Policia e Fierit njoftoi sot se shtetasi N.Ç, punonjës i Policisë, pjesë e forcave speciale “Shqiponja” është vrarë me armë zjarri.
Sipas njoftimit të Policisë së Fierit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15 minuta, në fshatin Baltëz. Sipas njoftimit të Policisë, “dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin”.
“Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special RENEA, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit”, njofton Policia.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
Per këtë ngjarje të rëndë ka reaguar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili u shpreh se, Policia e Shtetit do të bëjë gjithçka që të dalë para ligjit autori i vrasjes së policit në Fier, Novruz Cenalia.
“Policia e Shtetit dhe unë personalisht ndjehemi thellësisht të tronditur nga vrasja e punonjësit të policisë Novruz Cenalia, mesditën e 13 majit. Ndarja e parakohshme nga jeta e një djali të ri si Novruz Cenalia na ka hidhëruar të gjithëve, familjen e tij, është në lot e zi, dhe familjen e madhe të Policisë së Shtetit. Për të gjithë ne, kjo dhimbje bëhet edhe më e hidhur kur jeta e një punonjësi të Policisë së Shtetit ndërpritet nga dora e një vrasësi, që ende është i lirë”, thekson Rrumbullaku në një deklaratë për shtyp.
“Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se do të bëjmë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë”, shprehet Rrumbullaku.
“Shpreh bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot përkrah familjes Cenalia dhe Policisë së Shtetit dhe do të ndihmojë në kapjen e autorit të krimit”, shtoi më tej drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
“E kam theksuar me forcë, edhe pak ditë më parë, gjatë ceremonive përkujtimore për të rënët e policisë, se uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë. Kushdo që guxon të cenoje uniformën e policisë, shëndetin dhe jetën e punonjësve të saj, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore”, thotë në deklaratë Rrumbullaku.
/Argumentum.al