Kosova është zgjuar e tronditur nga lajmi në media se një vajzë e mitur vetëm 11 vjeçare është dhunuar seksualisht në Prishtinë nga pesë persona.
“Nje akt çnjerzor që duhet të marrë ndëshkimin më të rëndë nga institucionet ligjore të Kosovës ”, kështu kanë pohuar të gjithë zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës të cilët kanë reaguar njëzëri duke dënuar këtë akt të rëndë ndaj një fëmije.
Shoqëria civile ka bërë thirrje për proteste duke parashtruar si kërkesë kryesore ashpërsimin e ligjit për krime të tilla.
Lidhur me rastin, Policia ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar.
Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e PK-së.
Krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës dënojnë këtë ngjarje të rëndë dhe kërkojnë “dënim meritor”
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur e janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar për dhunimin e vajzës 11 vjeçare në Prishtinë.
“Me shqetësim kam pranuar lajmin për dhunimin e një vajze të mitur, 11 vjeçare, nga 5 persona për disa orë me radhë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimin e drejtë të secilit prind e secilës vajzë në vendin tonë. Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë. Koordinimi i të gjitha organeve kompetente është i domosdoshëm sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal”, ka shkruar ministri në Facebook.
Kreu i MPB-së ka thënë se nuk duhet dhe nuk do të tolerohet asnjë veprim që cenon jetën, integritetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Vendi ynë duhet dhe do të jetë vend i sigurt për të gjithë, sidomos për vajzat dhe gratë, dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”, ka shkruar Sveçla.
Ish- presidentja e Kosoves Atifete Jahjaga
Ish- presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga ka reaguar ashpër ndaj rastit të dhunimit të vajzës së mitur 11 vjeçare në kryeqytet.
“E shokuar nga dhunimi seksual i një vajze 11 vjeçare në Kosovë. Në atë moshë, kur vajza duhet të jetë duke e krijuar imazhin e saj për botën ideale, një sulm i tillë i lë pasoja të paimagjinueshme, me të cilat kjo vajzë, viktima më e fundit e një sulmi seksual, duhet të jetojë përgjithmonë”, ka shkruar ish-presidentja.
Jahjaga u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që t’i dënojnë sulmuesit me të gjithë forcën e ligjit, ndërsa organet e tjera të merren me rehabilitimin psikologjik të viktimës.
“Shoqëria jonë duhet t’i dënojë ashpër veprimet e tilla, si dhe të gjithë ne kolektivisht duhet të punojmë që viktimave tu japim gjithë mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar Jahjaga.
Jahjaga ka thënë se aktet e tilla çnjerëzore nuk i kanë hije Kosovës.
“Kemi mjaft plagë të hapura. Dhuna ndaj grave e vajzave duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë!”, ka përfunduar reagimin ish- presidentja.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
“Tronditës fakti që fëmijët, vajzat dhe gratë ende nuk janë të sigurte sepse dhunuesit qëndrojnë në liri, sepse nuk shqiptohen dënimet meritore, sepse ende krime të tilla të rënda nuk trajtohen seriozisht dhe ende tentohet të normalizohen, heshten e harrohen. Fatkeqësisht, ky është ende realiteti ynë i cili duhet të ndryshojë orë e çast, dhe për këtë duhet angazhim serioz i institucioneve bashkërisht por edhe i gjithë shoqërisë”, ka shkruar Haxhiu.
Ministrja ka ftuar institucionet relevante që të trajtojnë këtë krim të rëndë, duke dëshmuar sipas saj sa më parë përkushtim dhe rezultat në përndjekje dhe ndëshkim ndaj dhunuesve të të gjitha formave.
“Si Ministri e Drejtësisë, jemi të përkushtuar që të ndërtojmë infrastrukturën më të duhur ligjore, që për aq sa na jep kompetencë ligji, të kryejmë të gjitha detyrat që i kontribuojnë drejtësisë”, ka shkruar Ministrja Haxhiu.
Sipas saj policia duhet të sigurojë lirinë e qytetarëve dhe gjykatat duhet të veprojnë dhe se siç ka shkruar Haxhiu ato nuk duhet ta vështirësojnë tutje jetën qytetare me lirim të kriminelëve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj rastit të dhunimit seksual të 11 vjeçarës.
Ajo ka kërkuar hetim rigoroz ndaj këtij rasti.
Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.
Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët.
Dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryesit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra.
Për fat të keq, për vite me radhë, në raste të caktuara kemi parë mostrajtimin e barabartë të jetës së grave dhe të burrave, fajësimin e viktimës e jo të dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj. E kjo, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha poashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve.
Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Në një reagim të fundit, Kurti ka kërkuar nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë dhe, siç ka shkruar ai, që kryerësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme.
“Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale. Vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër”, ka shkruar Kryeministri Kurti.
Ai ka thënë se duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve “si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku.”
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama,
Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.
“Ne duhet të bëjmë shumë më tepër për t’i dhënë fund këtyre abuzimeve të tmerrshme dhe mosndëshkimit që lejon që këto akte makabre të vazhdojnë të ndodhin, ka shkruar Rama në Facebook.
“Prandaj, si Kryetar i Kryeqytetit, zotohem se do të punojmë për ndërtimin e mekanizmave që rrisin bashkëpunimin mes komunitetit dhe organeve të rendit, në mënyrë që bashkë t’i parandalojmë rastet e tilla dhe të ofrojmë mbështetje për të gjithë viktimat”, ka shkruar ai.
/Argumentum.al