Kryeministri holandez, Mark Rutte u shpreh të mërkurën në Berlin, se kemi më shumë shqetësime për Shqipërinë se sa për Maqedoninë e Veriut në lidhje me progresin e bërë për hapjen e negociatave.
Kryeministri holandez, Mark Rutte vizitoi Berlinin të mërkurën me kabinetin e tij qeveritar për të biseduar mbi bashkëpunimin gjermane në fushën e mbrojtjes së klimës dhe zhvillimit të energjive të rigjenerueshme. Por në konferencën e shtypit bashkë me kancelaren Merkel ai u shpreh edhe në lidhje me hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. I pyetur, nëse Holanda do të japë përgjigje pozitive për hapjen e negociatave, Rutte u shpreh se kemi ende shqetësime.
“Ne, si shumë vende të tjera ende jemi të shqetësuar – diçka më pak për Maqedoninë e Veriut dhe më shumë për Shqipërinë. Pyesim veten, se sa përpara ka shkuar progresi në Shqipëri, dhe aty kemi më shumë shqetësime. Për këtë ne do të flasim në javët e ardhshme edhe me partnerët europianë, sepse jemi vërtet të shqetësuar, për masën e progresit të arritur. Maqedonia e Veriut ka arritur më shumë se Shqipëria, dhe për këtë do të ketë ende bisedime.”/dw