Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filuar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se aktakuza është ngritur ndaj 45 personave.
“Prokuroria Speciale ka punuar intensivisht duke zhvilluar hetime në këtë rast shumë kompleks. Pas grumbullimit të gjitha provave dhe analizimit të tyre, sot kemi ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve. Për ta ngritur aktin na u është dashur të presim gjatë, ndoshta edhe një vit. Pranimi i rezultateve të ekzaminimeve që janë kryer jashtë vendit, ishte shkaku kryesor i vonimit të ngritjes së aktakuzës”, shtoi ai.
Në orët e para të 24 shtatorit të 2023-tës, në fshatin Banjskë të Zveçanit, policia kishte vërejtur se ishin vendosur dy kamionë me anë të cilëve ishte bllokuar rruga.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, grupi kriminal serbë kishte shtënë në drejtim të Policisë së Kosovës, me ç’rast ishte vrarë polici Afrim Bunjaku, si dhe ishte plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Autoritetet në Kosovë fajësuan udhëheqjen e shtetit serb për organizimin e, siç e cilësuan, sulmit terrorist, por ajo e mohoi përfshirjen.
Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për të e mori Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke kryer, po ashtu, hetime për rastin.
Ajo e ngarkon Radoiçiqin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
/Argumentum.al