Realpolitik “ Flash” No. 59
1 – 16 DHJETOR 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 6 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. Jorgji KOTE
1.Nga brenda, pastaj nga jashtë! Ky ishte mesazhi kryesor për integrimin europian i Presidentit gjerman Frank Ëalter Steinmeier në vizitën e tij në Tiranë më 1 – 2 Dhjetor, në takimet, vizitat dhe fjalën në Kuvend. Na përgëzoi për arritjet, frymën europiane, sukseset gjeopolitike, etj. Gjithsesi, shtoi ai, asgjë e sidomos antarësimi në BE nuk mund të arrihet pa performancën dhe reformat e brendshme në të gjitha fushat, pa luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, pa drejtësi funksionale, etj. Asnjë afat, datë dhe ndërhyrje nga jashtë nuk do të ketë shans pa larguar të keqen nga brenda. Gjeopolitika pa faktorin e brendshëm është më tepër fasadë që nuk “të ngop”.
- Samiti, protesta dhe grushti! Këto fjalë shkojnë bashkë lidhur me Takimin e Nivelit më të lartë BE – Ballkani Perendimor zhvilluar në rajonin tonë dhe për herë të parë në Tiranë më 6 Dhjetor. Ngjarje tejet e rëndësishme, sepse në Tiranë “ zbarkuan” 26 presidentë dhe kryeministra të BE-së bashkë me Presidentet e Komisionit dhe Këshillit Europian dhe të 6 liderët e rajonit tonë. Gjithsesi ishte Samit simbolik, jo historik, siç është bërë e rëndomtë kjo fjalë në vendin tonë. As ngjarja më e rëndësishme në marrëdhëniet tona ndërkombëtare. Po, historike ishte vizita e Presidentit Bush në Tiranë më 2007 që çoi në antarësimin tonë në NATO dhe pavarësinë e Kosovës. Ndërsa Samiti i Tiranës nuk solli, nuk premtoi dhe nuk prodhoi ndonjë gjë historike. Madje, ai ishte problematik me dosje përvëluese në rajon. I vetmi vend pa probleme gjeopolitike është Shqipëria, por dhe ajo zien më shumë nga brenda.
Nga ana tjetër, Samitin e la disi në hije protesta e opozitës, e cila denoncoi paqësisht aferat dhe skandalet e mazhorancës. Pavarësisht se mysafirët e lartë europianë nuk donin ta prishnin atmosferën festive, shija që la te ata Samiti, sidomos pas sulmit që një i ri bëri me grusht ndaj liderit të opozitës që “vodhi” vëmendjen e mbetur të Samitit nuk ishte dhe aq e këndshme. Ndaj, sa herë do flitet për atë Samit, me siguri do të përmendet protesta dhe grushti anti-europian!
- Partnerë në vlera, rivalë në interesa
Megjithë klimën dhe atmosferën entusiazte, vizita e Presidentit Macron në SHBA më 1 – 2 Dhjetor dhe takimi i tij me homologun Joe Biden nuk i shmangu dot zhgënjimet e rastit. Kjo kryesisht për shkak të miratimit të ligjit “ Akti për Reduktimin e Inflacionit ( Inflation Reduction Act); nëpërmjet tij, në emër të mbrojtjes së klimës dhe zbutjes së efekteve të krizës energjitike, qeveria amerikane do të subvencionojë firmat e mëdha prodhuese amerikane me një fond prej 370 miliard Dollarë.
Mirëpo ky ligj po konsiderohet se vepron kundër interesave ekonomike europiane, si një formë e re proteksionizmi dhe sinjal për luftë të re tregtare me vendet europiane, firmat e të cilave në SHBA do të diskriminohen. Megjithë përpjekjet e Macron, Pala amerikane nuk mori përsipër asgjë, veç ndonjë procedure gjatë zbatimit të ligjit, por dhe kjo pa garanci. Tanimë europianët po kërkojnë t’i kundërpërgjigjen amerikanëve me një ligj dhe masa të ngjashme. Kjo ishte dhe ndër temat kryesore të Samitit të BE-së më 15 Dhjetor, por ende pa diçka konkrete. Nisur nga këto zhvillime, shumë ekspertë dhe media arrijnë në përfundimin se SHBA dhe vendet e BE-së janë vërtet partnerë dhe aleatë për nga vlerat dhe parimet themelore, por konkurentë dhe rivalë kur vjen puna te paraja dhe interesat ekonomike. Se sa përfiton/humbet demokracia nga ky hendek, kjo vlen për t’u diskutuar.
4.Shuttle pa diplomaci! Kjo po ndodh me emisarët amerikanë dhe europianë në Prishtinë dhe Beograd. Ashtu siç kemi nënvizuar më parë, ndërmjetësuesit Lajçak dhe Eskobar janë kthye në “ zjarrfiksa diplomatikë”. Me “ec e jake” pa pushim, por pa diplomaci. Mesa duken bathët, “zjarret” do të vazhdojnë të ndizen nga Serbia, siç po ndodh dhe tani në veri të Kosovës; ca më tepër se BE-ja dhe SHBA-të nuk po gjejnë e as zbatojnë dot një strategji tërësore veprimi, me “ këmbë në tokë” e jo “ njerin si të nënës dhe tjetrin si të njerkës” Duket se nuk duan ta kuptojnë dhe pranojnë se Beogradit i pëlqen “ qumështi dhe fondet ” e Perëndimit, por mendjen dhe shpirtin e ka te Rusia! Si Putini dhe Vuçiç nuk bëhet dot “a good guy”.
- Turp diplomatik ishte njoftimi i MEPJ-së sonë mbi fillimin e procedurave për ç’emërimin e Ambasadores Yuri Kim. Diçka e pandodhur më parë në praktikat konfidenciale diplomatike, as në rregjimet më autoritare, ku ndëshkoheshe rëndë për gafa të tilla trashanike provinciale. Më e keqja është se jo vetëm nuk pati asnjë ndjesë publike, por Kryeministri Rama e trashi dhe më keq këtë zullum diplomatik, duke e quajtur normale. Administrata amerikane dhe Yuri Kim vepruan me qetësi, pa zhurmë dhe me veprime konkrete; mesazhet dhe paraqitjet e ditëve të fundit të Yuri Kim ishin përgënjeshtrim i MEPJ-në tonë. Me siguri shefat e Kim do t’ia zgjatin qëndrimin për ta nxjerrë dhe më zbuluar bllofin tonë diplomatik. Por tanët janë mësuar ta “hanë turpin me bukë”, boll ta kenë mirë me NJESHIN! Në fakt, Xhaçka do të bënte mirë të sqaronte pse mbi 60 për qind e Ambasadorëve tanë, përfshi atë në Washigton po “vegjetojnë” jashtë, duke tejkaluar 2 e 3 herë afatet kohore ligjore e jo “t’i qajë hallin kalorësit që i varen këmbët”!
- Cunam në zemër të Brukselit ndodhi më 9 Dhjetor, kur u arrestua Zv. Presidentja e Parlamentit Europian, grekja socialiste Eva Kaili dhe 15 bashkëpuntorë të saj. Me tri akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash dhe veprimari kriminale. Ky skandal i paparë tronditi nga themelet tribunën më të madhe dhe të fuqishme morale në botë, siç konsiderohet Parlamenti Europian. Brukseli ka kohë që është në qendër të goditjeve të krimit të organizuar, drogës dhe prostitucionit, por që këto të depërtonin në zemër të tij, të BE-së kjo ishte larg imagjinatës. U pa se dhe një fondacion europian që demek do të luftonte pandëshkueshmërinë, ku ishin disa nga “ asat “ e BE-së ishte kthyer në fole krimi “ elitar”. Hetimet mbi këtë cunam politik vazhdojnë. Të presim dhe dëgjojmë çudira të tjera, se mesa duket eurodeputetët ndjekin parimin “ bëni si themi ne, por jo si bëjmë ne”! Çfarë fuqie të jashtëzakonshme paska paraja! Kur kjo në Bruksel, mendoni çndodh në Ballkan dhe Tiranë!
© 2022 Argumentum