Editorial
Edhe presidenca e radhes e BE-së Portugalia, e përfundon kryesimin e saj në fund të muajt qershor pa arritur një datë për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet janë kthyer në fokusin e shtetëve europiane që marrin kryesimin e presidencës 6-mujore por që deri tani secila prej tyre ka dështuar me sukses.
Bashkimi Europian nuk hap negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas një vendimi bllokues të Bullgarisë, është ky togfjalëshi zyrtar që justifikon dështimin e BE-së përballë Ballkanit Perëndimor.
Problemet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut u bënë sërish pengesë për një vendimarrje në favor të organizimit të Konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nga njëra anë dhe Bashkimit europian nga ana tjetër, që do të shënonte dhe nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim për të dy vendet ballkanike.
“Megjithë angazhimin e madh, nuk u bë e mundur që të arrihet në një marrëveshje për kornizën e bisedimeve, e për pasojë nuk qe e mundur që të nisnim me konferncën ndërqeveritare me këto dy vende kandidate”, deklaroi të martën pasdite Ana Paula Zacarias, Sekretare e Shtetit për Çështjet europiane e Portugalisë, vendi i cili ka mbajtur presidencën e BE-së në 6 mujorin e parë të këtij viti.
Megjithatë për sa kohë që gjatë Presidencës gjermane të BE-së, nuk u arrit asnjë konsensus me Bullgarinë, si vendi që ka në dorë fatin e Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin e saj europian, nuk mund të kishim pritshmëri nga Portugalia e cila dihej që në krye të heres se ndryshe nga shtetet e tjera ky shtet nuk e ka në plan të parë zgjerimin e BE-së.
Për Shqipërinë, ka një konsensus të pranuar nga të gjithë shtetet, për t’i ndezur dritën jeshile përparimit të mëtejshëm të vendit në rrugën e integrimit. Së fundmi dhe Hollanda një ndër vendet më skeptike, ra dakort me vlerësimin e Komisionit europian për ecurinë pozitive të Shqipërisë.
Për Maqedoninë e Veriut, problem mbetet vetoja e Bullgarisë e cila nuk lëshon pe, ndonëse shumë vende anëtare po këmbëngulin që problemet bilateral të mos bëhen pengesë në procesin e integrimit. Mosmarrëveshjet mes Sofies dhe Shkupit lidhen me historinë dhe gjuhën. Bullgaria kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakice maqedonase në Bullgari. Po ashtu kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, që thotë se rrjedh nga bullgarishtja.
Ndërsa sa i përket ndarjes së ketyre dy vendeve Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë trajtuar së bashku në këtë proces, shtetet anëtare nuk kanë preferuar që t’i ndajnë ato nga njëra tjetra në këtë fazë.
Por të gjithë ata që shpresonin në një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe që gishtin e drejtojnë tek Bullgaria, e kanë gabim. Bullgaria sot është thjesht “zëdhënësi ” i BE-së ndaj dështimi i atribuohet vetëm familjes së madhe Europiane .
Po ashtu sa i përket atyre deklaratave të ndryshme në media se Shqipëria penalizohet nga Maqedonia e Veriut dhe kësisoj mund të kishte një ndarje ndërmjet tyre, u them të kthehen në vitin 2019 ku u penalizua Maqedonia e Veriut prej nesh. Pikërisht Tetorin e kaluar, gjatë takimit të Këshillit Europian, shumica e vendeve të BE-së ishin pro hapjes së negociatave me Maqedoninë Veriore, por u shprehën të shqetësuar për përparimin e Shqipërisë.
Madje sikundër Shqipëria shprehet sot, atëhere Maqedonia e Veriut kërkonte të ndahej nga Shqipëria dhe të vijonte e vetme drejt BE-së me parimin se “një është më mirë se asnjë.”
Pra definitivisht ndarja nuk është opisoni për këto dy shtete.
Por përsa kohë, jemi dy vende të ndryshme dhe me një politike të brendshme e të jashtme të ndryshme nga njëra-tjetra, atëhere lind pyetja, pse detyrimisht duhet të jemi bartes të problematikave të njëra-tjetrës?
Sepse si duket Bashkimi Europian nuk e ka në axhende zgjerimin e familjes europiane, ndaj dhe Bullgaria është kthyer si “kale troje” i BE-së në Ballkan”.
Rikujtojmë se Emmanuel Macron katër muaj pas marrjes së postit në vitin 2017 shpalosi planin e tij të madh për të ardhmen e afërt të Bashkimit Europian. BE-ja është “shumë e ngadaltë, shumë e dobët, shumë jo efikase”.
Nëse ne nuk funksionojmë si duhet me 27 anëtarë, si mund të jetë më mirë me 28,29 apo 30. Nuk e ndjejmë ende veten gati për të hapur derën, pavarësisht se e dimë që kishte shpresë të madhe te vendet që kanë bërë përparime, ishte deklarata e Presidentit francez.
E pra, sot pengese nuk është Bullgaria, as ecuria e vendeve kandidate, por vete Europa.
Kështu thotë dhe Kryeministri Rama, i cili jo vetëm në këtë rast, por edhe më parë ka treguar se problemi qëndron brenda Europës.
Kryeministrin Rama mund ta kritikojmë për shumëçka, por sa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ai ka qenë gjithmonë konseguent dhe i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij përballë zyrtarëve të lartë Europian.
Në një intervistë për televizionin francez “France 24”, kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të surprizohej nga asnjë vendim i Brukselit zyrtar lidhur me kuadrin negociues, qoftë ai dhe negativ.
Sipas kryeministrit, pavarësisht se Shqipëria i ka plotësuar kushtet, problemet e brendshme të Brukselit e kanë zgjatur shumë procesin.
“Para pandemisë, ishte vendosur që negociatat do të hapeshin, më pas u mor vendimi për të shtyrë Konferencën. Nuk më suprizon më asgjë nga Brukseli, sepse ka çdo ditë dinamika të brendshme, çdo ditë ka një histori që është e vështirë. Sigurisht që duam të shohim çfarë do të bëhet por tani kemi një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet”, tha Rama.
Ndërsa sot, një ditë pas përgjigjies negative nga BE, dy kryeministrat, Rama dhe Zaev u takuan në Forumin Ekonomik në Shkup, i cili mbahet për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, nga ku dhanë dhe deklaratat e tyre respeketive kane komentuar “bllokaden” e radhes nga BE.
“Dështoi Bashkimi Europian dhe jo Shqipëria apo Maqedonia e Veriut”. Këtë deklaroi nga Shkupi, kryeministri Edi Rama, një ditë pas vendimit të vendeve anëtare të BE për të mos caktuar datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për të dyja vendet, për shkak të vetos së vendosur nga Bullgaria.
“Dështoi Bashkimi Europian dhe jo Shqipëria apo Maqedonia e Veriut. Ne jemi partner i rëndësishëm ekonomik me Maqedoninë e Veriut. Ne nuk kemi dështuar, ata kanë dështuar. Është shtëpia e tyre, ne duam të hyjmë në këtë shtëpi, ndaj dhe nuk vendosim ne. Ne jemi në Europë, jemi të rrethuar nga kufij europianë. E vetmja keqardhje që kam është se do të ishte më mirë të na thonë se; ‘ju duam brenda familjes, por janë disa rregulla që nuk janë ende gati’, pasi krijohet një situatë pak e çuditshme, pasi qytetarët në Shqipëri i besojnë këta zyrtarë evropianë, dhe mendojnë se është politika e brendshme problem”, ka thënë Rama.
Nga ana e tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev u shpreh se vendimi i BE është dëshpërim i madh për dy vendet tona, por edhe mossukses i politikës së BE.
Sipas z. Zaev, pavarësisht vendimit të Bashkimit Europian, qeveritë e të dyja vendeve demonstrojnë vlera europiane. “Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, anëtarësimi në BE mbetet rruga e vetme”, tha kryeministri i RMV.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e cilësoi si të paprecedentë faktin që një shtet anëtarë i BE-së, e këtu iu referua Bullgarisë, të vendosë veto ndaj tyre, për çështje të brendshme bilaterale.
“I dashuri mik i imi Edi Rama. Të nderuar qytetar, sot jam këtu me vëllain tim Edi Rama. Sot Evropa ka një problem. Ideja e madhe për Evropën e Bashkuar ka problem dhe vetë kjo është BE. Brukseli na përsëriti që nuk bëhet integrimi i merituar për Ballkanin Perëndimor, ky është problemi. Ku 27 shtete nuk heqin bllokadën e vendosur nga një shtet të BE, ky është problemi. Ne s’jemi vetëm.
Javën e kaluar, unë dhe delegacioni i Maqedonisë së Veriut shkuam në Sofje për të gjetur zgjidhje e për të bërë hap pozitiv në Bullgari. Rama ishte në Shkup për të koordinuar punët. Edhe pse bëmë hap përpara e mesazhet tona ishin të qarta, nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, tani është momenti për të gjetur forca. Pavarësisht se ishim të vetëdijshëm në pritshmëritë tona, vendimi i BE për të mos caktuar konfrencën e parë ndërqeveritare është dëshpërim i madh dhe mossukses i BE për zgjerimin dhe mesazh i keq për Rajonin. Vota e Bullgarisë për të mos dhënë votën për hapjen e negociatave nuk është në të mirën e frymës për fqinjësisë së mirë. Negociatat me BE nuk mund të kthehen në negociata me Bullgarinë”, tha Zaev.
Nisur dhe nga fjala e kryeministrit maqedonas, me të drejtë lind pyetja, me kë duhet të negocioje sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me BE-në apo Bullgarinë?
Kush janë penguesit e vertetë të integrimit europian të rajonit Perëndimor?
Sigurisht as Rusia e as Kina, vende të cilat BE dhe SHBA i shohin si kërcënim për Ballkanin Perëndimor. Po të ishin vertetë “kërcënim ”, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do ishin tashmë në tryezen europiane (!)
E dashur Europë, miti i “gogolit”rus dhe kinez, tashmë ka rënë… Tani është koha të mbani premtimet!
© Argumentum