Bullgaria i jep mbështetje të plotë integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Kjo është theksuar në një projekt-deklaratë të Asamblesë Kombëtare për Zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Në këtë dokument, Sofja i bën thirrje Shkupit që të zbatojë në mënyrë efektive dhe pa vonesë vullnetin e mirë për të zbatuar Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi dhe Bashkëpunim të nënshkruar nga Kryeministrat Boyko Borisov dhe Zoran Zaev më 1 gusht 2017.
“Bullgaria kërkon të kuptojë të vërtetën historike për historinë tonë të përbashkët, të cilën e ndajnë të dy kombet tona … Të përmbahemi në atë që është rënë dakord në punën e Komitetit të Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për çështjet Historike dhe Edukative”, thuhet në dokument.
Draft-deklarata kërkon të ndalojë të gjitha format e gjuhës së urrejtjes ndaj Bullgarisë dhe qytetarëve të Maqedonisë Veriore me vetëdije bullgare, përfshirë në media, monumente, pllaka përkujtimore etj.
Në lidhje me Shqipërinë, Sofja kërkon garantimin maksimal të së drejtës së pakicës kombëtare bullgare për të studiuar gjuhën letrare bullgare si gjuhë amtare në rajonet ku jeton ajo pakicë, përkatësisht në Gollobordë, Gora, Prespë, Korçë, Elbasan, Kukës.
Bullgaria kërkon gjithashtu dhe llogaritjen e popullatës sipas standardeve evropiane në mënyrë që të pasqyrojë në mënyrë objektive përkatësinë etnike.
“Mbi këtë bazë dhe në këto kushte Asambleja Kombëtare e Bullgarisë mbështet negociatat para pranimit për anëtarësimin në BE të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Republikës së Shqipërisë”, thuhet në projekt- deklaratë.