Një nga projektet më të rëndësishëm që do të zbatohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në vend tashmë ka avancuar me një fazë të re.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim njoftoi se është zgjedhur fituesi që do të ofrojë asistencën teknike për ndërtimin e nënstacionit nëntokësor në Sheshin Skendërbej i pari i kësaj natyre në vendin tonë.
Projekti mbështetet nga kredia që BERZH miratoi më herët si mbështetje e pas COVID-19 ku përveç likuiditetit të kompanisë parashikoheshin edhe investime.
Konkretisht projekti për nënstacionin nëntokësor llogaritet me një kosto rreth 15 milionë euro. Vetë BERZH njoftoi se fituesi i kontratës së asistencës teknike do të marrë rreth 1 milionë euro.
“Qëllimi i kësaj Detyre Teknike (TA) është të ofrojë asistencë teknike për OSHEE-në për ndërtimin e një Nënstacioni të ri 110/20 kV që ndodhet pranë Sheshit Skënderbej, në qytetin e Tiranës. Nënstacioni i propozuar do të jetë një objekt nëntokësor me komutues të tensionit të lartë të izoluar me gaz dhe 3 transformatorë funksionalë me hapësirë për 1 transformator rezervë. Për këtë detyrë të ndihmës teknike: Konsulenti do të ofrojë mbështetje për konsulencë inxhinierike duke përfshirë përgatitjen e dizajnit të detajuar, dokumentet e tenderit dhe kërkesat e tenderit, mbështetjen e prokurimit, mbikëqyrjen e zbatimit të PVMS-së dhe mbështetjen e mbikëqyrjes së zbatimit. Konsulenti do të ekzaminojë ndërfaqet kryesore teknike për ndërtimin dhe funksionimin e këtij nënstacioni të ri.
Konsulenti do të analizojë gjithashtu projektin teknik paraprak, teknologjinë e propozuar dhe kërkesat operative të nënstacionit të propozuar. Është e rëndësishme të theksohet se ky projekt-propozim bazohet në përdorimin për herë të parë të nënstacionit nëntokësor dhe teknologjisë së komutuesve të izoluar me gaz” thuhet në njoftimin e BERZH.
Kontrata parashikon që punimet të zhvillohet përgjatë tre viteve dhe në 25 mars 2026 ajo të përfundojë. Në shtator 2021 BERZH dhe OSHEE nënshkruan një marrëveshje huaje për 70 milionë euro dhe e planifikuar në dy transhe.
Asistenca e BERZH në atë kohë parashikonte gjithashtu përmirësimin e proceseve, përmirësimin dhe forcimin e procedurave të shëndetit dhe sigurisë dhe sistemit të menaxhimit, rritjen e aftësive teknike përmes ofrimit të trajnimit, dhe përgatitjen e një udhërrëfyesi të rrjetit inteligjent për OSHEE./N.Maho