Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu njoftoi kabinetin e tij qeveritar se gjatë muajve të fundit ka patur një “rënie dramatike”, siç e cilësoi ai, të furnizimeve me armë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa ushtria vijon operacionet në Gazë.
“Unë e vlerësoj shumë mbështetjen e Presidentit Biden dhe të administratës amerikane për Izraelin. Që nga fillimi i luftës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë ofruar një mbështetje shumë të rëndësishme me paisje mbrojtëse dhe armë të tjera. Por rreth 4 muaj më parë ka patur një rënie dramatike të furnizimeve me armë nga Shtetet e Bashkuara për Izraelin. Ne u jemi drejtuar miqve tanë amerikanë me një kërkesë për të përshpejtuar dërgesat, ne e bëmë atë me zyrtarë të lartë dhe zyrtarë të tjerë të rangut më të ulët. Më pëlqen të theksoj ne i bëmë kërkesat pas dyerve të mbyllura, por nuk morëm asgjë”, theksoi ai, ndërsa ekspertët thonë se kjo deklaratë tregon edhe njëherë tensionet mes dy aleatëve.
Presidenti amerikan Joe Biden ka vonuar dërgimin e disa bombave të rënda që nga maji pasi ka shqetësime se ato mund të përdoreshin në zona ku ka shumë civilë. Megjithatë zoti Netanyahu tha se “shpresonte dhe besonte që kjo çështje do të zgjidhej shumë shpejt”.
Javën e kaluar Shtëpia e Bardhë shprehu pakënaqësinë në lidhje me kritikat e bëra nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu për dërgesat e armëve amerikane, duke i quajtur deklaratat e tij “irrituese”.
Deklarata e sotme e kryeministrit izraelit u bë ndërsa ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant udhëtoi për në Uashington për takime me zyrtarë të lartë.
“Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i rëndësishëm. Lidhjet tona janë të rëndësishme dhe ndoshta më të rëndësishme në ditët e sotme se kurrë më parë”, deklaroi zoti Gallat përpara nisjes, ndërsa nuk foli për çështjen e armëve.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit filloi pasi grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Evropian, bëri një sulm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë peng 250 të tjerë, sipas të zyrtarëve izraelitë.
Përgjigja ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës ka shkatërruar një pjesë të madhe të territorit, ka vrarë mbi 37598 persona dhe ka plagosur mbi 86,032 të tjerë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, të drejtuar nga Hamasi dhe e cila nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.
Në një tjetër zhvillim, grupet e mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme thonë se mijëra luftëtarë të tyre janë gati të shkojnë në Liban për t’u bashkuar me grupin militant Hezbollah kundër Izraelit. Ekspertët kanë frikë se situata mund të përshkallëzohet në një luftë të plotë përgjatë kufirit verior të Izraelit me Libanin, ndërsa ka pasur shkëmbime të sulmeve përditshme që kur nisi lufta në Gazë.
Situata në veri u përkeqësua këtë muaj pasi një sulm ajror izraelit vrau një komandant të lartë ushtarak të Hezbollahut në Libanin jugor. Hezbollahu u kundërpërgjigj duke gjuajtur qindra raketa dhe dronë shpërthyes në veri të Izraelit.
Zyrtarët izraelitë kanë kërcënuar se do të ndërmarrin një ofensivë ushtarake ndaj Libanit nëse tërheqja e luftëtarëve të Hezbollahut nga kufiri nuk mund të arrihet përmes negociatave./voa