Partia Socialiste ka zyrtarizuar sot kandidatët për kryetarë bashkie në zgjedhjet e 30 qershorit.
Por kush janë veçoritë e kandidatëve të PS-së?
Rekordin vijon që ta mbajë Gëzim Topçiu në Maliq që kërkon një mandat të gjashtë në drejtim të pushtetit vendor, më pas vjen Adriatik Zotkaj që kërkon mandatin e pestë në Poliçan dhe Tërmet Peçi në Tepelenë të tretin.
Agron Malaj
Në Kolonjë socialistët kanë zgjedhur që të kandidojë Erjon Isain, ish-aktori i ‘Portokallisë’ dhe aktualisht drejtori i Teatrit të Kukullave.
Në Dibër pas shumë debatesh u vendos ish-drejtori i Tatimeve Dionis Imeraj në vendin e Muharrem Ramës, ndërsa në Mat, Agron Malaj ish-gardist i 21 Janarit, aktualisht drejtor i OSHEE-së.
Ndërkohë pesë deputetë të shumicës do të lënë Kuvendin e Shqipërisë për të kandiduar për pushtetin lokal në Gjirokastër, Lezhë, Përrenjas, Kamëz dhe në Pogradec.
Me largimin e deputetëve që do të kandidojnë për kryetar bashkie, në Kuvend pritet që të futen pesë emra të rinj nga socialistët.
Erjon Isai
Deputetët që lënë mandatin dhe ata që futen
Flamur Golemi kandidon në Gjirokastër-Hyn në Kuvend Artemis Dralo
Pjerin Ndreu kandidon në Lezhë-Hyn në Kuvend Adriana Jaku
Nuri Belba kandidon në Përrenjas- Hyn në Kuvend Florenc Spaho
Rakip Suli kandidon në Kamëz- Hyn në Kuvend Eljo Hysko
Ilir Xhakolli kandidon në Pogradec- Hyn në Kuvend Ardit Konomi
Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PS, kreu i kësaj force politike, Edi Rama u shpreh se forca politike që drejton ka përfunduar zyrtarizimin e kandidatëve të 61 bashkive në vend.
Edhe pse opozita sot ka paralajmëruar mbajtjen e protestës, përmes së cilës kërkon largimin e tij, Rama u shpreh i vendosur se nuk do të ketë asnjë ndryshim të planeve të tij e se së shpejti do të nisë fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit.
“Siç e dini sot kemi pasur mbledhjen e Kryesisë së PS për të miratuar kandidaturat për 61 bashkitë si edhe për të diskutuar për formësimin e listave për këshillat e bashkive.
Nesër të deleguarit sipas qarqeve do jenë në qarkun përkatës për të shpallur kandidaturat në prani të kandidatëve dhe grupeve drejtuese dhe më pas do nisim fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit.
Kemi vendosur për të gjitha bashkitë, janë disa detaje të fundit, s’ka asnjë problem të deleguarit kanë mandatin”, u shpreh Rama