Flet profesori dhe analisti i njohur nga Kosova
Zoti Spahiu, opinioni publik shqiptar po zien këto ditë nga informacionet për një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë. A duhet të jemi të shqetësuar apo të çliruar se po merr zgjidhje një çështje e vështirë?
Këtë nuk e dimë. Kur ta shohim tekstin e marrëveshjes mund të konstatojmë se mund të marrim frymë lirisht ngase më e keqja kaloi apo të shqetësohemi se më e keqja po vjen. Kjo varet nga pazari që tashmë duket se veç është prerë. Ka shumë faktorë që e përcaktojnë këtë. Raportet Amerikë-Europë-Rusi, por edhe nga ajo se çfarë ka dëshmuar funksionimi i Kosovës në këto 20 vite. E panjohura më e madhe është raporti mes Fuqive të Mëdha, dhe këtu ka ca shpresa që pazari të jetë më i mirë. Sa i përket asaj se çfarë ka merituar Kosova përgjatë këtyre 20 viteve të funksionimit të saj, këtu shpresat janë më të pakta. Edhe 20 vite pas çlirimit e 11 vite të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në qendër të Prishtinës valon flamuri i Shqipërisë e jo flamuri i Kosovës. Ky fakt flet shumë në kuptimin figurativ. Ky fakt flet që Kosova nuk ka besim në vetvete, që pret që problemet e saj t’i zgjidhë Tirana. Kjo gjë i bën të huajt të qeshin e të mëshirohen duke ditur që Tirana nuk është e zonja t’i zgjedhë as problemet e Shqipërisë e lëre më të Kosovës. Kjo tregon se shumica dominuese në Kosovë, posedon ndjenjën e të qenit një minoritet etnik në një shtet të huaj për ta dhe jo një komb që drejton një shtet të vet, ndërkohë që kërkohet që ky komb (kosovar) të pranohet në Kombet e Bashkuara. Në këtë aspekt politikanët dhe intelektualët nga Shqipëria nuk kanë ndihmuar aspak. Mesazhi që është dashur t’u japin ata shqiptarëve të Kosovës është ky: “E dimë se jemi vëllezër, por ju tani keni shtetin tuaj, keni flamurin tuaj, keni himnin tuaj, lërini simbolet tona rehat dhe merruni me simbolet tuaja”. Kjo ndoshta do t’u tingëllonte idhët në Kosovë, por do t’ishte tej mase edukuese dhe ndihma më e madhe që Shqipëria mund t’i jepte Kosovës.
Thuhet se marrëveshja do marrë vulën e Uashingtonit dhe do përfundojë me rishikim kufijsh. Nga ana tjetër, thuhet se Berlini e kundërshton këtë opsion. Jemi në kuadër të teorive të rrjetit apo kështu qëndrojnë gjasat?
Këtë nuk e dimë, ndoshta kjo është vetëm lojë për të frikësuar palët, që kur të nënshkruhet marrëveshja me kompromise të dhimbshme (Asociacioni i komunave me shumicë serbe për Prishtinën, dhe njohja e pavarësisë së Kosovës për Beogradin) të thuhet shyqyr të paktën nuk lëvizën kufijtë.
Ndoshta edhe do të ketë lëvizje minore të kufijve dhe asociacion të komunave me shumicë serbe e njohje nga ana tjetër. Në këtë rast lëvizja e kufirit do të dëmtonte Luginën e Preshevës duke i dhënë ca vendbanime Kosovës dhe pjesa më e madhe e tyre t’u bashkëngjitet komunave të tjera serbe. Kështu shqiptarët ngelin pa asnjë komunë në Serbi, gjë që de facto do të eliminonte shqiptarët nga Serbia (interes i Beogradit). Por mund të jetë që pazari të jetë prerë akoma më keq për Kosovën. E kjo do t’ishte që në këmbim të njohjes nga Serbia, të jepet veriu deri te lumenjtë Ibër e Bistrica dhe asociacioni për serbët në jug të lumit Ibër. Kjo do të thoshte që Liqeni i Gazivodës, Trepça e qyteti i Mitrovicës të ndahen përgjysmë mes Kosovës e Serbisë.
Gazeta austriake Der Standard shkruan se shumica e shqiptarëve e kundërshton rishikimin e kufijve. Gazeta thekson se kjo situatë ka provokuar tensione edhe në qeverinë shqiptare, pasi kryeministri Edi Rama largoi një zë kundër ndarjes së Kosovës, si Ditmir Bushati. Si e shihni qasjen e Shqipërisë ndaj kësaj situate?
Ndoshta Kosova do të detyrohet të bëjë lëshime në dëm të saj se nuk mund të luftojë me fuqitë botërore, por çfarëdo qasje e Shqipërisë që nuk përkrah integritetin dhe territorin e tanishëm të Kosovës është ndihmë Serbisë e jo Kosovës. Ca të njohur të mi serb nga Beogradi shpesh po tallen me mua duke thënë: Derisa Serbisë po ia fut vëllai i vet, Mali i Zi, edhe Kosovës po ia fut vëllai i vet nga Tirana.
Kosova nuk pret që Tirana të ngrejë avionët ushtarakë dhe të dalë në mbrojtje të territoreve të Kosovës (sepse këtë Tirana zyrtare nuk e ka bërë as kur 19 kombe të botës bombarduan Beogradin me 1999), por më e pakta që Tirana mund të bëjë është të mos ia zbresë pazarin Kosovës dhe të mos duartrokasë kur Kosova të dëmtohet e detyruar ta nënshkruajë një marrëveshje të dakorduar nga Fuqitë e Mëdha.
Nëse SHBA do imponojë një marrëveshje që nuk pëlqehet nga shqiptarët, a do kemi një frymë antiamerikane mes popullit më proamerikan në botë?
Një fryme antiamerikane në mesin e shqiptarëve ekziston përderisa ka ndjekës të heshtur të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha. Një pazar i keq për Kosovën në marrëveshjen e pritshme do t’ua hapte gojën antiamerikanëve tani të heshtur.
Për një pazar të keq eventual, së pari, duhet të akuzohet populli i Kosovës dhe klasa e tij politike e intelektuale. Së dyti, Shqipëria që nuk e ndihmoi më tepër në aspektin edukues për të cilin fola më lart, dhe tek së treti amerikanët.
Thuhet se marrëveshja po bëhet që Rusia të mos ketë më ndikim mbi Serbinë dhe rajonin. Të tjerë thonë të kundërtën: se Rusia po e sponsorizon opsionin e ndarjes? Ju çfarë mendimi ndani?
Nuk mund të ketë një marrëveshje mes Perëndimit e Serbisë e që Rusia të jetë tërësisht anash. Zaten këtë e dëshmoi edhe vizita e Presidentit Putin në Beograd. Ajo çfarë ai tha mes rreshtash është se Rusia është në këtë ngjarje.
Zoti Spahiu, edhe ju mendoj se keni një skenar se si mund të bëhen gjërat më mirë në rajonin tonë? Nëse po, cili është?
Po. Gjërat bëhen më mirë kur ka marrëveshje, paqe e stabilitet e rajon. Por për kënd bëhet më mirë e për kënd më pak mirë, varet nga pazari i marrëveshjes. Për këtë Kosova kishte 20 vite kohë dhe shanse ideale për të patur një pazar të mirë, por dominoi jopatriotizmi, grykësia dhe injoranca e thellë. MAPO