Kuvendi pritet të mblidhet nesër në orën 10:00. Ky ka qenë njoftimi që grupi parlamentar socialist u ka dërguar deputetëve. Selia rozë ka njoftuar ligjvënësit për nisjen e punimeve të Kuvendit në seancë plenare të martën në orën 10:00, teksa jashtë ambienteve të kuvendit opozita do të mblidhet në protestë.
Këtë të hënë në mbledhjen e grupit të PS-së është bërë e ditur se në seancën e nesërme pritet që të betohen po ashtu dhe 4 kandidatë për deputetë nga rradhët e LSI-së, të cilët refuzuan të dorëzojnë mundësinë e tyre për t’u bërë deputetë të kuvendit. E ndersa në parlament do të bëhet seancë dhe betim nga ana e deputetëve të rinj, jashtë kuvendit opozita do të protestojë në tubimin e 4 në rradhë brenda pak javëve.
Mësohet gjithashtu se në mbledhjen e PS-së, deputetët kanë kërkuar nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, që policia të garantoje sigurinë e këtyre të fundit nga protestuesit, duke marrë shkas dhe nga ngjarjet e të martës së kaluar, ku Blendi Klosi dhe Paulin Sterkaj patën incidente me qytetarët në protestë.
Kujtojmë se këtë të hënë KQZ do të mblidhet për të vendosur për fatin e 4 kandidatëve që duan të marrin mandatin. Fjala është për kandidatë nga listat e LSI-së dhe me gjasa në mbledhje emrat e tyre do të kalojnë në votim, për të shkuar ditën e nesërme në seancë parlamentare. Nga ana tjetër po këtë të hënë në KQZ, kandidati për deputet i PD-së Lefter Maliqi, ka paraqitur formularin e dekriminalizimit dhe pritet që dhe ai t’i bashkohet atyre që opozita i ka quajtur si “tradhëtarë”