Nga Genc Mlloja
Kur nga hapësira e largët ndëryjore kumbonin në tokë tonë tingujt e muzikës himn “Dongfanghong” (Lindja është e kuqe) prej satelitit të parë i lëshuar nga Kina më 24 prill 1970 në radiot e zakonshme të popullit kinez të gjithë sytë ishin drejtuar plot emocione e krenari për këtë ngjarje epokale nga ajo pafundësi e shumëfishtë blu e mbushur me yje, planete, kometa, Arusha e Madhe dhe ajo e vogël, galaktika të panumërta e sa e sa objekte të panjohura vezulluese planetare për të pikasur satelitin me stemën kombëtare kineze që u vendos në orbitën e tokës.
‘Lindja është e kuqe’ nga universi i përtejmë, që shënonte përfshirjen e Kinës në ‘klubin’ e fuqive më të mëdha që tashmë ishin të pranishme në hapësirë (ish-BS, SHBA, Franca, Britania e Japonia), kumbonte si jehonë e gëzueshme paralajmëruese e fillimit të një epoke të ëndërruar zhvillimi hapësinor kur vendi po shkonte drejt hapjes së madhe të konsakruar më 1978. Edhe pse akoma në vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale të rritjes dhe për më tepër kur çdo gjë duhej bërë vetë ngaqë asnjë vend nuk ofronte as edhe më të voglën ndihmë në këtë ndërmarrje të jashtëzakonshme, ajo ngjarje e vitit 1970 shënoi fillimin triumfal të Kinës drejt eksplorimit të gjithësisë. Popullit kinez iu desh ta bënte vetëm rrugën drejt hapësirës, madje nën trysninë psikologjike të një propogande ndjellakeqe, që e pomponte opinionin e vet publik me zjerminë helmuese për dështimin e ëndrrës hapësinore të popullit kinez.
Por në ato kohë të luftërave të ftohta dhe të nxehta fantazamat disfatiste fashiteshin përkundrejt atmosferës entuziaste në Kinë dukshëm festive e mbushur me shpresa dhe krenari, dhe tejet emocionuese veçanërisht në gjirin e atyre që bënë realitet këtë ëndërr. ‘Lindja është e Kuqe’ po kumbonte në çdo hapësirë të botës ku kalonte në orbitën rreth e rreth tokës si lajmëtare e ditëve më të mira!
Zhang Jihua, i cili dha urdhërin e lëshimit të Dongfanghong-1 nga Qendra Satelitore e Lëshimit në Kinën veriperëndimore të Kinës, kujton i cituar nga agjencia Xinhua më 24 prill 2021 se kur misioni u konfirmua i suksesshëm të gjithëve iu mbushën sytë me lot ndërsa i shtrëngonin duart njëri- tjetrit dhe përqafoheshin për triumfin.
Kurse Sun Jiadong, që ishte shef i ekipit të përgjithshëm të dezinjinimit të satelitit, kujton ata momente prekëse duke thënë: “Në kushte të atilla të vështira, ne dërguam satelitin e parë në hapësirë të ndërtuar krejtësisht nga ne duke filluar nga kacavida. Ndjehesha krenar”!
Nga ana e tij, Hu Qizheng, anëtar i ekipit të përgjithshëm të dizenjimit të satelitit, shikonte përtej horizonteve të Dongfanghong-1 duke marrë në konsideratë rezultatet e kësaj arritje në industrinë hapësinore kineze. Sipas tij së pari, suksesi i satelitit vuri një themel të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë hapësinore; se dyti, kërkuesit përcaktuan procedurat për zhvillimin e satelitëve; dhe së treti, misioni përgatiti një ekip më profesionist të hapësirës, që mund të jetë diçka më e rëndësishme se sa vetë teknologjia.
Brezi i moshës sime të viteve 70 në Shqipëri, aq më shumë për ata që merreshin me shtypin sikurse më kishte rastisur edhe mua të punoja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare në atë kohë, e kujton atë moment suksesi të jashtëzakonshëm me interes sepse Kina ishte i vetmi vend mik i Shqipërisë, kantier ndërtimesh të dhjetëra projektesh me ndihmat e saj nga veriu me hidrocentralet e kaskadës së Lumit Drin, fabrikën e telave të bakrit në Shkodër, e deri tek uzina metalurgjike në Elbasan.
Drejt horizonteve të reja
Ora 11:23 (me orën e Pekinit) e 29 prillit 2021, që tashmë do të jetë simbol tjetër në etapat e njëpasnjëshme të lavdisë së marshimit përpara drejt qiellit, ishte nisja e rrugëtimit kah horizonteve të reja të hapësirës nga zona e lëshimit “Wenchang” e modulit kryesor “Tianhe” i stacionit hapësinor me raketën “Marshimi i Madh 5B-Y2” si guri i themelit i ndërtimit të një stacioni të përhershëm në hapësirë. Ai do të jetë i vetmi stacion i njerëzimit në hapësirë sepse, sipas të dhënave të shkencëtarëve, stacioni i tanishëm hapësinor ndërkombëtar mund të nxirret jashtë funksionimit në vitet 2024-2028.
24 prilli 1970 përkujtohet si Dita e Hapësirës e Kinës, hapi i parë solid i këtij vendi dhe një populli vetmohues i udhëhequr nga Partia Komuniste, e cila në korrik të këtij viti mbush 100 vjet që nga krijimi i saj. Pas më shumë se 5 dekadash edhe pse nuk kanë se si të harrojnë fillimin ‘vetmitar’ në këtë udhëtim drejt qiellit të pamat, ata shpallin me bujari projektin për ndërtimin e asaj që është mbiquajtur ‘Shtepia e Përbashkët Hapësinore’ për mbarë njerëzimin.
Duke marrë pjesë në urimet për këtë arritje Presidenti i Kinës Xi Jinping në mesazhin e tij deklaroi me 29 prill 2021 se lëshimi i suksesshëm i modulit kryesor “Tianhe” vërteton se ndërtimi i stacionit hapësinor të Kinës ka hyrë në fazën e plotë të zbatimit, i cili hedh një themel të fortë për misionet pasuese. Ai vuri në dukje se ndërtimi i një stacioni hapësinor dhe i laboratorit kombëtar hapësinor është një objektiv i rëndësishëm i strategjisë trehapëshe të programit hapësinor të Kinës dhe një projekt kryesor i rëndësishëm për të rritur forcën e vendit në shkencë, teknologji dhe hapësirë.
Në fakt është rasti të vëmë në dukje se për Presidenti Xi bërja realitet e ëndrrës për të bërë Kinën një fuqi hapësinore sa më parë ka qenë një ndër përparësitë e tij dhe komunikimet me shkencëtarët dhe inxhinierët e kësaj fushe kanë qenë të shpeshta dhe tejet inkurajuese.
Në përgjigje të një letre të 11 shkencëtarëve, që kontribuan në misionin Dongfanghong-1, me rastin e 50 vjetorit të këtij misioni të parë të suksesshëm më 24 prill 2020, Xi iu shkruante se ishte tepër i prekur nga dedikimi I tyre prej shumë dekadash në programin hapësinor kinez duke nxitur shkencëtarët dhe inxhinierët në epokën e re për të mësuar prej tyre. Ai i bëri thirrje brezit të ri të shkencëtarëve dhe inxhinierëve të kapërcejnë çdo lloj vështirësie dhe të përpiqen për të kapur lartësi të reja në shkencën dhe teknologjinë hapësinore.
“Ëndrra hapësinore është pjesë e ëndrrës për ta bërë Kinën më të fortë. Me zhvillimin e programeve hapësinore, populli kinez do të bëjë hapa më të mëdhenj për të eksploruar më tej hapësirën”, tha Presidenti Xi më 24 qershor, 2013 në një video telefonatë me Qëndrën e Kontrollit Aerospacial të Pekinit i cituar nga Xinhua duke folur me tre astronautët e anijes hapësinore Shenzhou-10 në bordin e modulit hapësinor kozmik Tiangong-1.
Kurse më 24 prill, 2016 në një udhëzim me rastin e Ditës së Hapësirës të Kinës duke inkurajuar shkencëtarët dhe inxhinierët hapësinorë për të hapur një kapitull të ri në zhvillimin hapësinor Xi vinte në dukje: “Eksplorimi i universit të pamatë, zhvillimi i programeve hapësinore, kanë qenë gjithmonë ëndrra për të cilën në jemi përpjekur”.
Dhe për të bërë më festive një ngjarje të tillë një model gjigant pande, i stampuar në 3D, u dërgua në hapësirë së bashku me nëntë satelitë komercialë në bordin e raketës kineze Long March-6 më 30 prill 2021. Panda 9.026 cm e gjatë, që mbante flamurin kombëtar kinez në putër, e veshur me kostum hapësinor, u instalua në një aparat fotografik satelitor. Bëhet fjalë për një imazh të krijuar nga “Chengdu Research Base of Giant Panda Breeding” dhe nga kompania e teknologjisë me bazë në Pekin “SpaceD”. Ndërsa sateliti orbiton rreth Tokës, kamera po bën fotografi të pandës astronaut në sfondin e planetit nga kënde të ndryshme. Wu Yongsheng, drejtori i bazës kërkimore, tha se studiuesit dhe agjencitë e ruajtjes së kafshëve të egra nuk janë të mjaftueshme për të shpëtuar speciet e rrezikuara. “Shpresojmë që modeli gjigant i pandës, si lajmëtar i mbrojtjes së botës së egër dhe shpërndarjes së njohurive në hapësirë ajrore, do të inkurajojë të rinjtë që të bashkohen në mbrojtjen e biodiversitetit,” tha Wu me këtë rast.
19 korrik 1964-29 prill 2021
Por para se të flasim për disa hollësi teknike të stacionit, kur do të jetë në eficencë të plotë, misionin e tij si dhe jehonën e tij ndërkombëtare e shikoj të vlefshme për lexuesin një përmbledhje të disa nga etapat më kryesore të këtij rrugëtimi më shumë se 50-vjevar të Kinës drejt horizonteve të reja hapësinore që prej mijëra shekujsh ka mbajtur njerëzimin me kokën lart drejt pafundësisë yjore pa arritur ta prek atë.
Më poshtë është një kronologji e momenteve kryesore në punës për eksplorimin hapësinor nga ana e Kinës:
19 korrik 1964: Kina bëri hapin e saj të parë zyrtar në hapësirë, duke lëshuar dhe rikuperuar një raketë eksperimentale biologjike që mbante minj të bardhë.
24 Prill 1970: Sateliti i parë artificial kinez, Dong Fang Hong 1, u lëshua në qendrën e nisjes Jiuquan në provincën veriperëndimore të Gansu. Kjo e bëri Kinën vendin e pestë që dërgoi satelitët në orbitë pas ish – Bashkimit Sovjetik, SHBA, Francës, Britanisë dhe Japonisë.
26 nëntor 1975: Sateliti i parë i rikuperueshëm i Kinës u lëshua me sukses dhe u kthye në Tokë.
20 nëntor 1999: Kina nisi me sukses anijen e saj të parë hapësinore pa pilot, Shenzhou 1, në qendrën e nisjes Jiuquan. Ajo lëshoi tre anije kozmike të tjera pa pilot në 2001 dhe 2002 në përgatitje të një anije kozmike me njerëz.
15 tetor 2003: Kina u bë vendi i tretë pas Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që dërgoi një njeri në hapësirë me raketën e vet. Astronauti Yang Liwei kaloi rreth 21 orë në hapësirë në bordin e anijes Shenzhou-5.
12 tetor 2005: Raketa Shenzhou VI dërgoi dy astronautë në një fluturim pesë-ditor.
5 nëntor 2007: Orbiteri i parë hënor i Kinës, Chang’e 1, hyri në orbitën e hënës 12 ditë pas ngritjes.
25 shtator 2008: Raketa e tretë Shenzhou VII u lëshua në hapësirë ku një astronaut doli nga anija kozmike dhe eci në hapësirë.
1 tetor 2010: Sonda e dytë e hulumtimit hënor të Kinës shpërtheu nga një cep i largët i provincës jugperëndimore të Sichuan.
29 shtator 2011: Tiangong-1, ose “Pallati Qiellor 1” është laboratori i parë hapësinor i Kinës, që u lëshua për të kryer eksperimente ankorimi dhe orbitale.
3 nëntor 2011: Kina kreu me sukses stërvitjen e saj të parë ankoruese midis dy anijeve kozmike pa pilot, anijes Shenzhou 8 dhe modulit Tiangong 1, një provë kryesore për të siguruar një prani të drejtuar për një kohë të gjatë në hapësirë.
14 dhjetor 2013: Kina zbarkoi një anije kozmike pa pilot në Hënë në “uljen e butë” të parë të tillë që nga viti 1976 në arritjen e një suksesi të kësaj natyre, duke u rreshtuar me SHBA dhe ish-Bashkimin Sovjetik.
15 shtator 2016: Kina nisi laboratorin e saj të dytë eksperimental të hapësirës, Tiangong 2, pjesë e një plani më të gjerë për të pasur një stacion hapësinor të përhershëm me njerëz në shërbim rreth vitit 2022.
3 janar 2019: Sonda hënore Chang’e-4, e lëshuar në dhjetor, preku me sukses anën e largët të hënës. Anijet kozmike të mëparshme kanë parë anën e largët, por asnjë nuk ka zbritur në të.
23 qershor 2020: Kina vendosi me sukses në orbitë satelitin e saj të fundit Beidou, duke përfunduar një rrjet navigimi që ishte punë e disa viteve, dhe duke përgatitur terrenin për të sfiduar Sistemin Global të Pozicionimit (GPS) në pronësi të SHBA.
23 korrik 2020: Kina nisi një sondë pa pilot në Mars në misionin e saj të parë të pavarur në një planet tjetër.
24 nëntor 2020: Kina fillon një mision paekuipazh të quajtur Chang’e-5 me qëllim të mbledhjes së materialit hënor për të ndihmuar shkencëtarët të mësojnë më shumë për origjinën e hënës.
1 dhjetor 2020: Kina zbarkon me sukses sondën Chang’e-5 në sipërfaqen e hënës.
Megjithëse nisur nga kronologjia e mësipërme duket se Kina ka filluar më vonë se fuqitë e tjera me intensitet programin e saj hapësinor duke filluar nga elementët bazë dhe sikurse e thamë më sipër krejt me forcat e veta përparimi i saj është vlerësuar nga bota shkencore e pavarur si një ‘zhvillim aerospacial i shquar brenda një kohe të shkurtë’.
Kina, udhëheqja e saj dhe vetë popullit kinez janë të ndërgjegjshëm se akoma kanë rrugë për të bërë në eksplorimin e hapësirës por jo vetëm ata, faktikisht i gjithë njerëzimi. Një realitet i tillë të jep shumë arsye që ti japësh të drejtë Kinës, e cila edhe në këtë fushë e shikon në të mirë të të gjithë njerëzimit bashkëpunimin multilateral sesa linjën e destinuar të dështojë, konkretisht atë të garës gjeopolitike. Argument kokëfortë dhe real është projekti më I fundit: stacioni hapësinor me ekuipazh i ndërtuar dhe operuar në mënyrë të pavarur nga shkencëtarët kinezë.
Ji Qiming, ndihmësdrejtori i Zyrës së Inxhinierisë së Fluturimeve Hapësinore me Kozmonautë, theksoi se misioni i ndërtimit të stacionit hapësinor është i ndarë në dy faza: testimi i teknologjive kryesore dhe ndërtimi. Janë planifikuar të kryhen 12 misione, që parashikohet të përfundojnë brenda vitit 2022. Midis tyre, gjashtë misione janë planifikuar në fazën kryesore të testimit të teknologjisë, dhe tashmë fluturimi i parë i raketës “Marshimi i Madh-5B” dhe nisja e modulit kryesor “Tianhe” kanë përfunduar me sukses. Sivjet do të ketë dy lëshime të anijeve kozmike të mallrave “Tianzhou” dhe të dy anijeve kozmike me astronautë “Shenzhou”. Ji shtoi se gjashtë misione të tjera janë planifikuar gjatë fazës së ndërtimit, duke përfshirë lëshimet e kabinave eksperimentale “Wentian” e “Mengtian”, të dy anijeve kozmike të mallrave dhe të dy anijeve kozmike me astronautë.
“Qëllimi kryesor i kësaj faze të misionit është të përfundojë plotësisht lidhja orbitale dhe ndërtimi i stacionit hapësinor me një strukturë bazë me tre kabina dhe të ndërtohet një laborator hapësinor kombëtar. Gjatë këtyre detyrave, para nisjes së secilës anije kozmike me astronautë, do të niset një anije kozmike mallrash, që do të transportojë furnizimet për jetesën e astronautëve në orbitë. Ekuipazhi i çdo misioni fluturimi me astronautë do të përbëhet prej tre vetash dhe do të qëndrojë në orbitë për 3-6 muaj,” tha Ji Qiming.
Disa të dhëna teknike të stacionit hapësinor: ai përbëhet nga tre module që janë moduli kryesor Tianhe, dhe modulet laboratorike Wentian dhe Mengtian. Tianhe është qendra e menaxhimit dhe kontrollit të stacionit hapësinor dhe është moduli i parë i stacionit hapësinor i nisur në orbitë. Lëshimi i suksesshëm i modulit kryesor “Tianhe” është misioni i parë ndër 11 misione të parashikuara për të ndërtuar dhe furnizuar stacionin hapësinor për një ekuipazh prej tre vetash. “Tianhe” ka një gjatësi të përgjithshme prej 16.6 metrash, diametër maksimal 4.2 metra e një masë ngritjeje 22.5 tonë, dhe është anija kozmike më e madhe e prodhuar nga Kina. Stacioni hapësinor do të ketë formë T-je, me modulin kryesor në qendër dhe nga një kapsulë laboratorike në secilën anë. Secili modul do të jetë mbi 20 tonë. Kur stacioni të lidhet me anijet kozmike me astronautë ose ato të mallrave, pesha e tij mund të arrijë afro 100 tonë. Ai do të funksionojë në orbitën e ulët të Tokës në një lartësi 340 deri në 450 km, dhe parashikohet një jetëgjatësi e projektuar për 10 vjet, por ekspertët besojnë se, me mirëmbajtjen dhe riparimet e duhura, mund të zgjasë më shumë se 15 vjet. Moduli kryesor “Tianhe” do t’u ofrojë astronautëve gjashtë zona, përkatësisht për punë, fjetje, higjienë, ngrënie, kujdes shëndetësor dhe stërvitje.
Astronautët mund të kontrollojnë ndriçimin e kabinës dhe pajisjet e kuzhinës nëpërmjet një aplikacioni dhe t’i telefonojnë njëri-tjetrit, ose të komunikojnë me Tokën me anë të valëve. Banda e gjerë me kapacitet të madh mund të mbështesë gjithashtu transmetimin e një vëllimi të madh të të dhënave eksperimentale në Tokë.
Është parashikuar që puna të përfundojë nga fundi i vitit 2022 dhe 10 misionet pasuese do të dërgojnë 4 ngarkesa me pajisje kurse 4 misione do të transportojnë ekuipazh. Ka filluar trajnimi i 12 astronautëve që do të shkojnë për të punuar e jetuar në stacion dhe ndër ta janë veterane të fluturimeve të mëparshme hapësinore, astronaut të rinj dhe astronaute femra.
Gjithashtu njoftohet se Kina ka planifikuar një mision tjetër për vitin 2024 që të sjellë në tokë mostra hënore dhe ka deklaruar se do të zbarkojë në hënë njerëz dhe mundësisht do të ndërtojë një bazë shkencore atje.
Programi kinez hapësinor ka përparuar në një mënyrë të vazhdueshme te sigurt dhe te kujdesshme në bazë të një skenari të hartuar me kujdes duke u mbështetur në punën dhe përvojën e saj dhe zhvillimet bashkëkohore.
Nuk mund të anashkalohet se rruga e Kinës drejt suksesit të programit hapësinor nuk ka qënë e lehtë edhe për faktin se SHBA janë përpjekur gjithnjë ta pengojnë atë dhe madje ishte presioni i tyre që përjashtuan Kinën nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor me pretendimin e ‘natyrës sekrete’.
Por e hapur për bashkëpunim si në çdo fushë, Kina ka rritur bashkëpunimin me ekspertë hapësinorë të vendeve të tjera duke përfshirë Francën, Suedinë, Rusinë dhe Italinë.
Një shembull i fundit konkret, që daton më 26 prill 2021, është kur Hu Hao, projektuesi kryesor i fazës së tretë të programit hulumtues hënor të Kinës, që synon të nisë eksplorimin Chang’e-6 për të mbledhur mostra në Pellgun e Jugut-Pellgu Aitken në anën e largët të Hënës rreth vitit 2024, i tha Konferencës Hapësinore të Kinës, të mbajtur në Nanjing, provinca Jiangsu e Kinës lindore, se hartimi i detajuar i misionit është në proces. Në këtë rast Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës ka ftuar shkencëtarë në të gjithë botën të marrin pjesë në program, duke ofruar të mbajnë ngarkesa të kërkuara. Katër ngarkesa të zhvilluara prej shkencëtarëve nga Franca, Suedia, Italia, Rusia dhe Kina janë zgjedhur paraprakisht. Pasi të dalë plani i detajuar i misionit Chang’e-6, ngarkesat do të përcaktohen përfundimisht, tha Hu. Kina do të kryejë eksplorimin e burimeve hënore, kërkimin shkencor dhe eksperimentet teknologjike në misionet Chang’e-6, Chang’e-7 dhe Chang’e-8, duke synuar të ndërtojë një stacion prototipi të kërkimit shkencor në Hënë deri në vitin 2030, shtoi Hu.
Duke ndjekur rrugëtimin kinez në eksplorimin hapësinor një moment I rëndësishëm është viti 1992 kur Kina përcaktoi qartë strategjinë e zhvillimit kozmik me “tre hapa”: dërgimi i astronautëve në hapësirë dhe kthimi i sigurt; përparimet në teknologjinë e stacionit hapësinor; “ndërtimi i një stacioni të vërtetë hapësinor dhe zgjidhja e problemeve të misioneve hapësinore me përmasë të madhe dhe me staf me qëndrim të përhershëm”. Dhe kësisoj lëshimi i modulit “Tianhe” është hapi i tretë, që është një hap shumë kyç.
Duke folur për këtë arritje nuk ka sesi të mos evidentohet fakti që e përmendëm pak më sipër se Kina e ka arritur çdo gjë vetë në këtë fushë sepse në vitet e fillimit ajo ishte përjashtuar nga “klubi” hapësinor i drejtuar nga ShBA-ja. Krahas kësaj, politikanët perëndimorë e shikonin me paragjykim zhvillimin e Kinës, duke bllokuar rreptësisht teknologjitë kozmike ndaj saj. Madje më 2011, SHBA-ja publikoi Aktin “Wolf”, që ndalon të gjitha kontaktet dhe bashkëpunimin mes NASA-s dhe të gjitha ndërmarrjeve përkatëse amerikane dhe institucioneve hapësinore të Kinës, për arsye të sigurisë kombëtare.
Ka rëndësi të theksohet zotimi kinez sikurse vë në dukje një koment i Grupit Mediatik të Kinës (CMG) më 30 prill 2021 se stacioni hapësinor i Kinës është projekti i tillë i parë në histori që është i hapur për të gjitha vendet anëtare të OKB-së. Ai do të jetë i hapur jo vetëm për qeveritë e organizatat ndërkombëtare, por edhe për subjektet private dhe institucionet studimore. Modeli i bashkëpunimit do të jetë i shumëllojshëm. Tani ka përfunduar puna e përzgjedhjes për projektet e para të eksperimentimit shkencor në këtë stacion, ku janë përfshirë nëntë projekte nga 17 vende e 23 subjekte.
CMG-ja komenton që “Stacioni hapësinor kinez ka marrë parasysh në mënyrë të plotë kërkesat e vendeve në zhvillim dhe u ofron atyre mundësi për hyrje në hapësirë dhe zhvillimin e eksperimentimeve të ndryshme, duke u bërë “një shtëpi për vendet në zhvillim”. Kjo do ta ndihmojë efektivisht botën të kapërcejë hendekun teknologjik dhe të gjitha vendet mund të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në eksplorimin dhe shfrytëzimin paqësor të hapësirës”, thekson komenti.
Mesazhet që jep Kina edhe në këtë rast është se bashkëpunimi është rruga më efektive përkundrejt ballafaqimit, dhe do të shtoja se bashkëpunimi shkencor e veçanërisht ai hapësinor përbën një shtysë për të kapërcyer kundërshtitë gjeopolitike. Arritjet e Kinës në fushën hapësinore gjatë më shumë se 5 dekadave të fundit janë provë e pakundërshtueshme se marshimi i saj drejt horizonteve të reja është i pandalshëm dhe dega e ullirit e zgjatur prej saj për bashkëpunim paqësor hapësinor nuk ka alternativë tjetër; është mision dhe përgjegjësi për të gjithë vendet dhe udhëheqjet e tyre të mendojnë dhe veprojnë me urtësi e largpamësi për fatet e përbashkëta të mbarë njerëzimit në planetin tonë si dhe në hapësirën e pafund ne eksplorim e sipër./Cri