Nesër do të mbahet seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare që doli nga zgjedhjet e 15 korrikut.
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev theksoi se pas festës së 2 gushtit – Ilindenit, do të nis bisedimet me partitë për formimin e shumicës parlamentare.
Nga ana tjetër, edhe VMRO-DPMNE që ka dy mandate më pak ka theksuar se do të marrë pjesë në garën për formimin e Qeverisë, nëse shumicën nuk e siguron Zaev. Kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski nuk përjashtoi mundësinë që vendi në shtator sërish të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi që asnjë nga partitë nuk mund të sigurojë koalicion stabil, për shkak të numrave.
Partitë shqiptare janë në pritje të bisedimeve dhe se deri tani ato kanë shprehur qëndrimet e tyre se janë të hapura për koalicionime, duke u bazuar në platformën e tyre politike.
Në zgjedhje e 15 korrikut, LSDM fitoi 46 mandate bashkë me Lëvizjen BESA, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, ASH – AAA 12, E Majta 2 dhe PDSH 1. (INA)