Ministria e Infrastrukturës njoftoi rinisjen e transportit detar për udhëtarët duke filluar nga dita e hënë, por jo të gjithë mund të lëvizin në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian. Pas njoftimit të Ministrisë, Drejtoria e Përgjithshme Detare ka dalë me një njoftim të dytë për të sqaruar se cilat janë kategoritë që përfitojnë nga hapja e porteve.
Sipas njoftimit të kësaj drejtorie, janë tre kategori që përfitojnë nga hapja e datës 22 qershor, ndërsa për qytetarët që nuk bëjnë pjesë në asnjërën prej këtyre kategorive duhet të pritet data 1 korrik dhe gjithmonë nëse BE nuk merr një vendim për zgjatjen e masave kufizuese të lëvizjes me vendet jashtë unionit.
“Do të lejohen të lëvizin me transport ndërkombëtar të trageteve të gjithë shtetasit e huaj që ndodhen në Shqipëri, ose vijnë për në Shqipëri për punë, apo biznes. Do të lejohen të lëvizin nga dhe për në Shqipëri, të gjithë shtetasit shqiptarë që janë rezidentë në vendet e BE dhe janë të pajisur me dokumenta të shteteve të BE, ose shteteve të tjera jashtë BE. Do të lejohen të lëvizin të gjithë diplomatët shqiptarë dhe të huaj, si dhe diplomatë të Republikës së Kosovës me automjetet e tyre personale në hyrje dhe në dalje për dhe nga Shqipëria”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Drejtoria e Përgjithshme Detare.
Në njoftim saktësohet se autoritetet shqiptare janë në pritje të vendimit për hapjen përfundimtare të kufijve nga ana e vendeve të BE-së, ku si datë është vendosur 1 korriku.
Ndërkohë, DPD u kërkon të gjitha kapitenerive të porteve dhe autoriteteve të tjera ligjzbatues që të monitorojnë dhe zbatojnë me përpikmëri masat e sigurisë anti-Covid19./h.e