Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim mori pjesë në veprimtarinë për nisjen e Akademisë së Transparencës SHBA-Shqipëri të USAID-it.
“Qeveria e SHBA dhe populli i Shteteve të Bashkuara mbetet i përkushtuar për një të ardhme demokratike, të sigurt dhe të prosperuar për Shqipërinë. Ne jemi të përkushtuar ndaj një Shqipërie që bëhet anëtare e plotë e komunitetit Europian dhe që ushqen një ndjenjë optimizmi tek qytetarët e saj për të ardhmen e tyre”, tha Kim.
“Ndërsa Shqipëria përpiqet drejt asaj të ardhme të ndritur, ajo duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për të zhdukur pengesën e vetme më të madhe në rrugën e saj: korrupsionin. Korrupsioni dhe perceptimi i korrupsionit vazhdojnë të minojnë arritjet dhe progresin e bërë. Shqipëria ka bërë hapa përpara, por korrupsioni rëndon çdo hap; në të vërtetë, korrupsioni nganjëherë detyron një hap prapa. Përgjigja ndaj korrupsionit nuk është vetëm ligje më të mira dhe më të forta, por një kulturë tjetër dhe pengesa sistematike për korrupsionin. Shqipëria duhet të jetë një vend ku korrupsioni jo vetëm që sjell ndëshkim dhe turp, por është më i vështirë dhe më i vështirë për tu kryer. Këtu hyn USATA”, u shpreh Kim.
“Akademia e Transparencës e USAID-it (USATA) do t’i mundësojë dhe fuqizojë qytetarët që të jenë të vetëdijshëm për praninë e korrupsionit, që të zhvillojnë mjetet e nevojshme për të artikuluar shqetësimet e tyre, si dhe që të munden të kërkojnë dhe ndjekin në mënyrë efikase ndryshimet nga qeveria, bizneset dhe bashkëqytetarët”, tha Kim.
“USATA do të nxisë dialogun publik mbi llogaridhënien dhe do të rrisë përkrahjen drejt rritjes së transparencës. Padyshim, ndryshimi i zakoneve dhe ndërtimi i besimit të publikut do të kërkojë kohë, por kjo aleancë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë do të sigurojë që burimet dhe njohuritë teknike të jenë në dispozicion për një periudhë afatgjatë”, theksoi ambasadorja Kim.
“Megjithëse dyert e Akademisë së Transparencës ende nuk janë hapur fizikisht, fillimi i sotëm vë një gur themeli, i cili forcohet përmes përfshirjes tuaj. Akademia e Transparencës është këtu, dhe më e rëndësishmja, është e juaja. Kjo nuk është pronësi pasive, por kërkon angazhim aktiv. Shtetet e Bashkuara presin dhe shpresojnë që udhëheqës nga të gjitha anët e shoqërisë të marrin pjesë në këtë përpjekje”, theksoi ambasadorja Kim./ata