Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shprehu sot ngushëllimet për familjet e të gjitha viktimave në dy ngjarjet tragjike që ndodhën ditën e parë të vitit në Mal të Zi dhe New Orleans në SHBA.
“Zemërthyer për tragjeditë me humbje jetësh në Mal të Zi afër Cetinjes dhe në SHBA, në New Orleans. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për miqtë malazezë dhe amerikanë dhe për familjet e të gjitha viktimave”, shkruan MEPJ në një reagim në rrjetet sociale.
MEPJ uroi shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve dhe shprehu solidaritetin e plotë me komunitetet e prekura nga këto akte të pakuptimta dhune, duke shpresuar për qëndrueshmëri dhe unitet përballë një dhimbjeje të tillë.
Numri i të vdekurve në sulmin me furgon në New Orleans, Luiziana të SHBA-së ka arritur në 15 persona, ndërsa raportohen 35 të plagosur.
Një tjetër ngjarje tragjike ndodhi në 1 janar në Cetinjë, Mal të Zi ku 12 persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur.