Nënshkruhet marrëveshja për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Azerbajxhanit, duke hapur mundësi të reja për turizëm, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim mes dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Besart Kadia, zv.Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Fariz Rzayev, zv.Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Azerbajxhanit.
Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Z. Anar Huseynov reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X” duke u shprehur se, ky është një tjetër kontribut i fuqishëm në marrëdhëniet dypalëshe.
“Fariz Rzayev, Zëvendës Ministër i Jashtëm i Azerbajxhanit, dhe Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Besart Kadia, folën për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve tona, me fokus ndërveprimin ekonomik dhe kontaktet mes njerëzve. Takimi pasoi me nënshkrimin e marrëveshjes për përjashtimin e vizave – një tjetër kontribut i fuqishëm në marrëdhëniet dypalëshe”, shkroi në rrjetin social “X” ambasadori Anar Huseynov.
Marrëveshja u nënshkrua ndërsa Kryeministri Edi Rama ndodhet në Azerbajxhan në krye të një delegacioni të nivelit të lartë për të zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme.
Kryeministri Rama mori pjesë fillimisht si i ftuar nderi i Presidentit Ilham Alijev, për të adresuar Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit, si edhe për të diskutuar bashkërisht për ecurinë e projekteve tona të përbashkëta në fushën e energjisë, ku tanimë është gati studimi i gazifikimit të zonës së Korçës, si hap i parë i programit të shtrirjes së gazit për konsum të përgjithshëm në Shqipëri, ashtu si edhe është drejt përfundimit studimi i tubit lidhës të TAP-it me TEC-in e Vlorës, ndërkohë që ka nisur investimi për vënien në punë e zgjerimin e kapaciteteve të këtij të fundit.
Zhvillimet ekonomike dhe energjetike do të jenë në fokus të takimeve.
/Argumentum.al