Janë disa dhjetëra detyra që Kuvendi i ka ngarkuar Entit Rregullator të Energjisë në vitin aktual por pjesa më e madhe e tyre duket se lidhen ngushtë me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Në rezolutën për aktivitetin e këtij institucioni në vitin 2019 theks i veçantë vihet fillimisht tek procesi i ndarjes i kompanisë së shpërndarjes i nisur qysh në vitin 2018. Kështu ERE-s i kërkohet që të bashkëpunojë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për monitormin e ndarjes së OSHEE sh.a. sipas parashikimeve ligjore
“Nga ana tjetër të vijojë ndarja e aktiviteteve, llogarive dhe kostove midis Furnizuesit të Mundësisë së Fundit dhe aktiviteteve te tjera, duke mundësuar shërbim të sigurtë, kompetitiv, transparent dhe me cilësi të klientëve fundorë” thuhet në dokument.
Një tjetër çështje duket se është ajo e burimeve të rinovueshme dhe sidomos impianteve fotovoltaikë. Këta të fundit janë të kapur në një rreth vicioz ku nga njëra anë kërkohet nxitje e tyre dhe kemi kuadrin ligjor primar por nga ana tjetër të gjithë ata që kanë instaluar impiante nuk mund të hedhin teprica në rrjet për shkak se nuk ka dalë udhëzimi që rregullon këtë pjesë. ERE-s kërkohet që në bashkëpunim me aktoret e tjerë, nga njëra anë për nxitjen e investimeve në impante të prodhimit të Energjisë Elektrike nga burimet e rinovueshme si centralet fotovoltaik, eolik, biomasë etj, investime të cilat sjellin edhe një diversifikim gradual të prodhimit të energjisë, dhe nga ana tjetër të bashkëpunojë me MIE në përgatitjen e kuadrit ligjor dhe rregullator për thithjen e tyre si dhe uljen e kostove apo dhe shpërndarjen e drejtë të tyre tek të gjithë klientët.
Po kështu kërkohet që të bëhet i mundur sa më shpejt lidhja në rrjetin e OSHEE e atyre impianteve që tashmë janë instaluar.
Faturimi online sipas një sistemi të ri që ka kohë që diskutohet është një tjetër pikë e rezolutës. Kuvendi i kërkon Entit që OSHEE të caktojë afate konkrete për OSHEE lidhur me vënien sa më shpejt në punë të sistemit të ri të faturimit, të paktën në disa projekte pilot të identifikuar nga vetë OSHEE, i cili lehtëson në mënyrë të ndjeshme leximin e matjes së energjisë dhe krijon mundësi dhe opsione të reja , duke përshirë edhe leximin periodik disamujor, si dhe në përfundim të konsultimeve me palët e interesit, aty ku kushtet teknike të kompanisë e lejojnë, të sigurojë përfshirjen në kontratën tip për vitin 2019 të kësaj mënyre leximi te sistemit te matjes.
Një problematikë e mbartur në vite dhe që nuk ka marrë ende zgjidhje siç është ajo e faturave të me emërtimin “energji e pamatur” apo “dëm ekonomik” është nënvizuar nga Kuvendi si një çështje që duhet të shihet me kujdes.
ERE duhet “të kërkojë nga OSHEE anulimin e faturimeve të klientëve të energjisë elektrike të cilët janë faturuar nën emërtimin “energji e pamatur” dhe “dëm ekonomik” në periudhën Tetor 2008 – Prill 2011. Me gjithë vendimin e ERE-s problemi vijon të mbetet i pazgjidhur” thuhet në dokument./monitor