që do të mbetet i ndezur përjetë.
Ti Sano nuk përtoje asnjëherë të kënaqje njerëzit e ty të dashur, miqtë me gatimet e tua të mrekullueshme. Sepse gatimin ti e shikoje si mundësi dhe mjet për të shpalosur dashurinë tënde njerëzore, shpirtin tënd të butë, kujdesin e admirueshëm për të afërmit dhe njerëzit e tu të zemrës. Ti Sano punove dhe jetove me ndershmërinë dhe thjeshtësinë që vetë ndërtove. Ti kurrë nuk iu ankove askujt për asgjë, ti kurrë nuk kërkove gjëra që s`të takonin. Ti ishe krenare dhe e lumtur sepse dije të fitoje zemra në betejat e shumta të jetës!
Tani lamtumirë Sano, nëna ime dhe nëna jonë e dashur, e dhembshur dhe e përkushtuar deri në madhështi. Të qoftë dheu i lehtë! Prehu në paqe! Në zemrat tona përherë do të mbetesh kurorë fati dhe mirësie!
Yt bir
BEDRI RAMIZI
Tiranë, dhjetor 2021