Nga Genc Mlloja
Në Forumin Ekonomik të Davosit në vitin 2017 Presidenti i Kinës Xi Jinping shtroi para tërë botës pyetjen: “Çfarë ka shkuar keq me botën”? Dhe duke parashtruar në hollësi në fjalimin e tij alternativën për zgjidhje afatgjatë të problemeve të shumta që shqetësonin mbarë njerëzimin ai theksoi se ata nuk ishin krijuar nga globalizmi ekonomik dhe argumentoi se fajësimi i globalizmit ekonomik për tërë problemet e botës nuk përputhet me realitetin dhe nuk do të ndihmojë zgjidhjen e problemeve.
Në atë rast ai solli shëmbullin e Kinës, e cila kishte patur dyshime mbi globalizmin ekonomik dhe në këtë kontekst kishte hezituar ti bashkohej Organizatës Botërore të Tregëtisë (World Trade Organization), por më pas arriti në konkluzionin se integrimi në ekonominë globale ishte një tendencë historike dhe prandaj ndërmorri hapin e guximshëm të përqafonte tregun global. “Ne kemi mësuar si të notojmë në këtë proces. U provua se ishte një zgjedhje e drejtë strategjike”, deklaroi Xi më 2017.
Periudha katër-vjeçare që nga ajo kohë e ka përforcuar këtë qëndrim sepse platforma e globalizmit ekonomik me të gjithë komponentët e saj të bashkëpunimit drejt një bote më ndërvepruese, më bashkëpunuese dhe më miqësore për të tërë jo vetëm që i dha Kinës rezultatet e saj tashmë impresionuese dhe të njohura botërisht, por është kthyer në alternativë mbarëbotërore për zhvillim të qëndrueshëm dhe paqë e siguri në botë, veçanërisht si e vetmja rrugë për të kapërcyer murtajën kovidiane dhe rimëkëmbur strukturën ekonomike botërore e cila ka marrë të çara të mëdha që nuk mbyllen dot me masa kozmetike.
I ftuar nga kreu i Forumit Ekonomik Botëror, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i tij, Klaus Schwab Presidenti kinez Xi Jinping do të jetë i pari në listën e 25 kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse që do ti drejtohet Forumit vjetor të 51-të më 25 janar 2021 jo vetëm audiencës së ftuar prej mëse 2000 pjesëmarresish nga më shumë se 60 vende të botës, teoricienëve dhe studjuesve më në zë ndërkombëtarë në këtë veprimtari që do të zgjasë deri më 29 janar, por mbarë botës kur për shumë vende e popuj Kina është bërë pikë referimi e shpresëdhënëse, veçanërisht në luftën kundër COVID-19 dhe për kapërcimin e pasojave shkatërruese të pandemisë duke hyrë në një erë të re pas-kovidiane.
Nën moton “Kapja e vitit kyç dhe rindërtimi i besimit të palëve” Forumi Ekonomik Botëror i Davosit do të zhvillohet në formë videodialogu, ku udhëheqës politikë dhe të biznesit do të diskutojnë nëpërmjet internetit për veprimet e përbashkëta mbi përballimin e pandemisë, sipas organizatorëve tradicionalë të tij.
“Rikthimi i besimit dhe rritja e bashkëpunimit global janë thelbësore për nxitjen e zgjidhjeve inovative dhe të guximshme për të ndaluar pandeminë dhe për të nxitur një rimëkëmbje të fuqishme”, tha Klaus Schwab i cituar nga portali i WEF në 23 Janar. “Ky takim unik do të jetë një mundësi për udhëheqësit të paraqesin vizionin e tyre dhe të adresojnë çështjet më të rëndësishme të kohës sonë, siç është nevoja për të përshpejtuar krijimin e vendeve të punës dhe për të mbrojtur mjedisin”, theksoi ai.
Dhe nëse në 2017 u shtrua pyetja nga Presidenti Xi çfarë ka shkuar keq në botë tani më 2021 mbarë njerëzimi shpreson dhe pret me padurim si të bëhen gjërat mirë dhe të kapërcehet qorrsokaku ku ndodhet ai në këto kohë ndër më të vështirat ndoshta edhe se ata të pas Luftës së Dytë Botërore. Sepse edhe sikurse e vë në dukje “Raporti mbi rreziqet globale”, të publikuar më 19 janar nga Forumi Ekonomik Botëror, pandemia e COVID-19 ka acaruar polarizimin midis të pasurve dhe të varfërve dhe ndasitë sociale, dhe do të pengojë zhvillimin ekonomik në tre deri pesë vjetët e ardhshëm dhe do të nxisë tensionet gjeopolitike gjatë viteve të ardhshme. Prandaj gjëndja e komplikuar sot në botë e bërë më e vështirë nga pandemia kërkon që të kapërcehet ‘fryma e mosmarrëveshjes’ e të shkohet drejt ‘frymës së bashkëpunimit’, kompromisit, të përfitimit të ndërsjellt për të gjithë.
Dëshmi të qarta të initiciative në frymën e nxitjes së këtij kursi drejt multilateralizmit funksional janë të shumta angazhimet dinamike të Kinës në OKB ku tashmë ajo është kontribuesja e dytë më e madhe e buxhetit të saj, në Bankën Botërore, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, UNIDO apo Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit. Në aspektin e ruajtjes së paqës ajo rradhitet në vend të parë për numrin e paqëruajtësve të OKB-së. Dy marrëveshjet historike të Kinës me Bashkimin Europian dhe me vendet e rajonit Azi-Paqësor (RCEP) në këtë kohë pandemie vitin e kaluar janë piketa themelore në kursin e forcimit të multilateralizmit.
Nga ana tjetër iniciativa ‘Një Brez, Një rrugë’ (BRI) është kthyer në shëmbull të bashkëpunimit të përfitimit reciprok me një shtrirje gjeografike që nuk ka krahasim me asnjë përpjekje të kësaj natyre sepse po ngrihen rrjete hekurudhash, rrugësh, portesh, infrastruktura të energjisë që e kanë intensifikuar lidhjen e Kinës me Afrikën, Europën, përfshi edhe Ballkanin Perëndimor. Po kështu edhe mekanizmi ’17 + 1’, i cili do të zhvillojë takimin e udhëheqësve të vendeve anëtare ndër të cilët edhe Shqipëria në fillim të shkurtit të këtij viti, vazhdon shtimin e projekteve duke zhvilluar më tej në mënyrë të veçantë infrastrukturën e këtyre vendeve duke u kthyer në model bashkëpunimi të Kinës me vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore.
Nga ana tjetër çfarë ndodhi me Kinën në aspektin e investimeve të huaja gjatë vitit 2020 kur në mënyrë paradoksale kishte hamendësime nga më të ndryshmet se kapitalet e huaja do të largoheshin prej andej dhe madje pati syresh që bënin plane për thithjen e tyre? Të dhënat e publikuara ditët e fundit nga Ministria e Tregtisë e këtij vendi tregojnë se vitin e kaluar, pra në vitin e kulmit të pandemisë, përdorimi real i kapitalit të huaj në Kinë arriti vlerën 999.98 miliardë juanë, që është 6.2 përqind më shumë në krahasim me një vit më parë, duke arritur një rekord të lartë historik.
Përdorimi real i kapitalit të huaj në sektorin e shërbimeve vitin e kaluar arriti në 776.77 miliardë juanë, afro 77.7% e vëllimit të përgjithshëm, duke u shtuar 13.9 % krahasuar me vitin 2019. Në vitin 2020, kur investimet e drejtpërdrejta të huaja në shkallë globale u ulën, Kina ruajti forcën e saj tërheqëse për investimet e huaja, falë përpjekjeve të mëdha duke zbatuar politikat e ndihmës ndaj ndërmarrjeve në fushat fiskale, të financimit, të sigurimeve shoqërore etj., të cilat mbuluan edhe ndërmarrjet me investime të huaja. Kina kontrolloi e para përhapjen e epidemisë brenda vendit dhe realizoi e para rifillimin e punës, duke shtuar besimin e investitorëve të huaj. Vitin e kaluar, “Exxon Mobil”, “Daimler”, BMW, “Toyota”, LG dhe shumëkombëshe të tjera shtuan investimet në Kinë. Në të njëjtën kohë, qeveria kineze nxiti hapjen e mëtejshme të tregut për të tërhequr investimet e huaja, duke hequr vjet shumë kufizime ndaj tyre.
Përveç kësaj, mjedisi i biznesit në Kinë po përmirësohet në mënyrë të pandërprerë. Më 1 janar të vitit 2020 filloi zbatimi i Ligjit të Investimeve të Huaja, i cili garanton sistemin ligjor për investimet e huaja.
Sipas një sondazhi të fundit nga Ministria e Tregtisë e Kinës, gjatë vitit të kaluar afro 60 përqind e kompanive të huaja në Kinë kanë pasur rritje ose nivel të njëjtë të të ardhurave e fitimeve dhe afro 90 përqind e tyre janë optimiste për të ardhmen.
Nga ana tjetër është impresionues fakti se shtresa me të ardhura mesatare e popullsisë prej 1.4 miliard i ka kapërcyer të 400 milione vetët ndërsa edhe më mbresëlënes është fakti se tashmë Kina deklaroi zyrtarisht voting e kaluar se ka shrrënjosur varfërinë.
“Ne duhet të bashkojmë forcat dhe të ngrihemi mbi sfidat. Historia është krijuar nga trimat. Le të rrisim besimin, të ndërmarrin veprime dhe të ecim përpara krah për krah drejt një të ardhme të ndritur”, ishte thirrja që Xi i bëri njerëzimit më 2017. Mund të thuhet me plot goje se ky motiv mbetet më aktual se kurrë edhe sot si thirrje për veprim.
Sigurisht që kohët kanë ndryshuar, po kështu edhe ngjarjet dhe situatat në vende specifike, në rajone dhe mbarë botën. Askujt nuk i shkonte ndërmënd se kriza shëndetësore do të shkaktonte fatëkeqësisht atë që po ngjet.
Gjithashtu kishte shumë skeptikë në pranverën e vitit të kaluar që Kina do t’ia dilte mbanë në luftën kundër pandemisë dhe madje të arrinte të kapërcente tragjedinë duke e kthyer në fitore dhe arritje të pashëmbullta.
Prandaj mendoj se kjo frymë e shëmbullit kinez do të përçohet mëtej nga presidenti Xi në Davos nën moton stoike të udheheqjes së këtij populli për forcim të bashkëpunimit dhe solidaritetit larg fantazmave armiqësore e keqdashëse që kurrë nuk i kanë sjellur të mira botës. Në fund të fundit, historia po dëshmon se çelësi për zhvillimin e një rendi të ri botëror ekonomik, shëndetësor dhe social nuk është izolacionizmi dhe supremacia e ‘njëshit’ por dialogu, respekti dhe bashkëpunimi ndërmjet të gjithë vendeve. Shpresohet se kryetarë të shteteve dhe qeverive do të bashkohen pikërisht për të adresuar nevojën urgjente për bashkëpunim global në Forumin e Davosit./CRI