Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi informoi sot lidhur me ngjarjen e ndodhur në afërsi të rrethimit të Uzinës Ushtarake në Gramsh, ndërsa shtoi se, “të gjitha institucionet kanë vepruar në kohë dhe si duhet”.
Ministri Peleshi dhe ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi dolën sot në një komunikim për mediet në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Gramsh.
“Ju konfirmoj se ne jemi të përgjegjshëm dhe shumë seriozë në trajtimin e ngjarjes së fundit të Gramshit, ashtu sikundër duhet secili prej nesh të ruhet prej ekzagjerimeve apo spekulimeve politike apo mediatike të ngjarjeve të tjera, që mund të mos quhen ngjarje. Nuk është hera e parë që turistë vendas apo të huaj kanë kuriozitet të fotografojnë site të vjetra të zonave ushtarake”, tha Peleshi.
Ministri sqaroi se ka disa nivele klasifikimi të pronave të ushtrisë.
“Ato që janë të klasifikuara me rëndësi të veçantë është e pamundur të aksesohen. Por, nga ana tjetër kemi edhe shumë site të tjera ish-ushtarake apo që i përkasin industrisë ushtarake që janë të vizitueshme me leje si për vendas e të huaj. Ky është rasti i 3 uzinave tona: të Gramshit, Mjekësit dhe Kombinatit Mekanik të Poliçanit. Ne nuk kemi sot industri ushtarake, ato nuk janë aktive”, tha Peleshi.
Ministri theksoi se Gramshi ka aktivitet sporadik të demontimit të armëve të ndryshme, kryesisht armë që sekuestrohen nga Policia e Shtetit.
“Aktiviteti i fundit ka qenë vitin e kaluar. Së shpejti do të kemi një parti armësh të lehta që do të demontohen, por aktiviteti i vërtetë i uzinës së Gramshit ka pushuar në vitin 1992. Edhe në Poliçan po ashtu nuk prodhohen armë, por ka të tilla që vazhdojnë të ruhen nga personeli i FA-së, Aty nuk ka aktivitet të industrisë ushtarake”, tha Peleshi.
Kjo, shtoi ministri, “nuk e relativizon aspak ngjarjen e fundit në Gramsh”.
“Aty kemi të bëjmë me një grup të huajsh që nuk kanë tentuar ta vizitojnë me leje atë zonë ushtarake. Por jo vetëm kaq, njëri prej tyre ka tentuar të hyjë në të dhe kur është ndaluar nga personeli ushtarak ka reaguar në mënyrë të dhunshme. Sado larg ekzagjerimeve të politikës, ngjarja e Gramshit nga ne po trajtohet me seriozitet për shkak të elementit të dhunës”, tha Peleshi.
Ministri shtoi se “kemi të bëjmë me 3 të huaj me pasaporta ruse dhe ukrainase që kishin shumë ditë që ndodheshin në vendin tonë dhe ishin edhe në zona të tjera”.
“Si ngjarje nuk na shqetëson shumë se çfarë kanë tentuar të fotografojnë në Gramsh, por mund të kenë dashur të evitojnë vëmendjen nga një skenar tjetër. Çdo ngjarje duhet ta shohim edhe në mënyrë të tërthortë. Ne kemi agjencitë e inteligjencës, Drejtorinë e Antiterrorit dhe shumë struktura të tjera që përpunojnë çdo informacion, edhe në kontekstin e ngjarjeve të fundit, prishjes së ekuilibrave. Ne jetojmë në rajon delikat, rajoni i Ballkanit është kompleks, jo të gjitha shtetet kanë qartësisht të njëjtën axhendë euroatlantike. Shqipëria është kampioni i Ballkanit Perëndimor për sa i përket qartësisë në orientimin e vet euroatlantik. Ne jemi të brishtë si rajon dhe kjo na bën të vëmendshëm ndaj çdo lloj situate”, tha Peleshi.
I pyetur nga mediet, Peleshi u shpreh se “fakti që Gramshi është objekt i deklasifikuar nuk do të thotë se mund të hyjë kushdo pa marrë leje”.
“Nëse kërkojnë leje dhe ndjekin një procedurë të mirëpërcaktuar, vendas apo të huaj mund t’i vizitojnë këto site, ku dikur gjatë luftës së ftohtë është zhvilluar një industri e caktuar ushtarake. Në këtë kuptim nuk përbën cenim të sigurisë kombëtare, por përbën cenim të rregullores tonë. Ka thyer rregulloren dhe për më tepër se kaq, kemi ushtrim dhune ndaj personave në detyrë me uniformë. Dy efektivë të FA që ruanin objektin. Pse nuk është i klasifikuar, nuk do të thotë se nuk duhen ruajtur. Ne kemi më shumë se 1 mijë prona në gjithë Shqipërinë, shumë prej tyre pa aktivitet, por që ruhen”, tha ai.
Agresioni që shkaktuan rusët e ukrainasi, si edhe pajisjet që kishin me vete, ministri Çuçi tha se përbëjnë material për dyshim, pavarësisht se mund të jenë edhe turistë që kanë interes për të fotografuar objekte të luftërave të ndryshme.
“Ky objekt është deklasifikuar, për nga pajisjet që kishin me vete dhe për shkak të agresionit që kanë ushtruar ndaj ushtarëve janë marrë nën hetim nga prokuroria. Prokuroria bashkë me policinë do e zbërthejë çështjen. Ka turistë aventurierë që e kanë si synim fotografimin e objekteve me karakter të veçantë që ishin pjesë e një industrie të luftës së ftohtë, ndaj do hetojmë deri në fund për të hetuar çdo pozicion të gjithkujt në këtë ngjarje. Deri tani nuk ka vend për spekulime. Edhe për ngjarje të tjera të ngjashme kemi qenë shumë të qartë. Përfundimi i hetimeve do të tregojë se çfarë qëllimi kishin këta njerëz, pavarësisht se objekti është i deklasifikuar dhe nuk ka asnjë sekret shtetëror. Rrethanat se si kanë tentuar të hyjnë dhe pajisjet që kishin me vete dhe agresionit ndaj rojeve, ka bërë që këta persona janë marrë nën hetim. Po hetojmë të gjitha faktet dhe rrethanat. Patjetër ka shumë turistë që fotografojnë objekte të tilla. Do hetojmë deri në fund. Nuk ka vend për spekulime. E kemi në kontroll çdo gjë me këtë situatë”, u shpreh Çuçi.
Ministri tha se elementët e rinj që do të dalin në lidhje me përfundimin e hetimeve do të komunikohen me publikun.
/Argumentum.al