Qeveria Shqiptare dhe ajo Gjermane nënshkruan një marrëveshje për ofrimin e asistencës teknike për të mbështetur përgatitjet për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE në kapitujt e përzgjedhur ekonomikë të Acquis.
Në një njoftim për shtyp, Ambasada Gjermane në Tiranë, bën të ditur se, “Programi, i cili ka një vlerë prej 2 milionë eurosh dhe zgjat tre vjet, financohet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (BMZ) dhe zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH”.
Programi synon të pajisë anëtarët e strukturave të ardhshme përgjegjëse për negociatat e Shqipërisë me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të kryer negociatat e anëtarësimit në BE në katër kapitujt kryesorë që kanë të bëjnë me: cilësinë dhe garantimin e sigurisë së produkteve në treg (Kapitulli 1); mbrojtjen e shëndetit dhe të drejtave të konsumatorëve (Kapitulli 28); zhvillimin e konkurrueshmërisë së SME-ve (Kapitulli 20); mundësimin për shoqëritë tregtare dhe individët për t‘u vendosur dhe/ose ofruar shërbime lirisht dhe pa u diskriminuar kudo në BE (Kapitulli 3).
Bashkëpunimi do të ofrojë mbështetje për të avancuar në punën përgatitore të nevojshme për përmbushjen e kritereve të kërkuara (benchmarks) në këta kapituj. E fundit por jo më pak e rëndësishme, pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile në këtë proces do të nxitet duke lehtësuar konsultimet dhe tryezat e diskutimeve me përfaqësues të komunitetit të biznesit, shoqatave të konsumatorëve dhe aktorëve të tjerë joshtetërorë.
Si një ofrues shërbimi me mbi 50 vjet eksperiencë në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim të qëndrueshëm, GIZ është përkushtuar në formësimin e një të ardhmeje të denjë për tu jetuar në mbarë botën.
Ekspertiza GIZ mbulon një larmi fushash, duke përfshirë zhvillimin ekonomik
dhe nxitjen e punësimit, energjinë dhe mjedisin, paqen dhe sigurinë dhe kërkohet në të gjithë globin nga Qeveria Gjermane, institucionet e Bashkimit Evropian, Kombet e Bashkuara, sektori privat dhe qeveritë e shteteve te tjera. Kontraktuesi kryesor i GIZ është Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ).
Bashkëpunimi midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipërisë filloi në vitin 1988. Gjatë këtyre viteve, GIZ ka realizuar projekte prej rreth 200 milion euro. Bashkëpunimi me Qeverinë Shqiptare aktualisht është fokusuar në tre fusha prioritare të cilat janë: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik; uji, ujërat e zeza, mbetjet e ngurta dhe në një masë më të vogël efiçienca e energjisë.